Miratohet fondi i radhës për rindërtimin, rreth 5 miliardë lekë do të ndahen në Bashkitë Durrës, Tiranë, Lezhë, Krujë dhe Kavajë

471
Sigal

Këshilli i Ministrave ka miratuar sot fondin rreth 5 miliardë lekë për rindërtimin në Bashkitë Durrës, Tiranë, Lezhë, Krujë dhe Kavajë.

Bëhet fjalë për ndërtesat të cilat “janë klasifikuar si objekte të dëmtuara rëndë apo të dëmtuara lehtë, si pasojë e fatkeqësisë natyrore, dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para dhe rikonstruksionit ose riparimit të mjediseve në bashkëpronësi ose të përbashkëta në ndërtesa (pallat)”

Bashkisë Durrës do t’i transferohen rreth 3.2 miliardë lekë, të cilat do të përdoren për rindërtimin e pallateve dhe njësive individuale. Ndërkohë Bashkia Tiranë do të përfitojë rreth 703 milion lekë. Në Bashkinë e Lezhës do të kalojnë rreth 250 milion lekë, në Krujë rreth 660 milion lekë ndërsa në Kavajë rreth 19 milion lekë.

Vendimi hyn menjëherë në fuqi dhe botohet në Fletoren Zyrtare.

V E N D I M PËR PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT, MIRATUAR NË BUXHETIN E VITIT 2020, PËR FINANCIMIN E RIKONSTRUKSIONIT OSE TË RIPARIMIT TË BANESAVE INDIVIDUALE, TË NJËSIVE TË BANIMIT NË NDËRTESA (PALLAT) SI DHE MJEDISEVE NË BASHKËPRONËSI OSE TË PËRBASHKËTA NË NDËRTESA (PALLAT), NË BASHKITË DURRËS, TIRANË, LEZHË, KRUJË DHE KAVAJË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, 25 e 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, miratuar në buxhetin e vitit 2020, në masën 4 852 410 743 (katër miliardë e tetëqind e pesëdhjetë e dy milionë e katërqind e dhjetë mijë e shtatëqind e dyzet e tre) lekë, për financimin e rikonstruksionit ose të riparimit të banesave individuale dhe të njësive të banimit në ndërtesa (pallat), për ata individë të cilët përfitojnë nga grantet e rikonstruksionit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte të dëmtuara rëndë apo të dëmtuara lehtë, si pasojë e fatkeqësisë natyrore, dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para, dhe rikonstruksionit ose riparimit të mjediseve në bashkëpronësi ose të përbashkëta në ndërtesa (pallat), në bashkitë Durrës, Tiranë, Lezhë, Krujë dhe Kavajë.

2. Efekti financiar, sipas pikës 1, të këtij vendimi, përballohet nga shpenzimet buxhetore të fondit të rindërtimit, miratuar në buxhetin e shtetit për vitin 2020, sipas detajimit të mëposhtëm:

a) Bashkisë Durrës i transferohet fondi prej 3 220 790 743 (tre miliardë e dyqind e njëzet milionë e shtatëqind e nëntëdhjetë mijë e shtatëqind e dyzet e tre) lekësh për:

i. financimin e rikonstruksionit të banesave individuale dhe të njësive të banimit në ndërtesa (pallat), për ata individë të cilët përfitojnë nga grantet e rikonstruksionit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte të dëmtuara rëndë apo të dëmtuara lehtë si pasojë e fatkeqësisë natyrore, dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para, në masën 2 140 100 000 (dy miliardë e njëqind e dyzet milionë e njëqind mijë) lekë;
ii. financimin për rikonstruksion ose riparimin e mjediseve në bashkëpronësi ose të përbashkëta në ndërtesa (pallat), në masën 1 080 690 743 (një miliard e tetëdhjetë milionë e gjashtëqind e nëntëdhjetë mijë e shtatëqind e dyzet e tre) lekë.

b) Bashkisë Tiranë i transferohet fondi prej 703 220 000 (shtatëqind e tre milionë e dyqind e njëzet mijë) lekësh për:

i. financimin e rikonstruksionit të banesave individuale dhe të njësive të banimit në ndërtesa (pallat), për ata individë të cilët përfitojnë nga grantet e rikonstruksionit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte të dëmtuara rëndë apo të dëmtuara lehtë, si pasojë e fatkeqësisë natyrore, dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para, në masën 559 370 000 (pesëqind e pesëdhjetë e nëntë milionë e treqind e shtatëdhjetë mijë) lekë;
ii. financimin për rikonstruksion ose riparimin e mjediseve në bashkëpronësi ose të përbashkëta në ndërtesa (pallat) në masën 143 850 000 (njëqind e dyzet e tre milionë e tetëqind e pesëdhjetë mijë) lekë.

c) Bashkisë Lezhë i transferohet fondi prej 249 450 000 (dyqind e dyzet e nëntë milionë e katërqind e pesëdhjetë mijë) lekësh, për financimin e rikonstruksionit të banesave individuale dhe të njësive të banimit në ndërtesa (pallat), për ata individë të cilët përfitojnë nga grantet e rikonstruksionit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte të dëmtuara rëndë apo të dëmtuara lehtë, si pasojë e fatkeqësisë natyrore, dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para.

ç) Bashkisë Krujë i transferohet fondi prej 660 700 000 (gjashtëqind e gjashtëdhjetë milionë e shtatëqind mijë) lekësh, për financimin e rikonstruksionit të banesave individuale dhe të njësive të banimit në ndërtesa (pallat), për ata individë të cilët përfitojnë nga grantet e rikonstruksionit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte të dëmtuara rëndë apo të dëmtuara lehtë, si pasojë e fatkeqësisë natyrore, dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para.

d) Bashkisë Kavajë i transferohet fondi prej 18 250 000 (tetëmbëdhjetë milionë e dyqind e pesëdhjetë mijë) lekësh, për financimin e rikonstruksionit të banesave individuale dhe të njësive të banimit në ndërtesa (pallat), për ata individë të cilët përfitojnë nga grantet e rikonstruksionit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte të dëmtuara rëndë apo të dëmtuara lehtë, si pasojë e fatkeqësisë natyrore, dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para.

3. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe bashkitë Durrës, Tiranë, Lezhë, Krujë dhe Kavajë për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

Më herët ndërkohë është miratuar fondi për rindërtimin në Kamëz, Vorë, Mirditë dhe Rrogozhinë. Tërmeti i 26 nëntorit i mori jetën 51 personave. Gjithashtu u dëmtuan qindra shtëpi, duke lënë pa strehë mbi kokë mijëra shqiptarë. Durrësi, Tirana, Laçi dhe Fushë-Kruja ishin zonat më të dëmtuara.