Provimi i gjuhës shqipe, kusht për një vend pune në administratë

650
Sigal

 (Vijon nga dje)

Intervistë me Akademikun Gjovalin Shkurtaj për domosdoshmërinë e një Ligji për Gjuhën Shqipe

1. Nga se rrezikohet më shumë sot gjuha shqipe?
Nga shpërfillja, nga mungesa e kujdesit të organizuar e të drejtuar nga shteti, nga botimet e paredaktuara e të pakorrektuara, si dhe nga një farë ndjenje e përgjithshme nënvlerësimi ndaj saj. Shqetësimi bëhet edhe më i madh, kur bindemi se kjo ndodh jo vetëm nga padija, nga mosnjohja e normës, por më tepër nga pakujdesia, nga mospërfillja e rregullave dhe normave të shqipes standarde, nga mbivlerësimi i së huajës dhe nga nënvlerësimi (ndoshta edhe përçmimi) i kulturës kombëtare në përgjithësi. Të folurit dhe, sidomos, të shkruarit në gjuhën letrare kombëtare ka qenë, është dhe do të jetë kurdoherë shenjë e tregues kulture. Mbi të gjitha, sikundër e kam shprehur edhe herë të tjera, duhet të rikthehet me tërë seriozitetin e duhur lënda e gjuhës shqipe në shkollat e mesme.

2. Ju keni shkruar edhe për domosdoshmërinë e një Ligji për Gjuhën Zyrtare Shqipe…
Po, mendoj se është e domosdoshme të tregojmë kujdesin e duhur ndaj gjuhës së shkruar në përdorimet zyrtare, në zyrat e shtetit e në krejt praktikën shkrimore të vendit, duke qenë të bindur se kjo, ndërkaq, jep dorë edhe për mbajtjen gjallë e shprehjen e njësisë kombëtare edhe në trevat shqiptare jashtë kufijve shtetëror të Republikës së Shqipërisë. Ka ardhur koha të tregojmë më shumë kujdes për gjuhën shqipe, si tipar themelor i njësisë dhe i njësimit kulturor e kombëtar për gjuhën zyrtare të shtetit e të shkollës, natyrisht edhe të të gjitha institucioneve që varen ose lejohen nga shteti. Këtë të gjithë e pranojmë. Ka pasur edhe premtime për masa konkrete, si p.sh. vendosja e redaktorëve e korrektorëve gjuhësorë në të gjitha zyrat e administratës shtetërore e publike etj, por koha kalon dhe nuk po shihen qëndrimet aktive, ndërsa duhen veprime konkrete për ta shëndoshur gjendjen. Të gjithë jemi dëshmitarë se sot shkollarët dhe pasuniversitarët janë të interesuar dhe, madje të drithëruar, për dhënien provim e pajisjen me dëshminë e njohjes së anglishtes, pra për “Toeflin”, por askush nuk shqetësohet për gjendjen jashtëzakonisht të pamirë të shqipes së shkruar e të folur në zyrat e shtetit, në universitetet publike e private e kudo. Dhe kjo situatë do të vazhdojë nëse nuk do të kemi edhe ne zyrtarisht kërkesën me ligj të provimit dhe njohjes së gjuhës shqipe, si kusht për të pasur një vend të caktuar në administratë (vendore apo qendrore).

3. Dikur keni shkruar se fjalët e huaja janë si miqtë e rremë. A mendoni përsëri ashtu?
Lidhur me këtë ide kam pasur dhe kam një shtysë të fuqishme e dorëmbarë të një thënieje të Gerasim Qiriazit, i cili në librin e tij “Krestomaci”, qysh më 1902, shkruante: “Memecët, atyre që u është prerë gjuha dhe nuk flasin dot asnjë fjalë, janë më të vyer se ata që nuk i vënë fre gjuhës e flasin shpenguar”. Njerëzve të thjeshtë mund t’u lejohet të flasin edhe “larë e pa larë”, kurse atyre që përfaqësojnë shtetin, që punojnë e paguhen në zyrat e shtetit dhe në institucione kulturore e në mediat e shkruara e elektronike, qofshin publike apo private, u takon të kenë gjithmonë gjuhë zyrtare, sa më të zgjedhur e të kulturuar. Mania (a më saktë megalomania) e disa prej politikanëve shqiptarë për të folur me fjalë të huaja (të panevojshme e të pakuptueshme) është tregues i cektësisë dhe i përfryrjes së pamirë mendore dhe kulturore. Rendja pas anglezizmave e ka shëmtuar keqas gjuhën e politikës shqiptare, po kështu edhe të gazetarisë sonë. E keqja është se sot ka politikanë, si dhe jo pak gazetarë, artistë, njerëz të zyrave dhe të mjeshtërive të tjera, të cilët kujtojnë se pa fjalë të huaja nuk mund të quhen të mençur e të përgatitur. Gati të gjitha rubrikat e televizioneve shqiptare në Shqipëri emërtohen me fjalë ose sigla të huaja, kryesisht nga anglishtja: INSID, BIG-BRADHER, GAT-TALENT, TUNICHT etj. A thua se shqipja nuk ka asnjë gurrë pasuruese. Dhe e keqja nuk përfundon me kaq. Vijon “fushata” e ethshme e kthimit të fjalëve shqipe ekzistuese në fjalë të huaja, si p.sh. ngjarja bëhet event ose eveniment, shfaqja bëhet performancë, këndoj a kërcej thuhet performoj; zgjedhjet vendore i quajmë “lokale” etj. Prirja për të përdorur “pa doganë” fjalë të huaja është me të vërtetë një sëmundje ngjitëse, që mund të marrë përmasat e një epidemie gjuhëvrasëse.

