Miratohet amnistia e fundvitit, 1.000 të dënuar drejt lirimit nga burgu

552
Sigal

Këshilli i Ministrave ka miratuar në
mbledhjen e sotme amnistinë e propozuar nga Ministria e Drejtësisë.

Nga kjo
amnisti përfitojnë rreth 1000 persona, të cilët do të dalin nga burgu dhe rreth
3000 të tjerë përfitojnë ulje dënimi.

Pak ditë më
parë ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, prezantoi draftin për amnistinë, i
cili pritet të miratohet në seancën  parlamentare.

Nga amnistia
do të përfitojnë personat e dënuar vendim gjyqësor të formës së prerë, me
burgim deri në 2 vjet për dënime të dhëna deri në datën 31 dhjetor 2016,
pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi. Po ashtu, do të lirohen nga qelitë
edhe personat e dënuar me burgim, të cilëve, deri në datën e hyrjes në fuqi të
këtij ligji u kanë mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 2 vjet. Tjetër
kategori përfituesish janë personat e dënuar femra që në datën e hyrjes në fuqi
të këtij ligji janë baras ose mbi moshën 55 vjeç.

Nga amnistia
preken edhe personat e dënuar meshkuj, që në datën e hyrjes në fuqi të këtij
ligji janë baras ose mbi moshën 60 vjeç. Projektligji parashikon edhe
amnistimin e personave të dënuar me burgim, të cilët në kohën e kryerjes së
veprës penale kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç, me përjashtim të atyre të
dënuar për një kategori të përcaktuar veprash të rënda penale. Amnistohen të
dënuarit me dëmtime të përhershme fizike, apo të diagnostikuar me sëmundje të
rënda të pashërueshme.

ULJET E
DENIMIT

“Të gjithë
personat e dënuar, të cilët nuk përfitojnë nga parashikimi i nenit 3 të këtij
ligji, pavarësisht kritereve ndaluese të nenit 4, u zbritet:

a) 2 vjet nga
dënimi i dhënë të gjithë personave të dënuar gra apo personave që në kohën
kryerjes së veprës penale kanë qenë të mitur;

b) 2 vjet
personave, të dënuarve me dëmtime të përhershme fizike, apo të diagnostikuar me
sëmundje të rënda të pashërueshme;

c) 1 vit nga
dënimi i dhënë për personat e dënuar, burra”, thuhet në nenin 5 të draftit.

Sipas
projektligjit pushohen ndjekjet penale për çështjet në hetim, për çështjet e
pashqyrtuara, ose në proces shqyrtimi nga gjykatat, si dhe për kallëzimet që
ndodhen në këto organe, pavarësisht nga data e regjistrimit të tyre, për veprat
penale të kryera deri në datën 30 nëntor 2016, për të cilat Kodi Penal
parashikon një dënim me burgim në maksimum deri në 2 vjet, ose çdo lloj dënimi
tjetër më të butë, me përjashtim të veprave: “kundërshtimi i punonjësit që
kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”, “kundërshtimi i punonjësit
të policisë së rendit publik”, “goditjet për shkak të detyrës”, “kanosja për
shkak të detyrës”, “mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit
publik”, “goditjet ndaj pjesëtarëve të familjes së personit që kryen një detyrë
shtetërore”, “përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore”, “ushtrimi i
profesionit të ekspertit kontabël dhe i shoqërisë audituese pa qenë i
regjistruar” dhe “mbajtja pa të drejtë e uniformës”.