Ministria e Kulturës hesht, ndërkohë që betonizohet zona muzeale e Korçës

658
Nuk është hera e parë që Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore reagon sa herë vihet dorë në shkatërrimin e monumentet e kulturës qindra e mijëra vjeçare. Për të gjitha ndërhyrjet që po bëhen në këto monumente, ky forum ka fajësuar Ministrinë e Kulturës për papërgjegjshmërinë që kjo e fundit ka treguar, si në dhënien e lejeve në Kanionet e Nivicës, nga ana e Ministrisë së Kulturës apo për mungesën e marrjes së përgjegjësive për të gjitha ato raste, kur kjo ministri ka thënë, se do të merren si raste për t’u pasur parasysh. Asgjë e tillë nuk ka ndodhur. Rasti i fundit që Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore denoncon është ai i betonizimit të zonës muzeale në Korçë. Në disa foto të publikuara, të shoqëruara dhe me mbishkrim, ky forum denoncon betonizimin që i bëhet zonës muzeale në Korçë, nga ndërtimi i një ndërtese trekatëshe në këtë zonë, në Bulevard “Republika”. Edhe pse ndërtimi këtu mund të jetë i rregullt sa i përket plotësimit të dokumentacionit, është e papranueshme, se si ministria nuk bën asnjë përpjekje për këtë ndërhyrje në këtë zonë. Betonizimin e kësaj zone, forumi e ka cilësuar si një nga shumë skandalet që po rëndojnë përgjegjësitë mbi Ministrinë e Kulturës. Dhe se mungesa e një reagimi për të gjitha këto raste tregon se puna nga kjo ministri nuk po bëhet ashtu siç duhet ose më saktë, ashtu siç është premtuar nga ministrja Kumbaro. Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore gjithmonë ka reaguar për të gjitha shkatërrimet që po u bëhen monumenteve të kulturës, madje në një listë të posaçme, janë dhënë emrat e disa prej monumenteve të dëmtuara, për të cilat nuk interesohet askush, pavarësisht se sa vlejnë këto monumente për historinë e vendit tonë. 
Monumentet e dëmtuara
-Vidhen pikturat e Mios
-Vidhen ikonat në Bularat
-Përmbytet Muzeu i Gjirokastrës
-Dëmtohet Teatri Antik i Apollonisë
-Digjet Parkut Kombëtar i Finiqit
-Ndërtohet pa leje në Kalanë e Krujës
-Shkatërrohet Tuma e Bajkave
-Gërmohet me ekskavator varri monumental i shek. IV, Delvinë
-Shkatërrohet gurorja e Butrintit
-Dëmtohet Manastiri i Mesopotamit
-Dëmtohet tempulli antik në Qukë-Sarandë
-Shkatërrohet Shtëpia e Flamurit në Korçë
Sigal