Mjeku francez trajton 2,400 pacientë me ilaçin anti-malarian dhe kthehet në “hero”. Ekspertët thonë se…

381
Sigal

Një mjek francez ekscentrik është bërë një sensacion në “Youtube” dhe është takuar me Presidentin francez për këshilla, pasi pretendon se ka marrë rezultate mahnitëse duke përdorur trajtimin e preferuar të Trump për koronavirusin.

Bëhet fjalë për Didier Raoult, specialist francez i sëmundjeve infektive, 68 vjeç, ka përdorur ilaçin e diskutueshëm antimalarial hydroxycholoroquine për të trajtuar pacientët me COVID-19.

Raoult ka një histori sfiduese ndaj praktikave të mjekësisë konvencionale, duke përfshirë fajësimin e industrisë farmaceutike për gjendjen e kërkimeve, duke i hedhur poshtë parashikimet e ndryshimit të klimës si “absurde” dhe, akoma më shumë e habitshme, duke e quajtur frikën në rritje në ditët e pandemisë koronavirus si “të çmendur”.

Por Raoult tani është bërë një hero, pasi tha se ia ka dhënë ilaçin eksperimental më shumë se 2,400 pacientëve, me rezultate mjaft pozitive.

Qëndrimi i tij ka ndarë opinionet në Francë dhe jashtë saj, pasi shumë mjekë konservatorë paralajmëruan për rreziqet e përdorimit të ilaçit për trajtimin e virusit – që zakonisht përdoret për të trajtuar malarien dhe disa sëmundje autoimune – për shkak të mungesës së provave mbi efektivitetin e tij.

Por në publik e shikojnë atë si një hero në pandeminë, me secilën nga videot e tij në “Youtube”, që ka marrë të paktën një milion shikime dhe njerëzit që u kërkojnë tashmë mjekëve të tyre të lejojnë që ata të provojnë ilaçin.

Raoult nuk është mjek i zakonshëm, me një stil aspak klasik paraqitjeje. Ai mban një mjekër të gjatë të bardhë dhe një unazë kafkë në gisht, që duket qartë në videot e tij në internet dhe njihet për sfidimin e mjekësisë konvencionale gjatë gjithë karrierës së tij.

Mjeku ka folur në “Twitter” dhe “Youtube”, duke u bërë thirrje profesionistëve të kujdesit shëndetësor dhe qeverive që të mos vonojnë përdorimin e hydroxycholoroquine e të mos presin deri pas provave klinike.

Testet mund të zgjasin disa muaj dhe mijëra jetë të tjera mund të humben nga virusi vrasës. “Disa njerëz janë çmendur me metodologjinë”, argumenton Raoult në një video të postuar këtë javë.

“Qëllimi ynë si mjekë është t’i bëjmë njerëzit më mirë”.
Emmanuel Macron u takua me Raoult këtë javë në institutin e tij kërkimor në Marsejë, ku mjeku prezantoi kërkimet e tij mbi koronavirusin te Presidenti francez.

Autoritetet franceze tani kanë lejuar që ilaçi të përdoret në “rastet më të rënda”. Sidoqoftë, qasja e Raoult ka rënë në sy nga shumë njerëz në botën mjekësore.

Disa ekspertë kanë argumentuar se nevojiten prova të mëtejshme klinike për të përcaktuar efektivitetin e ilaçit në trajtimin e koronavirusit.

Janë ngritur shqetësime gjithashtu se mund të ketë efekte anësore fatale, veçanërisht te njerëzit me probleme paraekzistuese zemre.

Më shumë se 50 raste janë raportuar ku pacientët me koronavirus kanë zhvilluar probleme serioze në zemër pas marrjes së hidroksilklorinës, sipas një mjeku në qendrën e monitorimit të sigurisë së ilaçeve në Francë.

Raoult tha se 10 nga 2,400 pacientët që ai ka trajtuar duke përdorur ilaçin kanë vdekur dhe rekomandon që të administrohet në një fazë të hershme të virusit.

Jean-Paul Stahl, një mjek francez i sëmundjeve infektive, i tha “Wall Street Journal” se ai po i largonte pacientët pasi kishin parë fushatën e Raoult dhe tani po kërkojnë ilaçin.
“Ne duhet të themi jo”, tha Stahl. “Është çështje e sigurisë së pacientit”.

Ilaçi i diskutueshëm është i preferuar nga Donald Trump, i cili e ka quajtur si “ndryshues loje” në luftën me koronavirus.
Gjatë konferencave të tij të përditshme për koronavirusin, Presidenti amerikan ka përsëritur vazhdimisht përdorimin e hydroxycholoroquine si një kurë mrekullie për virusin vdekjeprurës.