Mungesa e transportit për fëmijët në shkolla, Kushi: Nesër takim me kryebashkiakët

233
Sigal

Mungesa e transportit për fëmijët që kanë shkollat larg vendbanimeve është një ndër problematikat që është diskutuar këtë të hënë në seancën plenare.

Në këtë seancë opozita dhe mazhoranca kanë rënë dakord në lidhje me këtë problematikë që po shoqëron një pjesë të madhe të fëmijëve në zona të ndryshme të vendit.

I pari që foli në lidhje me këtë problem ka qenë deputeti demokratik, Kreshnik Çollaku i cili ngriti problematikën se në mungesë të shkollës, 15 fëmijë të fshatit Plani i Bardhë në Mat, detyrohen të udhëtojnë 16 km në drejtim të Klosit për të ndjekur mësimin.

Ndërkohë fjala e tij u pasua nga deputetja demokrate Orjola Pampuri, e cila deklaroi se një situatë e tillë është dhe në disa zona të Tiranës.

Pampuri tha se prej fillimit të sezonit të ri shkollor, 35 fëmijë në zonën Zall Herr në Tiranë kanë mbetur të izoluar dhe nuk shkojnë në shkollë pasi mungon një fugon për transportin e tyre.

Ministrja e Arsimit dhe e Sportit Evis Kushi, u është përgjigjur kërkesës së deputetëve të opozitës dhe ka deklaruar se kjo është një problematikë që po shqyrtohet dhe shumë shpejt do të ketë një përgjigje.

Kushi bëri me dije se nesër në orën 11:00 është planifikuar një mbledhje me gjithë kryebashkiakët e vendit për të diskutuar mbi zgjidhjen e kësaj çështjeje.

“Doja t’i falënderoj deputetët që ngrenë shqetësimin e transportit dhe të pamundësisë që kanë për fat të keq disa nxënës në zona të ndryshme të Shqipërisë, sidomos zona periferike, për të shkuar në shkollë. Edhe për ne është një shqetësim shumë i madh dhe iu siguroj që ne e kemi ndjeshmërinë maksimale dhe po merremi me këtë çështje. Madje nesër në orën 11 ne kemi organizuar një takim me të gjithë kryebashkiakët këtu në Tiranë, ku një ndër pikat që do të trajtojmë është pikërisht transporti i nxënësve”, është shprehur ministrja Kushi.