4. Pavarësisht mendimit tim kundër, jam i detyruar të shtroj pyetjen: Është e nevojshme të mblidhet një Kongres i ri i Drejtshkrimit, për të ushqyer më tej gjuhën standarde shqipe? Cila është përvoja botërore në këtë drejtim?
Kongrese për gjuhën kemi bërë dhe dy prej tyre janë më të rëndësishmit e me vlerë madhore historike e kombëtare: Kongresi i Manastirit (1908), që zgjidhi përfundimisht problemin e njësimit të alfabetit të shqipes, dhe Kongresi i Drejtshkrimit (1972), i cili zgjidhi një herë e mirë dhe me baza shkencore njësimin e drejtshkrimit të gjuhës shqipe. Në mbështetje të Rezolutës së atij Kongresi, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë i Akademisë së Shkencave ka botuar librat “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe” (1973) dhe “Fjalori drejtshkrimor i gjuhës shqipe”, me 32 mijë fjalë (1974). Ato vepra janë ribotuar e përhapur edhe në Kosovë e në hapësirat e tjera shqiptare, si dhe në diasporën arbëreshe dhe kanë dhënë provën e plotë se janë të zbatueshme në ballë të gjerë dhe i kanë shërbyer edhe njësimit të mëtejshëm të shqipes së përbashkët e të njësuar në përdorimin e saj zyrtar e publik, si gjuhë e institucioneve shtetërore e arsimore kulturore. Pikërisht për këtë, duke u mbështetur në nevojat e në mundësitë reale të shoqërisë sonë të sotme, me vendim të posaçëm të Këshillit të Ministrave (mars 1974), kërkohet që drejtshkrimi i njësuar të zbatohet detyrimisht në të gjithë veprimtarinë arsimore e botuese, si dhe në gjithë mjedisin shtetëror e shoqëror, që norma drejtshkrimore të shërbejë si bazë edhe për gjuhën letrare të folur në të gjitha fushat e përdorimit të saj. Theksoj se, ai vendim është në fuqi, nuk është hedhur poshtë, prandaj asnjë nevojë nuk kemi për të shpenzuar energji, mundim e të holla për kongrese pa nevojë. Problemi i drejtshkrimit dhe i njësimit të gjuhës shqipe të përbashkët zyrtare është tashmë i zgjidhur përfundimisht. Rregullat e drejtshkrimit dhe normat e shqipes standarde duhen parë gjithmonë si pronë kombëtare dhe karakteri kombëtar i tyre duhet ruajtur e pasur gjithmonë parasysh. Me këtë perspektivë dhe sipas orientimeve të Kongresit të Drejtshkrimit është krijuar dhe ka punuar dhe vijon të punojë edhe Këshilli Ndërakademik i Gjuhës Shqipe, i përbërë nga gjuhëtarë (akademikë dhe profesorë) nga Shqipëria e Kosova, nga Maqedonia dhe nga diaspora arbëreshe.

