Ministrja Kushi në 5 Maj: Ta edukojmë brezin e ri me respektin dhe mirënjohjen ndaj sakrificës së dëshmorëve

136
Sigal

Mëngjesin e sotëm në varrezat e dëshmorëve në Elbasan janë bërë homazhe në përkujtim të 5 majit, “Ditës së Dëshmorëve”.

Të pranishëm në ceremoninë përkujtimore ishin Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi, kryetari i Bashkisë Gledian Llatja, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste njëherësh Drejtuesi politik i Qarkut të Elbasanit Damian Gjiknuri, deputetë të zonës, qytetarë dhe pjesëtarë të organizatës së veteranëve dhe familjeve të dëshmorëve.

Në një status në rrjete sociale ministrja Kushi thekson se brezi i ri duhet të edukohet me respektin dhe mirënjohjen për sakrificën e të gjithë atyre që dhanë jetën për lirinë e atdheut.

“Si çdo 5 Maj, edhe sot zhvilluam homazhe në Varrezat e Dëshmorëve së bashku me kolegë, qytetarë dhe pjesëtarë të organizatës së veteranëve dhe familjeve të dëshmorëve. Gëzohem çdo herë që shoh edhe nxënës shkollash të marrin pjesë së bashku me ne në këtë ceremoni. Është detyrë e jona që të edukojmë brezin e ri me respektin dhe mirënjohjen për sakrificën e të gjithë atyre që dhanë jetën për lirinë e atdheut”- shkruan ministrja Kushi.