Meta pret një përfaqësi të komunitetit shqiptaro-amerikan: Erdhën nga SHBA për të nderuar Bujar Nishanin

141
Sigal

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka pritur sot në takim një përfaqësi të komunitetit shqiptaro-amerikan, të cilët kanë ardhur në Shqipëri për të nderuar ish-Presidentin Bujar Nishani, i cili u nda nga jeta pak ditë më parë.

Me anë të një postimi në Facebook, Kreu i Shtetit thotë se i ka falënderuar për respektin e tyre ndaj veprës dhe figurës së Nishanit, ndërsa thekson se  me komunitetin kanë ndarë të njëjtën vlerësim për kontributin që ish-Presidenti ka dhënë për diasporën.

“Mirëprita sot në një takim vëllazëror një përfaqësi të nderuar të komunitetit shqiptaro-amerikan, të kryesuar nga veprimtari i njohur i çështjes shqiptare, Harry Bajraktari, që kanë ardhur në Tiranë për të bërë homazhe dhe shprehur ngushëllimet në emër të diasporës tonë në SHBA për ndarjen nga jeta të ish-Presidentit Nishani.

I falenderova me mirënjohje për respektin e tyre ndaj veprës dhe figurës së ish-Presidentit Nishani dhe ndamë të njëjtin vlerësim për kontributin e Tij të vyer në mbështetjen e pakursyer për diasporën shqiptare në SHBA, si dhe për angazhimin e palodhur në forcimin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane”, shkruan presidenti Meta.