5. Duke përfituar nga rasti që ju jeni një gjuhëtar i njohur dhe akademik, mund të na thoni se cilat janë disa nga veprat tuaja të kohëve të fundit në fushën e gjuhësisë? Ku synojnë ato?
Të viteve të fundit janë disa: “Pesha e fjalës shqipe” (Studime të zgjedhura për gjuhën e letërsisë artistike), UFO Press, Tiranë, 2009; “Shqipja e sotme”, Kulturë të shkruari dhe të foluri, Baza të gramatikës së shqipes standarde, Tiranë, 2010; “Etnografi e të folurit të shqipes”, Botim i dytë, me shtesa, Tiranë, 2010; “Sociolinguistikë e shqipes” (Koncepte bazë të sociolinguistikës shqiptare), Tiranë, 2013; “Si të shkruajmë shqip. Baza të shkrimit akademik”, Botim i tretë, Tiranë, 2013.
Kam në dorë një libër tjetër të ri për problemet e kulturës së gjuhës, për gabimet e shumta të medias së shkruar dhe të botimeve zyrtare, si dhe për domosdoshmërinë që t’i vëmë fre trysnisë së fjalëve të huaja të panevojshme. Ministria e Arsimit dhe e Sporteve, bashkë me Akademinë tonë të Shkencave dhe institutet albanologjike e fakultetet filologjike të universiteteve publike e private, duhet të marrin përsipër detyrën dhe detyrimin që në të gjitha shkollat shqiptare, që nga fillorja e deri në universitet, të ketë kërkesa të rrepta për zbatimin e drejtshkrimit të njësuar në të gjithë praktikën shkrimore e botuese, në mediat e shkruara dhe botimet shkencore, letrare etj. Njëkohësisht të shtohet kujdesi edhe për ligjërimin e folur në mjediset publike e për funksione zyrtare. Të ndjekim shembullin e Francës dhe të vendeve të tjera të Evropës së qytetëruar, të cilat punojnë shumë për mbrojtjen e gjuhës amtare, si tipar i përbashkësisë dhe i njëjtësisë së kombit. Ashtu si veprojnë francezët për frëngjishten e për mbrojtjen e saj të organizuar nga shteti, ashtu duhet të veprojmë edhe ne për shqipen. Rregullat e drejtshkrimit dhe normat e shqipes standarde duhen parë gjithmonë si pronë kombëtare dhe karakteri kombëtar i tyre duhet ruajtur e pasur gjithmonë parasysh.  Në mënyrë të veçantë shtrohet detyra që me anën e teksteve shkollore sa më të mira, ta ushqejnë e ta gjallërojnë edhe më shumë këtë ndjenjë të shqiptarëve tekdo që gjenden në Evropë e në mbarë rruzullin.

Intervistoi
Kadri Tarelli

Drejtuesit e Institucioneve të Arsimit të Lartë, pro futjes së “Kulturës së gjuhës shqipe” në universitete

Rektorë dhe dekanë të universiteteve shqiptare, në mbështetje të sugjerimeve të Këshillit Ndërakademik të Gjuhës Shqipe, e kanë parë shumë të arsyeshme futjen e lëndës “Kulturë gjuhe” në universitetet tona. Dekani i Fakultetit Histori-Filologji, gjuhëtari i njohur Shezai Rrokaj, shprehet për “Telegraf” se “lipset një reformë e plotë në arsim, përsa i takon gjuhës shqipe” dhe se investimi për të nuk është në masën e duhur. “Po të marrësh për bazë impaktin e të rinjve në komunikim, ka nevojë për kulturën e gjuhës shqipe”, shprehet nga ana tjetër Rektori i Universitetit të Arteve Petrit Malaj, i cili tregon se kjo lëndë ka qenë dhe është pjesë e programeve mësimore të Artit. Ndërsa Dekani i Fakultetit të Drejtësisë, Altin Shegani tregon se prej një viti, gjuha shqipe është lëndë me zgjedhje për studentët e Drejtësisë, me urdhër të Këshillit të Fakultetit.

Shezai Rrokaj, Dekani i Fakultetit Histori-Filologji
Vendimi i Këshillit Ndërakademik ka ardhur si rezultat i dy punimeve; një nga Universiteti i Tiranës dhe Akademia e Shkencave Shqiptare dhe një nga Universiteti i Prishtinës dhe Akademia e Kosovës. Vendimet dhe propozimet kanë ardhur nga Universiteti i Tiranës. Çështja është se shqiptarët nuk e zotërojnë shqipen standarde në cilësinë dhe nivelin e duhur. Ka problematika të mëdha në institucionet shtetërore, në mediat e shkruara dhe vizive dhe në shkollën në tërësi. Në këto kushte, lipset një reformë e plotë në arsim, përsa i takon gjuhës shqipe. Ndaj, janë bërë propozime të tilla si: Ndarja e Gjuhës nga Letërsia; shtrirja e Gjuhës Shqipe në institucionet e arsimit parauniversitar dhe institucionet e arsimit të lartë. Të gjitha problematikat e hasura janë rezultat i mësimdhënies së Gjuhës Shqipe dhe Altertekstit. Investimi nuk është ai i duhuri për pasurinë tonë kombëtare, që është gjuha shqipe. Këshilli sugjeron rishikimin e lëndës së Gjuhës Shqipe, futjen e saj si provim mature etj., etj..

