Monitorimi i BE i jep “shuplakë” Këshillit Kombëtar të Integrimit, ndikim nga politika

454
Sigal

Këshilli Kombëtar i Integrimit, drejtuar nga përfaqësuesja e opozitës, Majlinda Bregu, funksionon gati njësoj si një Komision Parlamentar, pa arritur të garantojë gjithpërfshirjen e aktorëve dhe të përmbushë misionin për të cilin është krijuar. Pas monitorimit të funksionimit të këtij Këshilli për një periudhë 1 vjeçare, nga Forumi i Politikave të Integrimit (EUPH), krijuar nga Delegacioni Europian dhe financuar nga Fondacioni Soros rezulton, sipas raportit të siguruar nga, se ky organ i rëndësishëm ka devijuar vazhdimisht nga axhenda dhe kalendari i punës ç’ka ka ndikuar në performancën e institucionit. Kjo është një “shuplakë” e fortë që Këshillit Kombëtar të Integrimit i vjen në një periudhë kur sapo u bë publik rekomandimi i Komisionit Europian për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.


Situata
“Në prani të një klime konfrontuese politike të vazhdueshme dhe debateve të polarizuara parlamentare, krijimi i KKIE-së u perceptua si një perspektivë për të kapërcyer retorikën politike dhe për të nxitur përfshirjen e aktorëve kyç në axhendën kombëtare të të gjithë reformave të BE-së. Me gjithë potencialin e tij për të luajtur në mënyrë efektive një rol strategjik dhe për të rritur politikisht procesin, deri më tani KKIE nuk ka arritur të ketë sukses në arritjen e synimeve të tij”, – thuhet në monitorimin që ka realizuar EU Policy Hub.
Në raportin e përgatitur theksohet gjithashtu se “takimet janë karakterizuar nga ndërhyrjet politike dhe akuza të ndërsjella herë pas here, në vend që të sinkronizoheshin pozicionet dhe të kontribuohej cilësisht në procesin e integrimit në BE, që konsiderohet si një prioritet i përbashkët kombëtar. Gjatë vitit të parë në funksionim, KKIE as nuk ka miratuar ndonjë akt jo-detyrues dhe as nuk është angazhuar në mënyrë të përshtatshme në debatin e reformës gjyqësore. Edhe pse është i identifikueshëm një model i përbashkët ndërmjet anëtarëve të KKIE-së lidhur me vullnetin për të mbështetur reformën, debate esenciale apo rekomandime që rrjedhin nga konsensusi nuk janë pranuar. I motivuar nga ndjeshmëria e çështjes dhe lufta politike e vazhdueshme, KKIE ka shmangur marrjen e një qëndrimi zyrtar deri në ditët e fundit para diskutimit të projekt-reformës në Parlament”, – theksohet në raportin e monitorimit.