Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Kulturës projekt për rijetëzimin e bibliotekave të lagjeve

500
Sigal

Veliaj: “Për këtë fundvit dhuroni libra, paja më e mirë për fëmijët”;
Kumbaro: “Modelin e Tiranës do ta zbatojmë në gjitha bashkitë”

 

Të apasionuarit pas leximit, prej ditës së sotme kanë mundësi të gjejnë në
bibliotekat e lagjeve të Tiranës më shumë tituj librash, kryesisht të autorëve
të mëdhenj, me famë botërore dhe vendas. Bashkia e Tiranës dhe Ministria e
Kulturës vunë sot në zbatim projektin e rijetëzimit të bibliotekave të lagjeve,
ku paralalelisht me rikonstruksionin, janë pasuruar edhe me tituj të rinj
librash. Sot u bë dhurimi i librave për 6 bibliotekat e para, të cilat kanë
përfituar nga 200 tituj secila.

 

Në ceremoninë e organizuar në ambientet e Bibliotekës Nr.9 në Njësinë 7,
mori pjesë kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, Ministrja e Kulturës,
Mirela Kumbaro dhe lexues, kryesisht të rinj. Në fjalën e
tij përshëndetëse, kryebashkiaku Veliaj falenderoi Ministrinë e Kulturës për
mundësimin e librave, si dhe theksoi se ky është investimi më i mirë që bëhet
për të ardhmen e shoqërisë dhe sidomos të të rinjve.

 

“Gjithmonë kemi një pyetje: Cilat janë kombet që ecin përpara, kombet që
kanë apo ato që dinë? Sa herë bëhet kjo pyetje, historia përgjigjet vetëm në
një mënyrë: Përpara ecin kombet që dinë, jo kombet që kanë. Ajo që ke mbaron një
ditë; dija është diçka që nuk mbaron, që mund të përdoret sa herë të duash dhe
nuk ta merr dot dikush. Është inkurajuese që në këtë bibliotekë kemi 750
frekuentues të rregullt, por nuk mjafton”, tha Veliaj. Ndaj, ai shtoi se këto
nisma kanë për qëllim pikërisht rikthimin e qytetarëve te leximi, si mënyra më
e mirë për të marrë dije për jetën.

 

“Nuk njoh askënd që të jetë bërë i suksesshëm në jetë dhe në CV e vet të
thotë se u bëra i suksesshëm sepse kisha i-phone, i-pad apo mjete elektronike
të fundit. Nuk e kam takuar një njeri të tillë, por pothuajse çdo njeri që ia
ka dalë në jetë është një histori suksesi në këtë vend dhe jashtë vendit,
patjetër një rresht në CV e vet e ka të lidhur me librat, me përvojën që i kanë
dhënë librat, me dijen që ka marrë prej tyre. Ndaj thirrja ime është: Këtë vit
dhuroni libra për fëmijët tuaj. Është, ndoshta, paja më e mirë që mund t’i lini
një gjenerate tjetër”, shtoi Veliaj. Ai theksoi se për të nxitur sa më shumë të
rinjtë që të lexojnë dhe ta shohin librin si një mik të tyre, Bashkia e Tiranës
do të ndërmarrë edhe nisma të tjera, që synojnë ndërgjegjësimin e tyre për të
qenë më miqësorë me librin.

 

“Kemi shumë njerëz, kemi shumë energji, jemi popull shumë i ri dhe është
shumë e rëndësishme që biblioteka nuk mund të jetë vetëm ky 60 m2 i kësaj
njësie. Ajo që kemi bërë me Teatrin e Metropolit është një eksperiencë
fantastike. Sot teatri është në Pezë, pardje ishte në Zall Dajt, një ditë më parë
në Kashar, një ditë tjetër në Farkë, sepse e kanë kuptuar që misioni i Teatrit
Metropolit nuk janë vetëm muret rrethuese, por është një mision emancipues i
vajtjes te publiku. Do të doja shumë që të 6 drejtoreshat tona të bibliotekave
ta marrin seriozisht këtë mision. Misioni i bibliotekës është të jetë energji
në komunitet, jo një adresë, jo vendndodhje, jo një format tipik i mureve të
rrethuara me libra, por një bibliotekë aktiv që jeton me jetën e komunitetit”,
u shpreh Veliaj. Duke filluar nga janari i viti tjetër do të ketë edhe një
kalendar të kthimit të bibliotekave në komunitet.

 

“Është e rëndësishme të kemi një plan konkret ku në çdo njësi, në çdo
shkollë, në çdo kopësht, në çdo çerdhe të vazhdojë kjo fushatë leximi, kjo
rënie në dashuri me librin”, tha Veliaj. Nga ana e saj, ministrja e Kulturës,
Mirela Kumbaro theksoi se do synojë që ky bashkëpunim i vendosur me Bashkinë e
Tiranës të jetë një model për shtrirjen e projektit të rijetëzimit të
bibliotekave në gjitha bashkitë.

 

“Kjo bibliotekë është edhe biblioteka e fëmijërisë time, biblioteka e
lagjes 9, ku kam ardhur kur kam qenë e vogël dhe pothuajse e kisha harruar
ekzistencën e saj. Madje, nuk e dija që ekzistonte përpara se të fillonim këtë
punë bashkë me Erionin. Jam shumë e lumtur që e fillojmë programin e
bashkëpunimit me Bashkinë e Tiranës me bibliotekën nr. 9, pikërisht për këtë
arsye, ku bashkia është e angazhuar për rinovimin fizik të bibliotekave dhe ne
morëm përsipër që këto biblioteka t’i furnizojmë me libra rregullisht,
iniciativë që ka filluar me qytetin e Tiranës, edhe pse ka pjesën më të madhe
të popullsisë në Shqipëri, por do të vazhdojë çdo vit me të gjitha bibliotekat
e tjera”, përfundoi Kumbaro.