Petrit Malaj, Rektori i Universitetit të Arteve
Ne jemi pararojë, përsa i përket futjes së “Kulturës së gjuhës shqipe” në universitete, pasi ne e kemi këtë lëndë dhe e jep prof. Gjovalin Shkurtaj. Ka qenë si lëndë, nuk e kemi hequr dhe e kemi për shumë faktorë që kanë të bëjnë në gjithëformimin e studentit që mbaron Artet. Sepse aktori, nëse nuk e ka kulturën e gjuhës shqipe, nuk mund të performojë dot në skenë. Kjo lëndë e ndihmon aktorin në drejtshqiptim, në diksion dhe në intonacionin e gjuhës, të cilat mundësojnë dhe daljen në skenë, si dhe të qenit i suksesshëm. Gjithashtu, është e rëndësishme në profesionin e Regjisorit. Nuk mund të themi që e kemi si lëndë në të gjitha programet mësimore, por në shumicën prej tyre po, sepse është domosdoshmëri. Po të marrësh për bazë impaktin e të rinjve në komunikim, ka nevojë për kulturën e gjuhës shqipe. Fakulteti i Gjuhë-Letërsisë i Universitetit të Tiranës ka specialistë shumë të mirë, me të cilët ne bashkëpunojmë gjithmonë.

Altin Shegani, Dekani i Fakultetit të Drejtësisë
Unë e gjej shumë të arsyeshme këtë sugjerim të Këshillit Ndërakademik të gjuhës Shqipe dhe ju komunikoj se Gjuha Shqipe është futur si lëndë me zgjedhje në Fakultetin e Drejtësisë. Pas vendimit të Senatit të Universitetit të Tiranës, edhe Këshilli i Fakultetit ka vendosur që kjo lëndë të jetë si lëndë me zgjedhje për studentët tanë, prej gati një viti. Ndoshta, duhet reflektuar më seriozisht për të mos qenë në dëshirën e studentit për ta zgjedhur apo jo, pasi studentët tanë janë avokatët, prokurorët dhe gjykatësit e së ardhmes. Fjala është arma e tyre më e mirë. Duke njohur ligjet mirë, por dhe artin e të folurit, vetëm kështu do të jenë të suksesshëm nesër. Gjuha Shqipe është krenaria jonë, ndaj na takon të gjithëve ta mbrojmë, ta kultivojmë dhe ta pasurojmë atë.

****

Pezullohet dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Hysa: Pezullimi im, tendencioz

Pezullohet nga detyra Dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Bajram Hysa. Urdhri për pezullimin e Dekanit është dhënë nga Rektori i Fakultetit të Mjekësisë, Ali Refatllari, bazuar në rezultatet e auditit brenda institucionit arsimor. Ndërkohë, që prof. Hysa, në një prononcim për “Telegraf”, është shprehur se kishte kërkuar një grup investigimi nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, e cila ende nuk është shprehur. “Do të ishte në nderin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit që t’i tërheqë vëmendjen institucionit të Universitetit të Mjekësisë, sepse u shpreh, ndërkohë që supremi i tij ende nuk ka përfunduar auditimin në fakultet”. Dekani Hysa ka theksuar se nuk ka bërë asnjë shkelje dhe është shprehur i vendosur për të vërtetuar pretendimet e tij. Sipas Hysës, pezullimi i tij është tendencioz për shkak se ka ngritur gjithmonë zërin për formimin e një universiteti për qëllime politike nga qeveria e kaluar dhe vijimin e tij me patericat e politikës së sotme. “Nuk kam bërë asnjë shkelje, do ta ndjek këtë çështje. Ministria e Arsimit nuk ka dhënë ende konkluzione. Vendimi është i jashtëligjshëm, do të ndjek rrugët ligjore. Nuk bëhem pjesë e klaneve të ndryshme”, është shprehur dekani i fakultetit të Mjekësisë. Prof. Hysa shprehet se ka çuar në gjykatë një shkresë për pezullimin e vendimit tendencioz të rektorit të Universitetit Refatllari.