Mjerimi ka trokitur në Çorovodë

605
Sigal

Çorovoda është vendosur midis dy lumenjve. Rrallë ndodh që dy lumenjtë, pasi kanë ecur me kilometra të tërë të vetmuar mes malesh të lartë, të bashkohen në fund të këmbëve të Çorovodës dhe të dy “miqtë” e vjetër nisin rrugën e përbashkët drejt detit, duke lënë pas Çorovodën e maleve, por edhe të halleve. Në të dy anët varen rrëpira valë-valë, ndërsa shkëmbinjtë e thepisur lotojnë ujë. Degët e lisave, ngarkuar me hardhi, përbëjnë dekorin e saj, ndërsa rrapet shekullore me ujin e ftohtë të Varishtit dhe të Guhakut i freskojnë njerëzit e këtij qyteti për të harruar të nxehtin e këtij qershori. Përpara qytetit qëndron kalaja, një mrekulli e vërtetë, një monument i pashpallur i natyrës së Skraparit. Malet e kodrat zbresin butë-butë drejt Çorovodës së qetë. Një mysafir që vjen për herë të parë në këtë qytet magjepset nga bukurit e këtij qyteti, që ja ka falur natyra. Dikur Çorovoda ishte një vend i preferuar. Sëra e lartë e qytetarisë vinte këtu për të thithur ajrin e pastër të maleve apo për të pirë një gotë ujë të ftohtë që të shton oreksin. Pa përmendur këtu rakinë dhe rehaninë, pije karakteristike skraparase. Por gjithë historia e saj duket se ka vlera deri në vitin 1990.

Heshtje që flet

Çorovoda, duke freskuar këmbët në ujërat e Osumit dhe duke mbështetur kokën në supin e maleve, duket se ka rënë në gjendje kome. Dikur qyteti i punës dhe i krenarisë, sot hesht. Është një heshtje e dhimbshme që e thyejnë vetëm thashethemet e kafeneve, kafeja dhe gota e rakisë janë e vetmja mënyrë për të ngrysur ditët. Kur Çorovoda kishte 10 mijë banorë, në zyrën e punës nuk regjistrohej as dhe një i papunë, ndërsa sot që s’kanë mbetur pesë mijë banorë, numërohen tre mijë të papunë, dhe ky numër shtohet përditë si rezultat i reformave që po kryhen, pa karakter dhe me motive politike në të gjitha sferat. Mësohet se, 60 për qind e këtyre banorëve të qytetit jetojnë me një lëmoshë që ju jep shteti atë të përkrahjes sociale. Kjo është një marrëzi e Qeverisë, e cila prej vitesh ka lënë këtë krahinë në mëshirë të fatit. Ish-ndërmarrjet kanë mbetur si relike, e kohës. Banorët e qytetit të Çorovodës të gënjyer nga të gjithë s’kanë se ku të qajnë hallet dhe prandaj shpesh herë i shikon të flasin me vete… Të vjen keq për këta njerëz që janë tretur një jetë të tërë si hekurishtet e makinave në themelet, dikur të ngritura me gjakun dhe djersën e tyre. Për këta njerëz, që thithin “helmin e kohës”, ëndrra për pak jetë më të mirë mbetet vetëm një vegim. Demokracia për ta është ëndërr, kurse braktisja dhe absurditeti mbeten çështje të ditës në bisedat e tyre.

Kohët e vështira

Përshëndesim disa herë në ditë njerëzit e këtij qyteti, herë-herë ata kalonin pa vëmendje dhe kjo ka një shpjegim: Të tërë pa punë dhe i papuni i këtij qyteti shëtit si te Migjeni. “Ndalet para një lokali…Mendohet…Nuk guxon…” dhe ky është pjesëtar i armatës së tre mijë të papunëve që bën “homazhe” dyqaneve plot e përplot. Më tej Migjenin e gjen dhe në sytë e fëmijëve, të zbathur pa bukë, po të krahasojnë fëmijët e pushtetarëve, të cilët janë me varëse floriri. Skraparlliut i hanë duart për punë. Ai nuk pranon lëmoshë dhe Çorovoda mbetet e pastër nga dinjiteti. Ata flasin me zë të lartë njëri me tjetrin pa radhë, kush e kush të tregojë hallet, mungesën e shumta në shtëpi, luftën e përditshme për mbijetesën. Ka shumë lodhje në fytyrat e tyre, por ka dhe shumë vendosmëri për të shprehur atë që ndiejnë. Fukarallëku duket se, është ulur këmbëkryq në Çorovodën e bukur dhe të freskët, fshehur pas maleve të larta, aq pas, sa politika nuk e sheh dot, ose e sheh, por bën sikur s’e sheh këtë perlë mes malesh dhe hallesh