Muzeu etnografik në Elbasan, nevojë urgjente për restaurim

2525
Muzeu etnografik i qytetit të Elbasanit po shkon drejt shkatërrimit total. Çdo ambient i tij është i dëmtuar sepse askush nuk ka vënë dorë në to që prej shumë vitesh. Kjo godinë është klasifikuar si monument kulture i kategorisë së parë dhe detyra për ta rregulluar i takon Institutit të Monumenteve. Fondi i muzeut përbëhet nga 800 objekte të rralla historike dhe rreth 80 punime të rralla zejtarie dhe veshjesh popullore. Pjesa e veriore e mureve të muzeut është amortizuar, gjë që ka sjellë shkatërrimin e mureve ndërsa dritaret janë të shkatërruar komplet. Tavani është gjithashtu i dëmtuar dhe rrezikon të shembet nga momenti në moment. Degradimi i këtij monumenti ka ardhur si pasojë e lagështirës së madhe që ka qenë në ambientet e brendshme të tij. Jashtë muzeut pemët e kanë zënë gati të gjithën njërën anë dhe ana tjetër është e mbushur nga mbeturina të cilat hidhen nga qytetarët dhe vizitorët që kanë qenë aty gjatë muajve të verës. Drejtori i muzeut shprehet tepër i shqetësuar për këtë situatë dhe thotë se çështja ka arritur deri në një pikë që i ka detyruar që për të për të mbrojtur muzeun të përdorin legenë për të pritur shiun sa herë që afron moti i keq. Kjo situatë ka për tu rënduar edhe më shumë me ardhjen e vjeshtës dhe me afrimin e dimrit sepse muret janë në një gjendje që nuk durojnë më. “Po të shohësh jo vetëm në çati por edhe tavanet janë dëmtuara plotësisht, aq sa vende-vende ka edhe shkëputje të dërrasave të cilat janë kalbur si pasojë e lagështirës dhe e shirave. Këto ambiente kanë nevojë për restaurim të përgjithshëm nga specialistë të mirëfilltë”, ka thënë tepër i shqetësuar drejtori Belegu. Gjithashtu ai ka thënë se një pjesë e mirë e pasurisë së muzeut është prishur për shkak të kushteve në të cilat ndodhen dhe lagështirës, ose kanë humbur në mënyrë të pakthyeshme duke u lënë në harresë. Këtë vit muzeu është vizituar edhe nga turistë të huaj të cilët janë shprehur tepër të habitur nga pamjet që kanë parë dhe nga gjendja tepër e mjeruar e mureve dhe tavanit të tij. Ata gjithashtu kanë thënë se nuk kanë ndenjur për një kohë të gjatë në atë vend nga frika se mos ndonjë mur shembej dhe i zinte aty brenda. Por jo vetëm turistët e huaj janë ankuar për këtë muze. Edhe banorët e Elbasanit, por jo vetëm, qytetarë nga e gjithë Shqipëria, bëjnë thirrje për restaurimin e Muzeut Etnografik, sepse ai është një pasuri kombëtare dhe është gjynah që të mbesë i shkatërruar në këtë lloj mënyre.
Sigal