Miratohet raporti për SHISH Evidentohen shkelje me përgjimet

543
Sigal

TIRANE- Pas një mbledhje që zgjati rreth një orë, Komisioni parlamentar i Sigurisë, vetëm me votat e mazhorancës, miratoi raportin e grupit të kontrollit në SHISH. Ajo që është konstatuar sipas burimeve brenda mbledhjes me dyer të mbyllura është se anëtarët Pjerin Ndreu, Xhemal Qefalia dhe Pirro Lutaj kanë konstatuar shkelje, pas hetimit të dokumentacionit dalë nga zyrat e SHISH dhe të firmosura nga Visho Ajazi.
 
Nga ana tjetër, në raportin e deputetëve nuk kërkohet shkarkimi i kreut të Agjencisë së Informacionit.
 
Raporti prej 30 faqesh evidenton shkelje të Visho Ajazi Likës, përsa i përket përgjimeve të institucioneve, duke tejkaluar kompetencat. Po ashtu, SHISH nuk ka informuar qëllimisht strukturat e tjera shtetërore për ngjarjet kriminale, që kulmuan me shpërthimet me tritol. Shërbimi akuzohet po ashtu për rrjedhje informacionesh sekrete si dhe emërime të paligjshme brenda stafit. Raporti pritet t’i kalojë për miratim seancës plenare të nesërme dhe më pas kryeministrit, i cili ka kompetencën për të propozuar shkarkimin e kryetarit të shërbimit sekret, shkarkim që kërkon miratimin e Presidentit të Republikës Bujar Nishani.
 
Më 23 prill 3 deputetët u mandatuan për të verifikuar ligjshmërinë e shkresës sekrete dërguar nga qendra e SHISH drejt periferisë së saj tek drejtorët e rretheve të SHISH në prefektura.
 
Në dokument u kërkohej drejtorëve të SHISH që të jepnin informacione mbi personat e implikuar në veprimtari antiligjore, të cilët ishin emëruar në pozicione drejtuese në Policinë e shtetit. Shkresa në fjalë ishte dërguar në dhjetor të vitit të shkuar.
 
Reagimi i deputetëve erdhi në maj të këtij viti, teksa u vendos që ata të nisin punën në zyrat e Shërbimit Informativ.