Mjeku publikon të dhëna tronditëse: Për 3 muaj 1300 të vdekur më tepër, koronavirusi nuk luftohet me propagandë

337
Sigal

Mjeku Erion Dasho ka pasqyruar me një tabelë dhe duke iu referuar të dhënave, sipas tij, në tremujorin e tretë të këtij viti në Shqipëri, pra korrik-gusht-shtator, ka 1 mijë e 300 vdekje më shumë se në tre vitet e kaluara.

Ai thotë se vdekjet lidhen me Covid, por shifrat fshihen nga qeveria.

“E sigurt është se nuk janë 322 vdekje aq sa tregon propaganda qeveritare, por shumë më tepër se kaq. Vdekshmëria nga COVID-19 nuk është 208 për 1 milion, por vlerësohet të paktën 2 ose 3 herë më e lartë se kaq!”, – tha Erion Dasho.

Reagimi i plotë i mjekut Erion Dasho

SËRISH PËR VDEKSHMËRINË NGA COVID-19

Një krahasim i vdekshmërisë gjatë vitit 2020 me atë të viteve paraardhëse tregon qartë se “diçka” ka ndodhur tremujorin e tretë të vitit 2020. Në një situatë pothuajse të stabilizuar të vdekshmërisë në vite dhe në një grafik pothuajse uniform, papritur ka një “kërcim” në tremujorin e tretë të vitit 2020.

Kjo rritje prej gati 1,300 raste nga mesatarja e tre viteve të shkuara nuk mund të shpjegohet me rastësinë. Dhe duke qenë se nuk kemi aktualisht ndonjë “epidemi” infarkti apo aksidentesh, indiciet janë se pjesa më e madhe e 1,300 vdekjeve ekstra lidhen me COVID-19.

E sigurt është se nuk janë 322 vdekje aq sa tregon propaganda qeveritare, por shumë më tepër se kaq. Vdekshmëria nga COVID-19 nuk është 208 për 1 milion, por vlerësohet të paktën 2 ose 3 herë më e lartë se kaq! Shqipëria nuk është vendi me vdekshmërinë më të ulët nga COVID-i në rajon, por ka gjasa të jetë një nga vendet me vdekshmërinë më të lartë nga COVID-i në botë!

COVID-19 nuk shërohet me propagandë por me masa të efektshme, të bazuara mbi evidenca!

Koha për veprim është tani!