Mori 12 mijë euro duke premtuar “mrekulli”, SPAK dërgon në GJKKO dosjen e avokatit Lavdosh Shehu dhe zyrtarit të ministrisë së Drejtësisë

178
Sigal

SPAK ka dërguar për gjykim në GJKKO, dosjen e avokatit Lavdosh Shehu dhe Hamza Tolës, punonjës shërbimi në Ministrinë e Drejtësisë.

Pas hetimeve të kryera, SPAK doli në përfundimin se avokati Lavdosh Shehu u ka premtuar familjarëve të shtetasit F.H se do të arrinte të transferonte këtë të fundit nga shteti italian për të vuajtur dënimin në këtu në Shqipëri. Shehu u ka kërkuar familjarëve të tij 12 mijë euro duke i siguruara se mund ta realizonte këtë me anë të ndikimit të tij në funksionarët e ministrisë së Drejtësisë.

Njoftimi i Plotë nga SPAK:

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, pas përfundimit të hetimeve, ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, procedimin penal nr. 179 të vitit 2021, në ngarkim të të pandehurëve:

Lavdosh Shehu, me profesion avokat, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245/1, paragrafi i dytë dhe neni 25 i Kodit Penal ;

Hamza Tola, punonjës shërbimi në Ministrinë e Drejtësisë, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245/1, paragrafi i dytë dhe neni 25 i Kodit Penal ;

Nga hetimet rezultoi e provuar se shtetasi Lavdosh Shehu, i ka kërkuar familjes së shtetasit F.H., një shumë prej 12 000 (dymbëdhjetë mijë) euro, duke premtuar dhe siguruar se ka aftësinë për të ushtruar ndikim në funksionarë të Ministrisë së Drejtësisë, për kryerjen e transferimit të shtetasit F.H. nga shteti Italian, për të vuajtur dënimin në Shqipëri. Këtë ndikim në funksionarët e Ministrisë së Drejtësisë, shtetasi Lavdosh Shehu, do ta realizonte në bashkëpunim me shtetasin Hamza Tola, punonjës shërbimi në këtë Ministri. Në vijim, shtetasi Lavdosh Shehu, ka arritur të marrë nga familjarët e të dënuarit F.H. vetëm një shumë prej 5 000 (pesë mijë) euro.

Hetimet e kësaj ngjarje, janë bërë e mundur, falë edhe ndihmës të dhënë nga emisioni investigativ televiz “Stop” i Tv Klan.