Mrekullia në maternitet, Manastirliu: Nëna pa disa organe sjell në jetë vajzën shëndosh e mirë

324
Sigal

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojes Sociale, Ogerta Manastirliu, nga materniteti “Mbretëresha Geraldinë”, ku është hapur një pavion i veçantë për nënat e dyshuara apo të prekura nga Covid-19, deklaroi se të gjitha masat e marra në maternitete kanë rezultuar efikase për mbrojtjen e nënave dhe bebeve nga epidemeia e shkaktuar nga SARS COV2. ”Ky pavion i vecantë, i dedikuar për rastet Covid-19, me staf të dedikuar është një ndër masat për përballimin e kësaj situate, edhe në maternitete, ku po bëhet një punë e jashtëzakonshme për sigurinë e nënave dhe të porsalindurve”.

Ministrja e Shëndetësisë ka vizituar edhe një nënë të re, e cila, falë punës së madhe të stafit mjekësor, ka sjellë në jetë shëndosh e mirë vajzën e saj, një prej rasteve të suksesit të rralla edhe në botë. Sipas mjekëve, ky është një rast shumë i rrallë sepse nëna ka mungesë të një pulmoni dhe një veshkë edhe në literaturë, mbi 90% e këtyre rasteve nuk finalizohen me sukses por për fat të mirë çdo gjë ka shkuar mirë për 27-vjeçaren nga perferia e Tiranës dhe foshnjen e saj që gëzon shëndet të plotë. Duke falenderuar mjekët dhe infermierët për punën e palodhur dhe kujdesin ndaj nënave dhe fëmijëve, Manastirliu është shprehur se në maternitetin simbol të Tiranës do të realizohet një investim 6.4 milion euro për dyfishimin e kapaciteteve dhe pajisjen me aparatura të teknologjisë së lartë në këtë maternitet.

Ministrja e Shëndetësisë deklaroi nga materniteti ”Mbretëresha Gerladinë”, se po vijojnë investimet për fuqizimin me aparatura të teknologjisë së lartë për terapitë intensive në të gjithë spitalet për përballimin e situatës së shkaktuar si pasojë e Covid-19 por edhe patologjitë e tjera. Duke theksuar prioritetin për shëndetin e nënës dhe fëmijës dhe mbështetjen e familjeve të reja, Ministrja Manastriliu ka deklaruar se në 6 mujorin e parë të këtij viti ka patur një rritje të lindjeve në maternitete, ku më shumë se 15.700 fëmijë kanë përfituar bonusin e bebes.