Ministrja Shahini: Hapet shkolla për maturantët, viti shkollor mbyllet në qershor

507
Sigal

Ministrja e Arsimit, Besa Shahini gjatë një deklaratë për medita ka bërë me dije se viti shkollor parauniversitar do të përfundojë në qershor 2020, ndërkohë që provimet e maturantëve do të realizohen.

Ministrja Besa Shahini deklaratë mbi mbylljen e vitit shkollor

 Të dashur nxënës, prindër dhe mësues,

Ashtu siç është premtuar, dua t’ju njoftoj sot për vendimin që kemi marrë së bashku me Ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Kryeministrin për mbylljen e vitit shkollor 2019-2020.

Ky vendim, natyrisht është marrë duke u bazuar në vendimet e Task-Forcës për Koronavirusin duke u mbështetur në vlerësimin e modeleve të vendeve të tjera që kanë filluar hapjen graduale të shkollave duke marrë parasysh duke marrë parasysh edhe mijëra e mijëra mesazhe që kemi pranuar nga ju, si dhe duke marrë për bazë komunikimin që kemi patur me zyrën e Presidentit dhe Kryetarin e Opozitës.

Janë katër (4) elementë të rëndësishëm për përfundimin e vitit shkollor që dua t’i theksoj sot:

I pari, është se ky vit shkollor do të mbyllet, ashtu siç kemi planifikuar në udhëzimet e deritanishme, në qershor 2020 për të gjithë nxënësit.

I dyti, është se provimet e Maturës Shtetërore do të mbahen, siç i kemi planifikuar, mes datave 8 dhe 18 qershor 2020. Kjo na jep mjaftueshëm kohë që të përgatisim edhe diplomat për të gjithë maturantët që  planifikojnë të studiojnë jashtë vendit dhe i duhen ato në korrik.

Provimet e klasës së 5-të dhe të klasës së 9-të do të anulohen.

Duke marrë parasysh që provimet e lirimit të klasës së 9-të nuk e mbajnë të njëjtën peshë si provimet e maturës, duke marrë parasysh që nuk mund të sigurojmë kushte për kthimin në shkollë të nxënësve të klasës së 9-të, kemi vendosur të marrim këtë vendim.

Notat e provimeve të lirimit (klasës së 9-të) kalkulohen duke aplikuar formulën e vlerësimit të notave të shkollës së mesme të ulët, përfshirë edhe klasën e 9-të. Kjo bëhet me komisione lëndore me bazë në shkollë, por për detajet ju njoftojmë në vijim.

Elementi i tretë dhe risia sot, është që në mënyrë që provimi i maturës të jetë sa më i drejtë për maturantët dhe ata të kenë mundësinë për t’u përgatitur, kemi vendosur që të hapim shkollat VETËM për nxënësit e klasave të 12-ta për një periudhë 3-javore. Shkollat hapen për maturantët nga data 18 maj deri me datë 5 qershor. Në këtë periudhë do të punohet vetëm për lëndët e maturës shtetërore dhe me plan-programet e reja që NUK përmbajnë temat e zhvilluara në kushte shtëpie.

Elementi i katërt ka të bëjë me mësimin nga shtëpia, i cili do të vazhdojë për të gjithë nxënësit e klasave 1-11 deri në fund të majit, pra edhe për 4 javë e gjysmë. Mësimin nga shtëpia planifikojmë ta mbyllim 2 javë më herët se sa parashikimet në mënyrë që të lirojmë mësuesit të shkojnë nëpër shkolla dhe të bëjnë të gjithë punën administrative të hedhjes së notave dhe kalkulimit të vlerësimeve përfundimtare.

Të ndalojmë pak më shumë tek maturantët:

Hapja e pjesshme e shkollave do të realizohet duke zbatuar rigorozisht të gjitha rregullat e distancimit social dhe kushtet higjieno-sanitare nëpër shkolla.

Arsyeja se pse nuk mund të hapim të gjitha shkollat, ka të bëjë me numrin e madh të nxënësve që kemi në shumicën e shkollave, dhe pamundësinë që kjo paraqet në ruajtjen e distances sociale mes nxënësve. Gjithashtu, siç e dini për shkak të tërmetit, kemi një numër të shkollave që janë dëmtuar dhe jemi detyruar që një numër të nxënësve t’i kalojmë në shkolla me 2 turne. Kjo pamundëson higjienizimin e të gjithë shkollave pas çdo përdorimi.

Kështu që, vendosem të hapim shkollat vetëm për gjeneratën e maturantëve, duke i shpërndarë nxënësit në të gjitha klasat e shkollave të tyre, në mënyrë që të sigurojmë distancën mes tyre – minimumi 1.5 m mes nxënësve ashtu siç parashihet nga rregullat e institucioneve shtetërore, dhe numrin e nxënësve për klasë të mos e kemi më shumë se 10-12 nxënës (apo maksimumi 15 nxënës për klasë, në rastet kur klasa ofron hapësirë të mjaftueshme).

