MINE PEZA, NJË NËNË, NJË HEROINË

1734
Nga Mehmet ÇELMETA, nip i heroinës

-Ra dëshmore më 17 shtator 1942-
Mine Peza lindi në vitin 1885, në Ndroq të rrethit Tiranë, nga një familje patriotike të Alhysve, familje e varfër, por me shpirt atdhetar. Të parët e saj kanë urryer regjimin shtypës e shfrytëzues, të Turqisë. Në luftën e parë botërore, i vetmi vëlla që pati, ra dëshmor duke luftuar kundër pushtuesve serbë. Minja në rininë e saj u rrit e u edukua me dashurinë për Atdheun, dhe urrejtjen për shtypësit e shfrytëzuesit, të cilët me reprezaljet që përdoreshin kundër katundarëve për të paguar taksat, duke i lënë pa bukë në vatër. Minja u martua me Miftar Bilalin nga Peza e Vogël, dhe ky me prejardhje familjare atdhetare që punonte për bukën e gojës. Së bashku me Minen lindën dhe rritën tre fëmijë; një djalë dhe dy vajza. Minja ishte një grua punëtore, mjaft pritëse, bujare e dashur dhe gojëmbël me bashkëfshatarët dhe me miqtë e shoqet, e shkathët dhe e zgjuar; ishte shumë e gjindshme në fatkeqësi dhe në gëzime. Të gjithë fshatarët e Pezës së Vogël, por edhe fshatrave të tjera e donin dhe e respektonin si bijën e tyre. Mine Peza, për arësye se nuk po përballonte dot jetën në fshat erdhi në Tiranë. Këtu në Tiranë u lidh me komunistët, gratë antifashiste dhe të rinj ilegalë që luftonin pushtuesit italianë dhe spiunët e tyre. Shtëpinë ku banonte e ktheu në bazë të sigurt për ilegalët, dhe fshihte aty te rinjtë e të rejat që ndiqeshin e spiunoheshin nga bashkëpunëtorët e fashizmit. Ajo ka qenë njohur me shoqet si; Nexhmije Xhuglini, Meriban Najdeni, Bije Vokshi, e të tjera gra antifashiste. Ajo ka fshehur dhjetëra të plagosur dhe është kujdesur për t’i kuruar sa më shpejt. Për këtë aktivitet patriotik është kontrolluar disa herë nga fashistët, por me shkathtësi ajo jua ka hedhur atyre. Minja, i shoqi Miftari, djali Qazimi, vajzat Shaja, Feridja, të gjithë u përfshinë duke marrë pjesë në LANÇ, deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë. Djali i saj Qazimi ra dëshmor si partizan i batalionit partizan të Pezës më 5 nëntor 1943 në Qafën e Kallmit në përpjekje me gjermanët. Minja mori pjesë në të gjitha demonstratat antifashiste që organizoi qarkori i PKSh i Tiranës. 

Demonstrata antifashiste e grave të Tiranës, 17 shtator 1942
Qarkori i PKSh, së bashku me shumë gra e vajza të kryeqytetit organizoi përpara deyerve të burgut të Tiranës një demonstratë të fuqishme më 17 shtator 1942, pas dite. Qëllimi i vërtetë i kësaj demonstrate ishte tërheqja e vëmendjes së autoriteteve fashiste nga zhvillimi i Konferencës së Pezës, me qëllim që këto të mos kohë për të përgjuar e për të mos ndjekur lëvizjet e delegatëve të Konferencës së Pezës. Pushtuesit fashistë me synim për ti dhënë goditje lëvizjes antifashiste N.ÇL që kishte marrë shtrirje të gjerë në tërë vendin në mënyrë shumë sekrete, përgatitën plane për internim në ishujt e Italisë të dhjetëra të rinjve e të rejave të burgosur politikë. Qarkori i PKSh i Tiranës e vlerësoi këtë moment dhe mori masa të shpejta: U thirr një mbledhje e celulës së shoqeve komuniste në shtëpinë e Meriban Najdenit. Këtu u shtrua detyra që t’u bëhej thirrje grave e vajzave të qytetit të demonstronin përpara burgut në pasditen e 17 shtatorit 1942, ora 16.00. Dhjetëra gra e vajza të udhëhequr nga komunistë, të veshura me çarçaf, nën pretekstin e takimit me njerëzit e tyre të burgosur, iu afruan ndërtesës së burgut që ruhej nga forca të shumta policore dhe kërkuan që të takoheshin me djemtë e vëllezërit e tyre. Ata i kërkuan demonstruesve që të hiqnin perçet, por ata refuzuan dhe menjëherë ndërhynë forcat e policisë duke i shtyrë e goditur me qytat e pushkëve. Demonstruesit i bënë ballë sulmit dhe ishin të vendosura të mos zmbrapseshin. Nga gjokset e tyre buçitën thirrjet: “Poshtë fashizmi!”; “Mos na internoni djemtë dhe vëllezërit tanë në Itali!”; “Na lironi djemtë!”. Në këto thirrje të grave u bashkua dhe zëri i fuqishëm i të burgosurve, të cilët nga dritarja e burgut hidhnin parulla, si: “Poshtë fashizmi”; “Rroftë Shqipëria e lirë!”; “Fashistë, mos vini dorë mbi nënat e motrat tona!”; “Rroftë lufta çlirimtare!”. Me demonstruesit u bashkuan shumë gra e vajza të familjeve që banonin afër burgut. Të befasuar nga një demonstratë e tillë dhe nga vendosmëria e grave dhe vajzave të Tiranës, autoritetet e qeverisë fashiste dërguan forca të shumta policore, të komanduara nga vetë prefekti i Tiranës, Qazim Mulleti dha urdhër të qëllohej mbi vetë demonstruesit dhe u arrestuan shumë gra, të cilat u përplasën në birucat e policisë. Ndërsa gruaja që u godit rëndë nga plumbat e fashistëve ishte Mine Peza. Ajo u bë dëshmorja e parë nga radhët e grave të Tiranës. Ajo i la amanet shoqeve e shokëve, djalit të saj që ishte partizan, që të luftonin fashizmin dhe spiunët deri sa të çlironin Shqipërinë. Kjo demonstratë pati jehonë të madhe në tërë vendin. Ajo tregoi për forcën e rolin e madh të grave shqiptare në luftën ANÇ që zhvilloi populli shqiptar për çlirimin e vendit. Poeti popullor, kësaj gruaje trimëreshë shkroi vargjet e këngës “Mine Pezës”, e cila u bë këngë himn i LANÇ. 
Sigal