Gëzim Tushi: Deputetët si gladiatorët, po degradojnë figurën e parlamentarit

614
Sigal

Flet psikologu Gëzim Tushi: Dhuna dhe denigrimi i fjalorit në Kuvend

Deputetët e kanë kthyer parlamentin në një arenë ku ndeshen si gladiatorët. Ky ka qenë komenti që psikologu Gëzim Tusha ka bërë lidhur me ngjarje e ditës së enjte, ku deputetët socialistë Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu dhe i demokrat Genti Strazimiri janë konfliktuar fizikisht dhe verbalisht në ambientet e Kuvendit. Lidhur me këtë ngjarje Byroja e Kuvendit të Shqipërisë ka marrë masën përjashtim nga punimet e Kuvendit dhe paralajmërim. Lidhur me faktin se si ndikon demonstrimi i dhunës në Kuvend tek qytetarët shqiptar, mesazhi që përcjell, dhe si ndikon në shtimin e dhunës apo luftën kundër krimit, flet për “Telegraf”, Prof. Gëzim Tushi.

Ja çfarë mendon z.Tushi lidhur me tre pyetjet e mëposhtme:
1- Si e shikoni masën e dhënë nga Byroja e Kuvendit për tre deputetët që u përplasën fizikisht në Kuvend?
2-Kuvendi nga një tempull demokracie dhe drejtësie është kthyer në një arenë përleshjesh. Çfarë mesazhi përcjell kjo tek qytetarët?
3-Si ndikon kjo në luftën kundër krimit?
Përgjigja
“Padiskutim që këto skenat banale që zhvillohen në kuvend janë të shëmtuara, janë të papranueshme, janë antidemokratike dhe në kundërsens me atë çka pritet me këto lloj aulash, të cilat nuk janë vetëm për vendimmarrje parlamentare, por janë njëkohësisht edhe shkolla, në të cilat mësohet në një farë mënyre. Sidomos për vende të tilla, për rajone të tilla, për popull siç jemi ne, që jemi ende të implikuar me politikën, shumë të varur prej saj, shumë të ndikuar. Në këtë kontekst, parlamenti ka humbur shumë në sytë e njerëzve me këto skena, por shumë kanë humbur dhe këta deputetët si përfaqësues të popullit, të cilët janë në një institucion ku procedohet me fjalë dhe jo me grushte, jo me forcë cinike. Parlamenti është një institucion i mendjes, i fjalës, i mençurisë, është një kuvend ku duhet të dominoj arsyeja, nacionaliteti dhe jo instinktet, dhe aq më tepër instinktet shtazarake të dhunës she të forcës. Për fat të keq në parlamentin shqiptar gjithmonë partitë politike kanë synuar të kenë një lloj flake, një lloj grupi njerëzish, të cilët janë të prirur për veprime instiktive për të dëshmuar që janë shumë militant, janë shumë besnik dhe të vendosur etj.. Kjo përshtypje që ka filluar që nga viti ‘90 është e papranueshme. Atëherë mbase dhe kishte një cik kuptim sepse ne ishim në veprimet e para të demokracisë, por nuk e di se çfarë pretendohet kur thuhet se duhet të ketë deputet që të ekzistojnë vetëm duke përdorur forcën dhe fjalorin banal etj. Të gjitha këto janë shumë shqetësuese. Nuk e kuptojmë së përse ndihen aq të garantuar parlamentarët shqiptarë, të cilët mendojnë ose kanë një distancë shumë të madhe nga qytetari. Me sa duket kanë harruar, kanë krijuar atë enklavën e tyre, atë elitën e tyre, si të thuash habitatin e tyre dhe harrojnë që në një farë mënyre janë në sy të publikut, përballë të cilëve humbasin shumë. Më vjen keq që dita e enjte është bërë një ditë e shëmtuar, ku ke frikë të ndjekësh seancën parlamentare sepse nuk është rasti i parë, por është rasti shumë i përsëritur i kësaj gjëje. Unë gjykoj që masat e marra në këtë rast janë gjykuar në bazë të rregulloreve që kanë dhe nuk mund të diskutojmë, sepse ndëshkimi i dhunë parlamentare është në proporcion të drejtë me nivelin e ekzekutimit të saj dhe në një farë mënyre kjo ka rregulloret e veta. Por, nuk kanë rëndësi ditët e ndëshkimit të parlamentarëve, parlamentarët janë në parlament jo për tu ndëshkuar për akte të tilla, pasi për akte të tilla