AP: Ja problematikat dhe sugjerimet tona për zgjidhjen e strehimit

691
Sigal

Avokati i Popullit /Draft-Raporti i Veçantë mbi gjendjen e strehimit në Shqipëri

Institucioni i Avokatit të Popullit, një nga institucionet më prestigjioze dhe të pavarura në vend ka bërë publike Draft-Raportin e Veçantë mbi situatën dhe problematikat e strehimit në Shqipëri. Të ftuar në tryezën e diskutimit ishin përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët ndanë mendimet dhe opinionet e tyre mbi çështjen e strehimit. Pasi të mblidhen gjithë opinionet dhe sugjerimet e shoqërisë civile, Raporti i Veçantë do t’i dorëzohet për shqyrtim Kuvendit të Shqipërisë.

 Problematikat e evidentura nga ankesat

Institucioni i Avokatit të Popullit ka trajtuar 183 ankesa gjithsej, për vitin 2013, lidhur me strehimin. Problematikat kryesore të evidentuara lidhen me: mos dhënien e informacionit individëve për aktet apo dokumentat që duhen dorëzuar; zvarritje të procedurave të shqyrtimit të dosjeve përkatëse; mungesë transparence gjatë procedurave të përcaktimit të kritereve për përzgjedhjen si dhe mungesë transparence të vendimmarrjes e cila kalon për miratim në organet kolegjiale të njësive të qeverisjes vendore.

Nga informacionet e kërkuara nga Bashkitë lidhur me: numrin e aplikantëve që kërkojnë trajtimin me banesa sociale; numrin konkret të personave që kanë përfituar trajtimin me banesa sociale duke përfshirë, banesat me kosto të ulët dhe banesat sociale me qira;

fondet e alokuara lidhur me objektivën sociale të strehimit dhe përqindjen e buxhetit që përdoret për ndërtimin e banesave sociale, avokati i Popullit ka dalë në konkluzionin se:

Numri i përgjithshëm i individëve që gëzojnë statusin e “të pastrehit” është i madh krahasimisht me ata që kanë përfituar një shërbim të tillë. Vetëm 13 % është numri i përfituesve fatlumë, ndërsa ngelet në 87 % numri i të pastrehëve për 42 bashki.

-Vetëm për 7 bashki sikundër janë Bashkia Fier, Durrës, Berat, Elbasan, Korçë, Bilisht, Vlorë rezulton se ka patur fonde të akorduara, pjesë e bashkë-financimit në projektin “Ndërtimi i banesave sociale me qira” me Bankën për Zhvillim të Këshillit të Europës CEB,

-Për 35 Bashki prej vitesh ka mungesa të theksuara në fonde dhe është e pamundur ndërtimi i banesave sociale.

-Individët e pastrehë janë trajtuar kryesisht me banesa me kosto të ulët.

-Numri i personave që kanë përfituar nga dhënia e kredive të subvencionuar nga Shteti me përqindje të ulët (3%) është i pakët.

Alternativat e ofruara të strehimit

-Në pothuajse shumicën e Bashkive, buxheti i alokuar për ndërtimin e banesave sociale është zero.

-Në disa bashki, të pastrehët nuk janë trajtuar as me banesa sociale me qira pasi nuk ka në dispozicion të tilla. (si psh Bashkitë e Krujës, Krumës, Pogradecit, Ballsh, Orikum, Patos, Çorovodë, Ura Vajgurore, Vau i Dejës, Fushë Arrës, Roskovec, Vorë, Librazhd, Gjirokastër, Libohovë, Gramsh, Selenicë, Sukth, Kamëz, Burrel, Kurbin, Bajram Curri)

Trajtimi me banesa të Enti Kombëtar te Banesave i papërfillshëm

 

Vend-strehimet një zgjidhje alternative për zbutjen e problemit të strehimit

Rekomandimi i AP-së drejtuar Njësive të Qeverisjes Vendore: …Përgatitjen e vend-strehimeve apo vend-qëndrimeve provizore për grupe të tilla në nevojë emergjente si: persona endacakë apo të pastrehë dhe pjesëtarë të komunitetit Rom dhe këdo tjetër që kërkon ndihmën nga organet e pushtetit vendor me qëllim parandalimin e situatave që mund të rrezikojnë jetën apo shëndetin e tyre…

Akti Normativ për lirimin e banesave të pronarëve

-Institucioni i Avokatit të Popullit ka qenë kundër Aktit Normativ Nr. 3 datë 01.08.2012, “Për lirimin e banesave pronarëve të ligjshëm nga qytetarët e pastrehë, banues në banesat ish-pronë e subjekteve të shpronësuara”. AP me shkresën Nr.249 datë 11.09.2012, drejtuar Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Kryetarëve të të gjithë grupeve parlamentare si dhe Deputetëve të pavarur, ka kërkuar mosmiratimin e këtij akti, si akt që sjell pasoja serioze për subjektet të cilës i drejtohej.

-Akti Normativ i Këshillit të Ministrave Nr.3 datë 01.08.2012, parashikon edhe mënyrën e trajtimit me strehim te këtij grupi, konkretisht:

1. Kreditim nga ana e Bankës Kombëtare Tregtare, në kushtet deri në 30 vjet, me 0% interes.

2. Trajtim me strehim në banesa sociale nga këshillat bashkiakë

3. Për persona të moshuar, të paaftë të kujdesen dhe pa persona të tjerë në ngarkim, kur nuk dëshirojnë me deklarim me shkrim, sistemim me qira apo, sipas verifikimit të kryer, janë të paaftë të kujdesen për vete, bëhet sistemimi me strehimin e tyre në qendrat e përkujdesjes për moshat e treta.

