Poliçani, si u shndërrua nga një fshat i vogël në qytet industrial

2154
Sigal

Banorët e Poliçanit dhe administrata vendore kanë goditur pasojat e gjakmarrjes, duke ndihmuar në arsimimin dhe integrimin e fëmijëve të ngujuar

Poliçani ka qenë një fshat i vogël për t’u transformuar më vonë në një qytet industrial. Në vitin 1961-1966 u kthye në një kantier ndërtimi, me objektiv ngritjen e Uzinës Mekanike për prodhime ushtarake, që më vonë do të formohej Kombinati Mekanik Ushtarak, i cili ndodhet në pjesën jugore të qytetit. Me fillimin e prodhimeve ushtarake, thithja e një fuqie punëtore e konsiderueshme nga disa rrethe të vendit në vitin 1966-1967 u konsolidua qyteti i Poliçanit me një bazë të fuqishme të industrisë mekanike dhe asaj ushtarake. Ndërtimi i uzinës është nga të parat vepra, ku u bë një punë e paimagjinueshme jo vetëm fizike, por edhe shkencore. Uzina Mekanike u shndërrua në një shkollë për mësimin dhe përgatitjen e specialistëve dhe mjeshtrave të rrallë. Kjo uzinë “prodhoi” njerëz praktikë dhe dinjitozë, me një disiplinë të rreptë dhe korrektësi në pune. Pati një rritje progresive të popullsisë si rrjedhojë e imigrimit të qytetarëve nga qytete e troje të ndryshme të Shqipërisë. Në këtë mënyrë u konsolidua qyteti industrial i Poliçanit, në funksion të politikës së shtetit komunist për zhvillimin e industrisë ushtarake, prodhimin dhe mirëmbajtjen e municioneve. Rritja progresive e popullsisë i dha një pamje arkitekturore qytetit, pasi u ndërtuan objekte banimi 4-5 kate, infrastruktura për administratën publike, u çel një shkollë e mesme e përgjithshme, dy shkolla të arsimit 8-vjeçar, një qendër kulturore dhe shëndetësore, një bibliotekë në ndihmë të edukimit qytetar dhe arsimimit të brezave.

Poliçani dhe fëmijët e ngujuar

Në funksion të kësaj,vlen për t’u përmendur dhe nisma e Kryetarit të Bashkisë së Poliçanit, Adriatik Zotka për t’u ardhur në ndihmë fëmijëve të ngujuar në shkallë vendi. Kreu i bashkisë në ato vite ka dalë në mbrojtje të fëmijëve të ngujuar në veri, por ai ka siguruar dhe jetën e tyre. Kreu i bashkisë, Adriatik Zotka në bashkëpunim me Këshillin Bashkiak të Poliçanit kanë dhënë një kontribut të madh për edukimin dhe arsimimin e fëmijëve të ngujuar të zonave të veriut. Banorët e Poliçanit dhe administrata vendore kanë manifestuar vlera të mëdha humane, duke goditur efektet dhe pasojat e dëmshme të fenomenit të gjakmarrjes, duke ndihmuar në arsimimin dhe integrimin e fëmijëve të ngujuar në shkollë dhe shoqërinë civile. Popullsia e Poliçanit ka patur një luhatje ndër vite. Në vitin 1985, numri i popullsisë ishte rreth 6500 banorë, duke pësuar një rritje progresive në vitin 1989 me rreth 11 000 banorë. Pas vitit 1990 për shkak të emigracionit, lëvizjes së lirë, kërkimit të një jete dhe ekonomie më të mirë, popullsia pësoi një ulje për të arritur në vitin 2001 në 10 471 banorë. Lëvizjet e banorëve nga qyteti i vogël i Poliçanit drejt qendrave të mëdha të banimit, ka sjellë një rënie drastike të popullsisë për të arritur aktualisht në vitin 2009 në 10 000 banorë. Popullsia e Poliçanit është cilësuar për solidaritetin vëllazëror, humanizmin, trimërinë dhe mikpritjen. Natyra e Poliçanit është e larmishme dhe komplekse, përbëhet nga fusha, lugina, kodra e deri tek majat më të larta e të thepisura të mbuluara nga dëbora që zgjat 5-6 muaj në vit. Relievi i Poliçanit shtrihet nga lartësitë rreth 140 m mbi nivelin e detit në luginën e Osumit deri në 2417 m në majën Çuka Partizane, në malin e Tomorit. Format kryesore të relievit janë: luginat, kodrat dhe vargjet malore, të cilat formojnë një mozaik të vërtetë.

Lugina e Osumit

Shtrihet në veriperëndim të Poliçanit midis lartësive 200-300 m dhe 500-600 m. Kjo luginë ka strukturë sinklinale (terrigjenët e përbërë nga shkëmbinj flishorë). Zgjerime më të mëdha të kësaj lugine janë në veri të Poliçanit. Zgjerimet më të mëdha të kësaj lugine janë në Jaupas, Strorë dhe në veri të qytetit të Poliçanit, kurse ngushtimet takohen në sektorin Hambull-Çorovodë. Mali i Tomorrit: Me një largësi 10 km nga qyteti i Poliçanit ndodhet mali i Tomorrit me lartësi 2379 m, maja më e lartë Çuka Partizane me lartësi 2417 m mbi nivelin e detit si dhe Qafa e Kulmakut me lartësi prej 1430 m mbi nivelin e detit. Mali i Tomorrit ka potenciale të mëdha natyrore për turizmin alpin, për eksplorimin nga turistët shqiptarë dhe të huaj, gjeografët, biologët etj.. Mali i Tomorrit dhe Kulmakut është shpallur monument natyror “Parku Kombëtar i Tomorrit” me VKM nr.102 datë 15.01.1996 . “Parku Kombëtar i malit të Tomorrit” shtrihet në lindje të rrugës nacionale Çorovodë-Poliçan-Berat. Qyteti i Poliçanit ka klimë mesdhetare, në zonën klimatike mesdhetare –kodrinore, me dimër relativisht të ftohtë, verë të nxehtë dhe reshje jo të shumta, kjo, si rrjedhojë e pengimit të erërave nga malet e larta. Qyteti i Poliçanit shërben si arterie rrugore i lumit Osum, i cili shtrihet në veriperëndim të qytetit. Ujërat përdoren për furnizimin e qendrave të banuara, për prodhimin e energjisë elektrike dhe për ujitjen e kulturave bujqësore.