ne mund të ndëshkojmë dhe qytetar të rëndomtë dhe njeriun e rrugës që ushtron dhunë nga mungesa e nacionalitetit, e arsyes e formimin intelektual dhe qytetar. Ndërsa, për sa i përket parlamentarëve, besoj se kjo është e rëndë. Ndoshta ka ardhur koha për të marrë edhe masa më ekstreme për deputet apo parlamentar që përdorin dhunë fizike dhe që bëjnë degradim moral të figurës së parlamentarit. Për ndonjërin prej tyre që e tepron duhet të ketë dhe masa ekzemplare të llojit të veçantë që ta mësojë se në parlament është tjetër ambient. Ata që duan të dëshmojnë forcë fizike dhe që duan të përleshen si gladiatorët këtë gjë nuk mund ta bëjnë në këtë institucion të shenjtë. Të shkojnë ta bëjnë atje ku e bëjnë njerëzit e rëndomtë të shoqërisë. Aula e parlamentit nuk është pronë e tyre është e popullit shqiptar, e cila nuk mund të pranohet që këta lloj njerëzish që sjellin një shëmti, neveri dhe turp. Kjo është një arsye pse shqiptarët kanë filluar të velen nga politika, të maziten prej përfaqësuesve të zgjedhur. Mesa duket kjo është një nga arsyet që gjithmonë e më shume qytetarët po bëhen gjithmonë e më shumë indiferent ndaj politikës, dhe kjo është në favor të politikës, sa më indiferent të bëhet qytetari aq më mirë është për politikanët, të cilët mund të gjejnë një terren të përshtatshëm ku mund të bëjnë çfarë të duan.
LUFTA KUNDËR KRIMIT
Për sa i përket ndikimit në luftën kundër krimit mendoj se, n.q.s edhe në parlament do përpiqen t’i zgjidhin gjërat me dhunë me forcë, me agresion fizik apo psikologjik, kjo tregon që niveli i dhunës në shoqëri do të jetë ende shumë i lartë. Të jesh në një shoqëri ku dhuna demonstrohet dhe në parlament llogariteni se si mundet ajo të konvertohet në jetën publike, në marrëdhëniet e njerëzve të zakonshëm. Nëse do të vazhdojmë të ushqejmë kulturën e të zgjidhurit me forcë problemeve, pra që i forti i zgjidh problemet edhe në parlament apo që nuk është forca e logjikës, por është forca e logjikës që i zgjidh problemet, kjo e konvertuar në jetën qytetare natyrisht që nxit më shumë instinkte shtazarake. Shërbimi që i bën politika në këtë rast jetës sociale, qytetare është shumë negativ dhe nuk kam shpresë se mund të kemi situata më të mira apo më të zbutura në jetën tonë. Situata e dhunës është bërë një lloj jetese që nga Parlamenti deri në jetën e përditshme. Ky lloj “demokratizimi” i dhunës në shoqërinë shqiptare do të thotë që përhapja e saj nuk ka gjasa që të frenohet n.q.s edhe politikanët që janë elita politike e shoqërisë shqiptare veprojnë në këtë mënyrë. Me këtë “demokratizim” nuk kam shpresa se do të humanizohen marrëdhëniet në shoqëri n.q.s politika do vazhdoj të jap këto modele, këto precedent të turpshëm e pamoral. Politika nuk bëhet me pjesët e trupit, por me mendje!

“Grushtet” në Kuvend, Byroja pezullon 7 ditë Ndokën, 3 Ndreun, “vërejtje” Strazimirit

Përjashtim nga punimet e Kuvendit dhe paralajmërim. Këto kanë qenë dy nga masat e marra për deputetët socialistë Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu dhe atë demokrat Genti Strazimiri në mbledhjen e pasdites së sotme të Byrosë së Kuvendit të Shqipërisë.
Kështu, për Ndokën Byroja vendosi ta pezullojë nga punimet e kuvendit 7 ditë, 3 deputetin Ndreu, ndërsa për deputetin Strazimiri vendosi masën e “vërejtjes”.
Vendimet erdhën një ditë pas përplasjes fizike të tre deputetëve në parlament, ndërsa mbledhja e djeshme byrosë u bojkotua nga PD. Incidenti ndodhi pas akuzave që hodhi Strazimiri se në grupin parlamentar të PS-së ka 19 deputetë me precedent penalë. Akuzat u pasuan nga një përplasje verbale dhe fizike dhe çuan në bojkotimin Kuvendit nga Partia Demokratike.