Ministrja Kushi dhe Ambasadori Turk Murat Ahmet Yörük përurojnë mjediset e reja të kurseve profesionale në Institutin e nxënësve që nuk dëgjojnë

215
Sigal

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Znj. Evis Kushi së bashku me Ambasadorin e Republikës së Turqisë, në Tiranë, Murat Ahmet Yörük dhe koordinatoren e Zyrës së Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim TIKA-s në Tiranë znj. Emine Gizem Başkan, përuruan mjediset e reja për kurse profesionale në Institutin e Nxënësve që Nuk Dëgjojnë. Në këto mjedise profesionale këta nxënës do të kenë mundësi të mësojnë artin e parukerisë dhe berberit.

Gjatë ceremonisë ministrja Kushi u shpreh se këtyre fëmijëve u jepet një mundësi e mirë për të marrë një profesion, i cili do t’i ndihmojë ata në të ardhmen që të jenë të pavarur dhe të jetojnë si të gjithë bashkëmoshatarët.

Ajo shprehu falënderimin dhe mirënjohjen për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe kontributin e Qeverisë Turke dhe Agjencisë TIKA për mbështetjen në fushën e arsimit në vendin tonë. Znj. Kushi shtoi se mbështetja që jepet në fushën e arsimit është më e rëndësishmja nga të gjitha.

Ambasadori Turk Yörük tha se Turqia ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë pranë vëllezërve shqiptarë.
“Këtë e bëjmë gjithmonë nga dëshira e madhe që na vjen nga zemra”- u shpreh ambasadori.
Ai e quajti vlerën e një profesioni për këta fëmijë një “byzylyk floriri” në dorën e tyre që ndihmon për të sjellë të ardhura familjes në të ardhmen.