(Roli i rëndësishëm i mikrofinancës si shyllë e rëndësishme në fuqizimin e ekonomisë së vendit dhe familjeve e bizneseve shqiptare – në përputhje të plotë me misionin e saj social, transformimet dixhitale dhe financat e gjelbra)
Shoqata Mikrofinanca Shqiptare (AMA) me kënaqësi njofton se viti aktual ashtu si edhe ai paraardhës 2022, shënon një periudhë të mbushur me arritje pozitive dhe plot sfida për të cilat punohet pareshtur.
AMA përbëhet nga dhjetë anëtarë: Agro & Social Fund, Crimson Finance Fund Albania, FedInvest SHKK, Fondi BESA, IuteCredit Albania, Kredo Finance, NOA, UniFin SHKK dhe MiaFinance. Kjo e bën AMA-n një kombinim shumë funksional për nevojat ekonomike të shoqërisë Shqiptare.
Prej rreth dy dekadash, ajo ka forcuar dhe zgjeruar rolin e saj në shërbim të zhvillimit ekonomik të vendit duke rritur përfshirjen financiare të individëve, sipërmarrësve të vegjël dhe NVM-ve. Krahas financimit të bizneseve në tregti, shërbime e ndërtim, individëve të vetëpunësuar, start-ups, fermerëve dhe bizneseve në agrikulturë, kontribuon në rritjen e mirëqenies sociale, fuqizimin e grave, shtimin dhe krijimin e vendeve të reja të punës, si edhe ngritjen e edukimit financiar në nivel të përgjithshëm.
Sjellim në vëmendje që së fundi, u hodh edhe një hap tjetër në rrugën e hapjes së tregjeve financiare sekondare nga një anëtar i shoqatës, i cili për herë të parë emetoi obligacione publike në shtesë të atyre private që ishin emetuar më parë.
Së bashku anëtarët kanë shërbyer 270,000 individë dhe biznese me një total të aktiveve me mbi 50 Mld Lekë apo shtesë vjetore prej 8,5%, aktiviteti i anëtarëve të kësaj shoqate përbën rreth 90% të aktiveve totale të sektorit jobankar dhe të mikrofinancës ne Shqipëri, e cila në fund të vitit 2022 kishte 38 IFJB dhe 16 SHKK (pa përfshirë fondet e pensionit dhe shoqëritë e sigurimit), pra me një peshë tejet domethënëse.
Portofoli i kredisë arriti vlerën prej 4OMld Lek – rritja vjetore prej 13,1%. Në terma agregate, anëtaret lëvruan afërsisht 298,000 kredi – 37,900 ose 14,6% më shumë ekuivalente me vlerën prej 34,2Mld Lekë, shtesë vjetore prej 5.2 Mld ose 18,0% duke qenë e mirëproporcionuar në kategoritë individë, biznese, fermerë dhe të tjera. Po kështu, u ul vlera në 7,2% e kredive me probleme, nga 11% që ishte një vit më parë. 39% e klientëve janë gra, kurse nga ana e strukturës zonale, 39% e klientëve janë në zonat rurale dhe 61% në ato urbane.
Të gjitha këto arritje nuk do të ishin të mundura nëse secili nga anëtarët nuk do të investonte në digjitalizim e mëtejshëm të platformave financiare, fushatave sensibilizuese për edukimin financiar si edhe trajnime frekuente lidhur me parandalimin e pastrimit të parave.
Ndikimi në ekonominë shqiptare nëpërmjet krijimit të aksesit në financim është një mision i qartë i sektorit të mikrofinancës, por një ndikim i drejtpërdrejtë në ekonominë vendase ndodh edhe nëpërmjet zgjerimit të vazhdueshëm të prezencës fizike në Shqipëri si dhe rritjen e vazhdueshme e stafit suportues të kësaj industrie. Sot numërojmë një numër prej 1,883 punonjës, 281 degë dhe 881 oficerë kredie.
E megjithatë, përtej rezultateve në rritje, vitet e fundit kanë qenë sfidues për sektorin e mikrofinancave duke e vendosur në pozicion të vështirë edhe një herë potencialin kredidhënës të këtij sektori.
Gjatë periudhës së mbylljes, një pjesë e vogël e institucioneve raportuan disa vështirësi në lidhje me raportin e kërkuar të likuiditetit, sidomos në kuadrin e moratoriumit të kredive. Por këto vështirësi u superuan, kryesisht si pasojë e rinegociatave me investitorët dhe gjithashtu edhe me mbështetjen e strukturave aksionere nëpërmjet injektimeve të kapitalit.
Ndonëse e mirëkapitalizuar si industri, rritja e kostos së fondeve e vështirësoi procesin, veçanërisht për institucionet financiare që nuk janë shoqëri kursim-krediti, duke u bërë të paqëndrueshme, dhe më të shtrenjta nisur nga kostot variable te varura nga indekset ndërkombëtare. Duhet theksuar gjithashtu se aksesi në burime të reja ose në shtesë të burimeve ekzistuese të financimit është bërë mjaft sfidues, qoftë nga sektori bankar, ashtu edhe nga investitorë të jashtëm, të cilët janë duke riparë strategjitë e tyre të investimit në këtë kohë me pasiguri të lartë. Aksesi në likuiditet mbetet një ndër sfidat e vazhdueshme të sektorit. Kjo nënkupton financimin e drejtpërdrejtë, borxhin e varur ose instrumente të tjera të likuiditetit që sigurojnë para shtesë që shkojnë drejtpërdrejt në ekonomi përmes politikës së ndërmarrjes së rrezikut nga institucionet e mikrofinancës.