Që të realizojmë një numër kaq të vogël të nxënësve në klasë, do të përdoren edhe disa shkolla 9-vjecare në afërsi të shkollave të mesme.

Institucionet e varësisë të MASR, kanë hartuar plane të detajuara të shpërndarjes së nxënësve nëpër klasa dhe shkolla. Listat emërore do të komunikohen me drejtuesit e shkollave dhe përmes tyre me nxënësit, që të mos ketë dilema se në cilën shkollë apo klasë do të vijojë mësimin secili maturant.

Instituti i Shëndetit publik, në bashkëpunim me specialistët tanë, dhe duke u bazuar në modelet që tashmë po zbatojnë vendet që kanë hapur shkollat, ka hartuar një rregullore për sjelljen e nxënësve në shkollë, duke zbatuar distancimin social në përpikmëri dhe higjienizimin ditor të ambienteve shkollore.

Rregullorja ka të mirë-detajuar oraret specifike të hyrjes e të daljes; mbajtjen e distancës, mbrojtjen e nxënësve, kushtet higjieno-sanitare; formatin e qëndrimit dhe mësimit nëpër klasa; si dhe lëvizjet në ambientet e brendshme të shkollës etj.

Kjo rregullore, sapo të mbyllet, do të publikohet, do të ndahet me të gjitha bashkitë që ato të mund të bëjnë dezinfektimin në kohë dhe do të printohet për secilën shkollë që secili nxënës, mësues apo staf i shkollës të mos ketë dilema për rregullat që duhen zbatuar gjatë qëndrimit në shkollë.

Kemi bërë një punë aq të mirë duke qëndruar dhe mësuar nga shtëpia, sa që kemi minimizuar infektimin e qytetarëve me koronavirusin e ri. Ndaj, edhe kjo hapje e pjesshme e shkollave duhet gjithsesi të mirëmbajë këtë arritje të mirë tonën.

Mirëqenia e nxënësve tanë është gjëja më e rëndësishme për ne tani! Dhe këtu nuk po flas vetëm për shëndetin fizik, po flas edhe për shëndetin emocional-psikologjik të nxënësve dhe ngaqë po jetojmë e punojmë në kushte të vështira, do të jemi shumë të kujdesshëm me të gjithë.

Përveç shërbimit psiko-social shkollor që është në dispozicion të të gjithë nxënësve edhe sot përmes formës online, kemi vendosur gjithashtu të reduktojmë më tutje punën që maturantët do të bëjnë para provimeve të Maturës.

Nga data 4 maj, duke filluar me mësim nga shtëpia dhe pastaj në shkollë me datë 18 maj, puna me maturantët do të fokusohet në provimet e Maturës Shtetërore. Drejtorët e shkollave, duke filluar nga sot, do të hartojnë programet për secilën shkollë të mesme që të mundësojnë këtë përqëndrim të nxënësve në lëndët e këtij provimi të rëndësishëm.

Provimet e maturës nuk do të përfshijnë temat e zhvilluara në kushte shtëpie. Pra, janë të ndërtuara mbi bazën koncepteve të zhvilluara në klasën 10, 11, si dhe klasëm e 12-të gjatë kohës që kemi qenë në në shkollë.

Së bashku partnerin tonë akademi.al, me mbështetje të UNICEF, kemi xhiruar qindra video me zgjidhje detyrash në matematikë dhe shkenca, të cilat do t’i publikojmë në të gjitha kanalet tona duke përfshirë edhe RTSH. Kjo është një përgjigje ndaj një kërkese të vazhdueshme të maturantëve që të ketë sa më shumë detyra, ushtrime që mund t’i bëjnë para se të futen në provimin e maturës.

Provimet do të realizohen mes datave 8 dhe 18 qershor duke zbatuar rregulla strikte, jo vetëm për të ruajtur shëndetin e nxënësve, por edhe integritetin e provimit.

Kemi vendosur të bëjmë lehtësira në përmbajtjen e provimit, por do të kemi zero tolerancë për kopjimin. Rregullorja e maturës që kërkon nga nxënësit të mos vijnë me telefon në provim dhe kërkon nga administratorët që të administrojnë provimin në mënyrë strikte, do të zbatohet me përpikëri.

Si përmbyllje e pjesës që u takon maturantëve, jemi të bindur se kthimi i maturantëve në shkollë dhe mbajtja e provimit të maturës janë të domosdoshme që nxënësit të mund të mbyllin në mënyrë të denjë ciklin e arsimit parauniversitar, dhe që gara për aplikimin në universitet të jetë sa më e drejtë mes tyre.

Nxënësit e tjerë nga klasa 1-11, do të vijojnë mësimin nga shtëpia deri më datë më datë 29 maj 2020 – pra transmetim në RTSH dhe komunikim online mes mësuesve e nxënësve do të vijojë deri me këtë datë.

