Mushkëritë e shqiptarëve, “katran” nga bloza e 410 mijë makinave dhe mbetjet e 42 mijë bizneseve

517
Përparim HALILI
Alarmi/53 qendra banimi, rekord të mbetjeve dhe çlirimit të helmit teknologjik, urban, industrial e ushqimor të bizneseve legale e ilegale
Është hera e parë, që Inspektorati i Mjedisit, denoncon dhe pranon publikisht, krimin që bëhet prej ndotjes ekstreme ndaj shëndetit dhe jetës së shqiptarëve. Në vend që popullit t’i thuhej hapur “Po vriteni heshturazi dhe hapur, nga helmet që çlirohen e lejohen në mjedis”, iu fol me terma teknikë. U përmendën nivele të ndotjes nga shumë “burime”, u përmendën evidenca vdekjesh prej tyre, u përmendën qytete e zona që janë më të ndotur. Po nuk u përmend asnjë firmë, kompani, linjë prodhimi, shërbimi dhe përpunimi që “prodhon” e shpërndan në ajër e në tokë ndotje helmatisëse, që hedh mbetjet teknologjike apo mbeturinat e biznesit në mjedis të hapur pranë dhe brenda zonave të banuara, në lumenj, përrenj, liqene, bregdet e brenda në det. U publikua edhe një raport monitorimi që kishte bërë agjencia e mjedisit. Por nuk u publikua një raport, që ka hartuar Organizata Botërore e Shëndetësisë, referuar të dhënave që kanë paraqitur me detyrim, njësitë e pushtetit lokal nëpër zonat e ndotura! Gazeta “Telegraf”, ka mundur të sigurojë këtë raport që mbahet sekret me urdhër të “Rilindjes”, jo sepse “ka frikë nga protestat e popullit” apo të shoqërisë civile që është kthyer në “ushtri” e pushteteve, por sepse ka mashtruar Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe Komisionin e Mjedisit pranë këshillit të Evropës, duke i raportuar se gjoja “ka eliminuar dhe minimizuar ndotjen, shkaqet dhe burimet e tyre” në zonat më problematike dhe në qytete-qendrat e 12 prefekturave të vendit! Duke nisur nga sot, gazeta “Telegraf” do të publikojë fakte të rënda nga “kanceri” ndotës, që po vret përditë e gradualisht shqiptarët edhe brenda spitaleve, shkollave, kopshteve, çerdheve të fëmijëve, mjediseve e parqeve publike. Një fakt nga raporti: Burim i ndotjes kancerogjene, në 60% të rasteve janë bizneset super-ndotës, të lejuara nga shteti, 90% e të cilëve janë biznese private të shtetarëve, familjarëve, të afërmve dhe vartësve të tyre e, që për shkak të konfliktit të interesit, nuk zbatojnë as kriteret e BE dhe as ligjet që kanë miratuar vetë, ndërkohë që në BE raporton se ka pastruar ndotjen! Çfarë ndodh?
Fati/410 mijë automjete helmues në qarkullim, nga 1 korriku 2015 duheshin bllokuar
Skandali i “Rilindjes”, qëndron në moszbatimin e ligjit për nxjerrjen jashtë qarkullimit, të 410 mijë automjeteve të cilat qarkullojnë lirisht dhe nxjerrin tym helmues tamam si oxhakët e “Kurum”. Lidhur me këtë ligj, kryeministri ka raportuar në BE, se gjoja e ka zbatuar këtë detyrim të vendosur, por faktikisht nuk është zbatuar, mbasi këto automjete vazhdojnë të jenë në mjediset publike e, madje as janë skeduar se cilat janë konkretisht. Në vitin 2014, mbështetur në faktin që 70% e automjeteve që qarkullojnë në Shqipëri, rezultojnë të jenë prodhim me moshë 10-25 vjeçare e që prodhojnë ndotje gazrash dhe akustike, BE i vuri kusht drejtuesit të “Rilindjes”, të bllokohen e nxirren nga qarkullimi afro 368 mijë automjete në atë kohë, por që tani në vitin 2017 janë shtuar në 410 mijë! Qeveria shqiptare nuk e ka zbatuar ende Direktivën Mjedisore Evropiane në Transportin Publik “2009/40/BE”, por që e ka raportuar sikur e ka zbatuar. Direktiva e BE duhej të kishte nisur zbatimin, në datën 1 korrik 2015, me program në tre faza, për bllokimin e “automjeteve helmues”, shoqëruar me Udhëzimi Nr. 1, datë 04. 03. 2015, me objekt “Mbi disa ndryshime në Manualin mbi kontrollin teknik të mjeteve”, botuar në “Fletore Zyrtare” Nr. 37, më datë 16 Mars 2015. Por nuk ka nisur zbatimin as faza e parë që përfshinte periudhë 1 Korrik-31 Dhjetor 2015, ndërkohë që faza e dytë ishte 1 Janar 2016-30 Qershor 2016 dhe faza e tretë nga 1 Korrik-31 dhjetor 2016! Mos zbatimi i këtij kushti të BE, aktualisht lejon 410 mijë automjete që shpërndajnë blozë në mjediset publike, qendra pune e qendra të banuara! Në vazhdim, gazeta “Telegraf” do të publikoj fakte konkrete nga masakra që u bëhet shqiptarëve nga ndotja me blozën, mbetjet teknologjike, mbeturinat mjekësore që hidhen në mjedis të hapur, furrat e bukës, repartet e prodhimeve prej hekuri, shkrirja e skrapit, kimikatet mbetje nga qendrat estetike, riveshja dhe djegia e gomave, prodhimi gëlqeres, asfalto-betoneve, mbetjet e naftës, të fasonëve, linjave ushqimore, prodhimet e mobilerive dhe gjithçka që nxjerrin qebaptoret, serviset poshtë pallateve e anës trotuareve, lavazhet, klinikat, linjat e prodhimit e të shërbimit, shumë prej të cilëve ushtrojnë aktivitet edhe brenda pallateve të banimit, në oborre spitalesh e shkollash. Po përmendim një fakt, që do ta konkretizojmë në numrat e ardhshëm të “Telegraf”: Në Shqipëri janë 53 qendra banimi dhe 310 vatra kancerogjene, që janë trashëguar nga ish-ekonomia e para vitit 1990 dhe të krijuara prej mbetjeve dhe çlirimit të helmit teknologjik, urban, industrial e ushqimor të 42 mijë bizneseve legale e ilegale.
vijon…
Sigal