 

Problematikat e Aktit Normativ

Nga ankesat e paraqitura pranë Institucionit të Avokatit të Popullit, janë evidentuar:

-Mos akordimi i kredisë me 0% interes për një pjesë e mirë te këtyre familjeve ish qiramarrëse.

-Mospërfitimin nga trajtimi me banesë sociale

-Mungesa e fondeve të njësive të pushtetit vendor për përballimin e zbatimit te Aktit Normativ Nr. 3.

Familjet e prekura nga Akti Normativ, kanë në përbërje të tyre persona me aftësi të kufizuar, të papunë, mosha e tretë, ish të dënuar politikë, me te ardhura minimale, etj

Sipas Avokatit të Popullit nxjerrja e Aktit Normativ ishte i pastudiuar, duke vlerësuar se dy janë zgjidhjet që, duhet t’u ofrohen individëve:

-Kreditimi me interes 0 %, me shumën përkatëse të të hollave për përfitimin e një banese në tregun e lire, direkt nga ana e shtetit në favor të tyre.

-Alokimi sa më i shpejtë i fondeve për ndërtimin e banesave sociale

AP sugjeron se kjo situate emergjente kërkon një rregullim legjislativ dhe veprime te koordinuara te pushtetit qendror me atë vendor.

box

Rekomandimet e AP-së

1. Institucionet përgjegjëse duhet të rishikojnë politikat e shpërndarjes së fondeve për njësitë e qeverisjes vendore në rang vendi, duke e bërë pjesë të Reformës Territoriale Administrative për mirëadministrimin e fondeve dhe shërbimeve.

2. Njësitë e Qeverisjes Vendore duhet të garantojnë respektimin e statusit të të pastrehit sipas legjislacionit në fuqi dhe të shmangin zvarritjet në menaxhimin e dokumentacioneve.

3. Njësitë e Qeverisjes Vendore duhet të risin transparencën gjatë procedurave të përcaktimit të kritereve dhe atyre të vendimmarrjes.

4. Njësitë e qeverisjes vendore duhet të respektojnë ligjet ëe fuqi dhe kompetencat e institucioneve kushtetuese si AP për t’u përgjigjur dhe dhënë informacionin e duhur.

5. Nga institucionet përgjegjëse duhet të sigurohet trajtimi me prioritetet i rasteve të veçanta dhe grupeve vulnerabile, veçanërisht për Personat me Aftësi të Kufizuar, Romët etj..

6. Në zbatim të rekomandimit të Institucionit të Avokatit të Popullit, të ndërmerren studime lidhur me efektet e zbatimit të Aktit Normativ Nr.3 datë 01.08.2012, “Për lirimin e banesave të ish pronarëve”, duke qenë se ka sjellë pasoja direkte në rritjen e numrit të të pastrehëve.

7. Rekomandojmë Ministritë e linjës të ushtrojnë iniciativën legjislative, për ndryshimin dhe përmirësimin e bazës ligjore, me qëllim mundësimin e trajtimit me strehim në një kohë sa më të shpejtë të mundshme, të individëve, apo familjeve qiramarrëse, banues në banesat ish pronë e subjekteve të shpronësuara.

8. Nga Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit dhe Ministri i Shtetit për Çështjet vendore, të mbahen parasysh politikat e strehimit dhe efektet financiare që mund të sjellë procesi i reformës së re territorial.

9. Rekomandojmë institucionet e Qeverisjes Qendrore dhe Vendore të merren masa për rivënien në përdorim apo mirëfunksionimin e vend-strehimeve provizore si një alternativë e strehimit për grupet në nevojë

Kuadri ligjor dhe politikat aktuale të strehimit

-Në Kushtetutën Republikës së Shqipërisë, neni 59: “Shteti brenda kompetencave kushtetuese dhe mjeteve që disponon, si dhe në plotësim të nismës dhe të përgjegjësisë private, synon plotësimin e nevojave të shtetasve për strehim”.

-Aktet ndërkombëtare të ratifikuara nga vendi ynë:

Karta Sociale Europiane, (neni 31) “Palët angazhohen në marrjen e masave që synojnë nxitjen e aksesit në strehim të një standardi të mjaftueshëm, parandalimin dhe uljen e numrit të të pastrehëve me synim eliminimin e tij gradual dhe vendosjen e çmimit të arritshëm nga ata pa burime të mjaftueshme.“

Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Ekonomike, Shoqërore dhe Kulturore, (neni 11): “Shtetet palë të këtij Pakti njohin të drejtën e secilit për një standard adekuat të jetesës për vete dhe për familjen e tij, duke përfshirë ushqimin, veshjen dhe strehimin adekuat si dhe përmirësimin e vazhdueshëm të kushteve të jetesës”.

-Ligji Nr.9232 datë 13.05.2004, “Për programet sociale për strehimin e banorëve të zonave urbane”, i ndryshuar me Ligjin Nr. 9719, datë 23.04.2007, i cili përbën bazën dhe jep përkufizimet e termave lidhur me format e aplikimit dhe kategoritë që përfitojnë dhe trajtohen me banesa sociale, si dhe një sërë VKM-sh.