Vlerësimet përfundimtare do të mbyllen 2 javët e para të qershorit nga mësuesit nëpër shkolla ku edhe i kanë regjistrat, duke u bazuar në notat që i kanë marrë deri me 9 mars, dhe duke marrë parasysh edhe vlerësimet në kushte shtëpie, por këto të fundit VETËM në qoftë se ndihmojnë dhe jo penalizojnë nxënësit në përmirësimin e notës. Në lidhje me këtë, MASR dhe institucionet e saj të varësisë do të nxjerrin udhëzime më të detajuara mbi vlerësimin e nxënësve. Dhe kjo nuk është vetëm një udhëzim që ndihmon mësuesit për të mbyllur notat, por është edhe një transparencë që ofrojmë për të gjithë nxënësit e prindërit që të kuptojnë se si do të mbyllet ky proces.

Më vjen mirë që deri më tani, përsa i përket mësimit të zhvilluar në kushtet e shtëpisë, kemi patur një ecuri pozitive.

Siç e dini, 97% e nxënësve tanë janë përfshirë në komunikimin online me mësuesit e tyre dhe mësuesit kanë prodhuar 1.2 milion minuta “selfie-video” me shpjegime të mësimeve dhe përgjigje ndaj pyetjeve.

Nxënësit që nuk kanë patur paijse digjitale për të vijuar mësimin online, jemi në proces të furnizimit me telefona smart dhe tableta, falë një donacioni shumë bujar të Fondacionit “Vodafone Albania”.

Falënderoj përzemërsisht çdo mësues, nxënës dhe prind që u angazhua në çuarjen deri në fund të këtij viti shkollor të vështirë.

Përkundër që viti shkollor mbyllet në qershor, puna jonë nuk mbyllet në qershor.

Këtë verë po planifikojmë që shkollat t’i vëmë në dispozicion të më të vegjëlve, duke ofruar kurse verore argëtuese apo edhe edukative, që jo vetëm ndihmojnë me mësimin, por edhe me kthimin në normalitet të fëmijëve që kanë ndenjur mbyllur në shtëpitë e tyre për shumë kohë. Për këtë ju njoftojmë në vijim edhe duke parë sigurinë e shëndetit publik.

Gjithashtu, planifikojmë inçizimin e leksioneve me akademi.al dhe partnerët e tjerë, për transmetim në RTSH. Shtatori do të na gjejë me një repertoar të shtuar të lëndëve që do të mbulojmë. Që kjo të funksionojë siç duhet, edhe në përgjigje të kërkesave tuaja, për vitin 2020-2021 do të hartojmë plan-programet lëndore në mënyrë të qendërzuar, dhe jo me bazë në shkollë, që secili mësues dhe nxënës të mbulojë të njëjtat tema në të njëjtën kohë dhe të mos ketë diskrepanca mes nxënësve e mësuesve që përdorin libra të ndryshëm.

Shtatori do të fillojë me përsëritjen e temave që janë zhvilluar nga shtëpia, para se të vijojmë me kurrikulën e vitit tjetër.

Siç kam cekur edhe më parë, nëse ka prindër dhe nxënës që ndihen që nuk kanë marrë mjaftueshëm mësim sivjet dhe duan ta përsërisin vitin, kanë të drejtën që të kërkojnë që të përsërisin vitin shkollor, por duhet të na njoftojnë sa më parë që është e mundur. Kjo vlen edhe për maturantët.

Mësimi nga shtëpia, definitivisht ka ndikuar në rritjen e kompetencës digjitale. Ndaj duam ta shfrytëzojmë këtë momentum të përfshijmë këtë formë mësimi (online dhe RTSH) në punën e zakonshme që bëjmë në shkolla.

Por më shumë për këtë, si dhe detajet e përfundimit të vitit akademik për arsimin e lartë, do ju njoftojmë në vijim.

Do të përsëris edhe një herë 4 elementët kryesor të mbylljes së vitit shkollor:

  • Shkollat hapen për maturantët nga 18 maji deri 5 qrrshor, nën rregulla strikte të higjienës dhe distancimit social;
  • Provimet e maturës mbahen mes 8 dhe 18 qershor, më të reduktuara dhe sipas plan-programeve të reja;
  • Provimet e klasave të 5-ta dhe 9-ta do të anulohen;
  • Dhe mësimi online vijon deri me 29 maj, pastaj dy javët e para të qershorit shfrytëzohen për mbyllejen e vlerësimeve të fundvitit.

Nëse ka ende paqartësi, mos u shqetësoni, në ditët në vijim do të mbaj komunikime ditore. Vijoni të na shkruani në rrjete sociale e faqet zyrtare, dhe do t’ju kthejmë përgjigje përmes video-mesazheve.

Faleminderit që keni qëndruar në shtëpi.

Faleminderit që jeni angazhuar në mësimin nga shtëpia.

Dhe faleminderit për vëmendjen.