Koronavirusi/ Gjysma e vdekjeve në BE ndodhin në…

388
Sigal

Rreth gjysma e të gjitha vdekjeve nga Covid-19 duket se po ndodhin në shtëpitë e përkujdesjes së të moshuarve në disa vende evropiane, sipas shifrave të hershme të mbledhura nga akademikë me qendër në Mbretërinë e Bashkuar, të cilët po paralajmërojnë se e njëjta përpjekje duhet të bëhet për të luftuar virusin në shtëpitë e përkujdesjes, siç bëhet nëpër spitale.

Të dhënat nga burime të ndryshme zyrtare tregojnë se në Itali, Spanjë, Francë, Irlandë dhe Belgjikë midis 42% dhe 57% të vdekjeve nga virusi kanë ndodhur në shtëpitë e përkujdesjes së të moshuarve, sipas raportit të akademikëve me qendër në Shkollën Ekonomike në Londër (LSE).

Të dhënat zyrtare të publikuara për shtëpitë e përkujdesjes në Angli dhe Uells besohet se i nënvlerësojnë në mënyrë të konsiderueshme vdekjet në atë sektor, me Zyrën për Statistikat Kombëtare që ka regjistruar vetëm 20 vdekje të lidhura me koronavirusin në të gjitha shtëpitë e kujdesit nga 20-27 marsi. Shifrat e reja, sipas “Guardian” do të dalin të martën, por nuk ka gjasa të jenë të azhurnuara.

Vendet e tjera europiane po kalojnë kulmin e infeksionit tani dhe fazën që tashmë po kalon Mbretëria e Bashkuar e kanë kaluar më parë. Javën e kaluar, “Care England” i tha “Guardian” se numri i përgjithshëm i vdekjeve në shtëpitë e përkujdesjes ishte afro 1,000 vetë, me vdekje në dyshifrorë në shtëpi të shumta.

Gjatë fundjavës u shfaqën detaje për më shumë vdekje, përfshirë 13 banorë të moshuar në shtëpinë e kujdesit “Stanley Park” në Qarkun Durham, dhe raportohet se ka pasur pesë vdekje në “Almond”, në Glasgow.

Të hënën, Prof.Chris Whitty, zyrtari kryesor mjekësor për Anglinë, tha që 13.5% e shtëpive të kujdesit në Mbretërinë e Bashkuar kishin një rast të konfirmuar të koronavirusit midis banorëve të tyre, nga 9% javën e kaluar, me 92 shtëpi të tjera që zbuluan raste në 24 orët e mëparshme.

Por përhapja e virusit dhe vdekshmëria e tij në shtëpitë e kujdesit në pesë vende të BE-së duket të jetë më e lartë, sipas akademikëve që kërkojnë të dhëna dhe një përgjigje më urgjente ndaj krizës në shtëpitë e kujdesit të të moshuarve.

Deri para pak javësh, në vendet europiane nuk përfshihej numri i të vdekurve jashtë spitaleve, në raportimet zyrtare, që do të thotë se as ai i shtëpive të kujdesit nuk ishte përfshirë në shifra. Me fillimin e përfshirjes, u pa se numri i të moshuarve që kishin humbur jetën nga sëmundja në këto shtëpi kujdesi ishte shumë më i madh nga sa mendohej.

Në rishikimin e parë të provave të hershme ndërkombëtare, studiuesit nga Rrjeti Ndërkombëtar i Politikës së Kujdesit Afatgjatë (LTCPN) zbuluan se të dhënat më të fuqishme ishin të disponueshme në Irlandë, ku deri të shtunën, 54% e vdekjeve nga koronavirusi ndodhën në shtëpitë e përkujdesjes, sipas shifrave të qeverisë.

Në Itali, një studim qeveritar që mbulon vdekjet në 10% të shtëpive të përkujdesjes të vendit, sugjeroi se 45% e të gjitha vdekjeve në atë vend mund të ishin në shtëpi kujdesi, ndërsa të dhënat e qeverisë qendrore në Francë të publikuara në fundjavë treguan të njëjtin proporcion (45%) të 13,832 vdekjeve tw vendit, në shtwpitw e kujdesit.

Në Belgjikë, shifrat e ministrisë së Shëndetësisë treguan se 42% e vdekjeve të Covid-19 ndodhën në shtëpi kujdesi, dhe në Spanjë të dhëna të qeverisë rajonale sugjeruan se 57% e numrit të vdekjeve të vendit nga 8 Marsi deri në 8 Prill ishin nga shtëpitë e kujdesit.

Shifrat vijnë nga burime të ndryshme dhe akademikët theksuan se ndryshimet në disponueshmërinë e testimit dhe politikat dhe qasjet për regjistrimin e vdekjeve i bëjnë krahasimet ndërkombëtare të vështira.

Por një nga autorët e raportit, Adelina Comas-Herrera, e politikës së kujdesit dhe vlerësimit të LSE-së, tha që duke pasur parasysh situatën e shpejtë “ne po mundohemi ta dokumentojmë ashtu siç ndodh dhe ta ndajmë atë”.

“Nëse presim standarde të përsosura të provave, do të jetë tepër vonë për të bërë ndryshime. Për mua kjo tregon se do të duhet të japim burime të barabarta në trajtimin e Covid midis NHS dhe kujdesit shoqëror. Shtëpitë e kujdesit janë vende ku distanca fizike është pothuajse e pamundur. Është si një stuhi e përsosur: një popullatë e prirur, duke mos qenë në gjendje të zbatojë masat dhe stafi nuk është i mbështetur dhe trajnuar sa duhet. Shumë prej stafit janë asistentë të kujdesit me shumë pak njohuri mjekësore”.

Ka pasur tre studime epidemiologjike të Covid-19 në shtëpitë e kujdesit të kryera nga autoritetet në Seattle, njëra prej të cilave zbuloi se deri më 18 mars, nga 101 banorë të shtëpive të kujdesit që kontraktuan virusin në javët e mëparshme, 34 vdiqën.

Dr Michael Head, një studiues i lartë për shëndetin në Universitetin e Southampton, tha që përmbledhja e provave “tregon qartë mungesën e përqëndrimit te të moshuarit në shtëpitë e përkujdesjes… mbetet e vështirë për të nxjerrë konkluzione për numrin e saktë të vdekjeve të të moshuarve në infermieri dhe kujdesin rezidencial nëpër Evropë dhe duke pasur parasysh se ka pak teste në dispozicion, shumë pak raste të dyshuara do të përfundojnë si raste të konfirmuara.

Përkundër këtyre kufizimeve, ne e dimë se një gamë e infeksioneve mund të përhapet lehtësisht në popullatat e cenueshme që jetojnë në kujdes rezidencial, për shembull, norovirusi, zgjebja, gripi, dhe koronavirusi i ri”.

Departamenti i Shëndetit dhe Kujdesit Social në Mbretërinë e Bashkuar tha: “Ne jemi të vendosur t’i japim sektorit të kujdesit shoqëror mbështetjen që i duhet për t’iu përgjigjur koronavirusit dhe të vazhdojmë të punojmë ngushtë me Shëndetin Publik Angli për të monitoruar ndikimin në shtëpitë e kujdesit.
“Ne kemi botuar udhëzime të gjera për shtëpitë e përkujdesjes për të pranuar dhe kujdesur për njerëzit gjatë shpërthimit, dhe kemi njoftuar 2.9 miliardë dollarë për të ndihmuar autoritetet lokale të përgjigjen ndaj presioneve në shërbimet kryesore”.