MPB, Gjebrea: Subjektet apo kandidatët të distancohen nga përpjekjet për njollosjen e procesit

484
Përmes një deklarate, zv/ministrja e Brendshme Elona Gjebrea tha se polica ka marrë të gjitha masat e parashikuara nga ligji për të garantuar standartet më të larta demokratike për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
“MPB dhe Policia e Shtetit iu bën thirrje të gjitha partive politike dhe kandidatëve që të distancohen nga çdo akt apo përpjekje që synon të njollosë procesin e rregullt zgjedhor dhe të kontribuojnë aktivisht për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme duke lejuar institucionet, ndër to edhe Policinë e Shtetit dhe Prokurorinë, të bëjnë detyrën në mënyrë profesionale dhe të paanshme”, u shpreh Gjebrea.
Gjebrea ftoi kandidatët dhe partitë politike t’i denoncojnë menjëherë në organet e zbatimit të ligjit, Polici ose në Prokurori, çdo incident apo ngjarje.
Sipas Ministrisë së Brendshme, deklaratat politike që bëhet në publik dhe jo pranë organeve të zbatimit të ligjit, synojnë vetëm panik dhe njollosje të procesit zgjedhor, gjë që nuk duhet t’i shërbejë askujt.
“Deklaratat që synojnë baltosjen e punës së Policisë së Shtetit, nuk kontribuojnë aspak për garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, por përkundrazi, vënë në pikëpyetje serioze vullnetin demokratik të vetë deklaruesve për të përmbushur standartet më të larta zgjedhore“, theksoi zv/ministrja.
Çdo njoftim është konsideruar maksimalisht, duke shoqëruar 21 shtetas të dyshuar si të implikuar në ngjarje që lidhen me fushatën, për të cilët materialet janë referuar në Prokurori, nënvizoi Gjebrea.
“Për ngjarjen e ndodhur një natë më parë në Elbasan, Policia ka kryer me profesionalizëm të plotë të gjitha veprimet proceduriale, duke marrë në pyetje personat që janë dhunuar, apo ata që mund të kenë patur dijeni për incidentin.
Policia ka shoqëruar autorin e dyshuar të ngjarjes dhe materialet u referuan në Prokurori për kanosje dhe dhunim ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje.
Për rastin e Vorës, personi i dyshuar për shkaktimin e incidentit, ishte shoqëruar në Polici përpara se të dilte në deklaratë për media z. Lulzim Basha. Gjithashtu, Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri pati sot paradite komunikimim të vazhdueshëm me kandidatin, si dhe përfaqësuesit e Partisë Demokratike në këtë zonë, për t’u garantuar zbatimin rigoroz të ligjit nga çdo strukturë e Policisë së Shtetit.
Por as në këto momente nuk ka një denoncim apo kallëzim të kandidatit të Partisë Demokratike në Polici. Policia e Shtetit e ka ftuar dhe fton sërish kandidatin të bëjë kallëzim.
Në Mallakastër, Policia ka shoqëruar disa persona që udhëtonin me dy automjete për mungesë dokumentacioni dhe pas verifikimit brenda 30 minutash janë të lirë. Drejtori i Policisë së Qarkut Fier ka komunikuar drejtpërdrejtë dje pasdite me Kryetarin e degës lokale të PD, i cili nuk ka ngritur asnjë shqetësim apo pretendim të këtij lloji“, thuhej në reagimin e Ministrisë së Brendshme.
Deklarata e Gjebreas mbyllej me mesazhin, se Ministria nuk ka pritshmëri për rezultatin zgjedhor, por interesi është mos-njollosja e procesit me deklarata politike.
Sigal