Kjo mund të bëhet e mundur nëpërmjet garantimit të financimeve nga ana e institucioneve financiare ndërkombëtare, duke qenë se qeveria shqiptare nuk e ka përfshirë mikrofinancën në skemat tashmë aktive të garantimit të financimeve të bizneseve.
Niveli i dixhitalizimit nuk është akoma për të gjithë anëtarët në standardet ndërkombëtare apo edhe në ato standarde që do lejonin një vijimësi të procesit të kredidhënies online, pa prezencën e domosdoshme fizike të klientit. Që ky proces të marrë rrugë, përveç saktësimit të kuadrit ligjor dhe harmonizimit të kuadrit rregullator, duhet që infrastruktura e përgjithshme e ofrimit të shërbimeve të pagesave të fillojë të operojë plotësisht në kanale dixhitale.
Sfidat e mikrofinancës janë të lidhura më sfidat e mikrondërmarrjeve, fermerëve dhe konsumatorëve individë të cilët janë duke përballuar vështirësi të ndjeshme financiare për shkak të ngadalësimit ekonomik dhe krizës që po kalojmë. Niveli i lartë i pasigurisë, ulja e të ardhurave, rritja e papunësisë dhe mungesa e investimeve janë probleme me të cilat përballet ekonomia jonë e brishtë çdo ditë.
Mikrofinanca me fleksibilitetin dhe shpejtësinë e saj përmbush misione financiare të cilat, në një masë të madhe nuk ofrohen nga sistemi bankar. Ajo lehtëson kushtet e financimit, kursimit dhe depozitimit duke reduktuar problemet me informalitetin, të drejtat ligjore dhe pronësisë. Nga kjo vijnë edhe vështirësitë më të mëdha – pikërisht në natyrën tipike të funksionimit dhe profilit që ka kjo industri. Duke punuar me një segment të popullatës me akses të kufizuar në fonde dhe edukim financiar, si dhe fermerë të zonave të thella rurale dhe nivele informaliteti relativisht më të larta se subjektet e tjera, për t’i bërë këto burime të arritshme, institucionet harxhojnë më shumë kohë dhe resurse që në fillimet e procesit të kreditimit, verifikimin e nivelit dhe burimin e të ardhurave deri në shlyerjen e pagesave dhe rikuperimin e kredive joperformuese.
Problemet shtohen edhe nga mungesa e një sistemi të unifikuar informativ mbi rregullsinë e pagesave utilitare dhe të taksave si një ent i pavarur, zyrtar dhe me të dhëna të plota për historikun e pagesave, të dhënat e të cilave do të ndihmonin në krijimin e një profili më të plotë të klientit, i cili më pas mund të financohej në mënyrën e duhur pa rritur barrën e tij financiare përtej kapaciteteve paguese ose në të kundërt të financohej më pak se mundësia e ripagimit për shkak të mungesës së këtij informacioni të unifikuar.
Aktualisht, mikrofinanca ka projekte shumë serioze dhe aktive lidhur me transformimin dixhital dhe shërbimet online. Disa nga anëtarët tanë “fintech” janë shembull në nivele rajonale, por duhet thënë që ka disnivel në këtë aspekt dhe secili është në faza të ndryshme zhvillimi me pengesa të natyrave të ndryshme. Janë krijuar platforma të reja, disa prej tyre “end-to-end” për produkte të caktuara, dhe lidhje me ndërmjetës dhe ente fintech të ndryshme për pagesa e transferta elektronike.
Nga pikëpamja operacionale procedurale, një sfidë më vete është dhe “firma elektronike” ku procesi i njohjes, verifikimi i autenticitetit dhe aprovimit nuk është i plotë dhe i standardizuar duke vështirësuar identifikimin në distancë të klientëve, koordinimin me “e-albania”, “QKB” dhe “AKSHI” gjë që vonon procesin, sidomos kur punohet me NMV dhe start-upet.
Në drejtim të lobimit dhe mbështetjes së institucioneve të mikrofinancës, shoqata konsideron si partner kyç dhe të një rëndësie parësore bashkëpunimin me organet qeveritare, autoritetet financiare, si edhe autoritetin rregullator dhe mbikëqyrës: Bankën e Shqipërisë.
E vendosur në kryerjen më së miri të rolit të saj proaktiv të fuqizimit të ekonomisë së vendit, përmirësimit të jetës së familjeve shqiptare dhe edukimin e përfshirjen financiare të popullatës, shoqata në emër të anëtarëve të saj, do të vazhdojë të veprojë me profesionalizëm, transparencë, etikë të mirë biznesi dhe do të promovojë më tej produkte e shërbime inovative dhe miqësore me natyrën dhe klimën.
Elona KOLA
Sekretare e Përgjithshme e Shoqatës Mikrofinanca Shqiptare
Nëse doni të lexoni më tej për raportin vjetor për vitin 2022 të AMA-s, ju lutem gjeni linkun si më poshtë:
http://ama.com.al/publication/ama-raporti-vjetor-2022/