Miq tek Mitro Kosta

578
Sigal

SARANDË/ Ka dalë dhe na pret tek porta. Ka hapur krahët dhe mes buzëqeshjes së çiltër, në fytyrën e tij rrëshqasin edhe pika loti malli e gëzimi. Jemi një grup miqsh që na ka ftuar për kafe shqiptaro-amerikani Mitro Kosta. Dhe kemi shkuar të gjithë me dëshirën për t’u çmallur me mikun tonë pas shumë kohësh, që kur ai u largua përtej atlantikut në SHBA. Jam me poetin Vasil Gjivogli, ish-drejtorin e shkollës së Lukovës, Dhimitraq Laska, drejtorin e sotëm të shkollës së Lukovës Roland Jovani dhe miq të tjerë. Hyjmë në shtëpi, e cila në strukturë ka mbetur ajo e viteve të parademokracisë. Para syve të shfaqet bukuria përrallore e Lukovës bregdetare. Mitroja dhe hallë Vitoja gëzojnë e presin mysafirët. Vinë kujtimet dhe humori, tregimet e brengat e jetës. Tjetër me të treguar e tjetër me të provuar,-thotë Mitro,- por malli për vendin tënd, për miq dhe shokë është përvëlues dhe gërryes. I kemi të gjitha të mirat e botës, por jemi si zogu në kuvli, këndojmë pa shijen e natyrës. Dhe përsëri lot, lot malli e gëzimi. Po edhe këtu janë bërë ndryshime, por edhe shumë shkatërrime. Pse kështu? Kishim gjithë atë pasuri dhe tani nuk ka ngelur asgjë…duhet më shumë forcë ligjore ta frenojë këtë fenomen, atje nuk të lë njeri asnjë pikë e asnjë presje jashtë asaj që është shkruar në ligj. Jo, nuk të fal njeri, të jesh kush të duash. Dhe biseda na rikthen përsëri tek vitet e parademokracisë, sidomos tek ato të fundit, kohë kur djali i madh i Mitros, Kliu, u kap nga forcat kufitare shqiptare në tentativë për arratisje. Pas damkosjes armik edhe trysnia e diktaturës, që megjithëse në fundin e saj, përsëri egërsinë e kishte si në fillimet, kur u instalua në Shqipëri. Po ikën ato vite dhe sot jetohet në lirinë e erën e demokracisë. Por Mitroja përmend edhe një fakt tjetër se, kur shkuan në SHBA, i gjetën varret e të pareve të mirëmbajtur sikur të kishte të afërm ditë për ditë. Këtu nuk ndodh ajo. Po mos pate njeri, varret i mbulon bari. Pse ky qëndrim me të vdekurit, kur edhe ata kanë qenë të gjallë e kanë punuar? Meritojnë respekt. Dhe rrjedh biseda në kohë dhe vende të ndryshme… Koha ikën si pa kuptuar vetëm mes humorit. Dhe dalim duke rimarrë ftesën e Mitros se na pret përsëri. Dhe ne i premtojmë se do të shkojmë përsëri…