Mësuesit e bio-kimisë punojnë shefa ushqimi, kimistët ushqimorë nuk pranohen as mësues

1008
Sigal

 

GazetaTelegraf/

Një letër në “Telegraf”, si kujtesë për drejtuesin e ri çam të Autoritetit Kombëtar të ushqimit, pastro AKU-në nga llumi dhe paaftësia

 

Në shkrimet tuaja të njëpasnjëshme, keni folur për probleme të ndryshme për AKU-në, por ajo që është me absurdja dhe banalja është mbushja e saj me shefa dhe inspektorë kontrolli në qendër e në bazë, pajisur me diploma mësuesie. Nuk ka shtet në botë, që inspektorët e sigurisë ushqimore t’i marrë me profesion mësues për lëndët biologji-kimi, të cilët për më tepër, nuk kane punuar asnjë ditë as si mësues (Kujtesë “Telegraf”: Pa llogaritur ata zyrtarë, shefa e kontrollorë të punësuar në AKU me diploma si mësues në lëndë të tjera dhe me diploma false). Në historinë e inspektimit ushqimor shqiptar, nuk ka pasur ndonjëherë mësues biologji-kimie në detyrën “inspektorë”. Mirëpo ja që AKU është mbushur me mësues dhe këta “i mban ngrohtë kupola e AKU. Inspektimi është art, inspektori kontrollon zbatimin e ligjit të sigurisë dhe cilësisë ushqimore tek prodhuesi e tregtarët, magazinuesit por edhe këshillon në raste paqartësie e abuzimesh. Kur biznesi ka problem teknik, kërkon zgjidhje. Inspektori që nuk është specialist, nuk mund të japë zgjidhje. Në inspektorate nuk bëhet shkencë, por kryhet veprimtari inspektuese. Ndryshimi është absurd: mësuesi studion në shkollë lëndën e biologjisë dhe të kimisë e fund diplomohet, se si këto njohuri t’i transmetojë tek nxënësit. Mirëpo këta kanë gjetur strehë të ngrohtë brenda AKU. Si? Mbasi konkurrojnë për inspektorë, ata nuk tregojnë aftësi kontrolli ushqimor, por riprodhojnë në mënyrë mekanike leksionet universitare të mësuesisë dhe ligjet mbi të cilat mbështetet konkurrimi (u rekomandohen si tezë provimi), por pa asnjë aftësi inspektimi, mbasi nuk kanë asnjë lidhje me ato që ka studiuar, por që fiton konkursin për vendin e punës si inspektor e madje edhe si shef sektori i kontrollit ushqimor! Testet për t’u pranuar si inspektor në AKU, nuk verifikojnë aftësi teknike. Duke qenë se mësuesit uzurpojnë me konkurse fiktive e me miqësi vendet e punës së biokimistëve teknologëve ushqimorë të specializuar në sektorin e sigurisë dhe cilësisë ushqimore, këta mbeten jashtë sistemit. madje edhe jashtë sektorit arsimor, mbasi nuk pranohen në punë, as si mësues. Mirëpo ka një paradoks deri në skandal. Ministria e Arsimit, nëpërmjet Drejtorive Rajonale Arsimore (DAR), kanë një specializim perfekt të inspektorëve të AKU. Inspektori (teknologu ushqimor) që ka kryer studimet për biologji-kimi me rezultate shumë të mira dhe me eksperience pune, inspekton mësuesit që japin këtë lëndë e kështu me radhë. A nuk është padrejtësi e krim shërbimesh publike e administrative deri në sigurinë e jetës së popullatës, që me qindra të rinj që kanë mbaruar shkollën e lartë për specialistë prodhimi në fushën e industrisë ushqimore, të lihen pa pune dhe vendin e tyre në AKU, të emërohen mësues, madje edhe teknikë ndërtimi, violinistë e tornitorë? A nuk është habi e madhe, që mësuesi të kontrollojë se si e ushtron profesionin një prodhues buke, bulmetrash, pijesh, përpunues mishi e produktesh të tjera ushqimore, deri edhe kontrolle në importin e ushqimeve? Si e prodhon bukën, si e prodhon verën një enolog, si i prodhon ëmbëlsirat një pastiçier, si prodhohet mielli, biskotat, si trajtohen ushqimet etj?! Mësuesit, praktikat mësimore i kanë bërë për të mësuar metodikën e mësimdhënies dhe jo në prodhim, jo në treg? Mirëpo, ja që në vitin 2016, sigurinë ushqimore nga ferma, deri në tavolinë e kontrollojnë mësuesit! Në administratën e AKU në qendër e në rajone, ka edhe mësues gjuhë letërsie, fizike, infermierie, muzike, fizkulture, gjeografie etj.! Por nuk ka teknologë ushqimorë! Mësuesit duhet t’i bashkohen armatës së madhe të mësuesve, duke punuar për atë sektorë për të cilin kanë studiuar. Është e pafalshme për organet që bëjnë politikat e punësimit, që punësojnë mësues si inspektorë e shefa të kontrollit ushqimorë! Lind pyetja: A ka ndonjë biznes prodhimi ushqimor, që pranon për specialist prodhimi, një mësues biologji-kimie, apo muzike e fizkulture? Jo! Po AKU që kontrollon prodhimin, tregun, fermat, importin e ushqimeve, përse pranon mësues dhe nuk pranon e largon specialistët e teknologjisë ushqimore?! Po e konkretizoj me një fakt: Ka 3 vite djali im, që aplikon për inspektor në AKU, nisur prej  shkollimit universitar që ka kryer në degën “Kimi Ushqimore”. Ka kryer praktika profesionale në të gjitha llojet e bizneseve ushqimore, por nuk pranohet si inspektor  kontrolli në AKU, ndërkohë që në vend të specialistëve janë punësuar mësues që edhe nuk kanë punuar asnjë ditë mësues në profesion!

SHËNIM: A është kjo letër e ardhur në “Telegraf”, një kujtesë për drejtuesin e ri çam të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, për të nisur pastrimin e AKU nga paaftësia (pa harruar llumin korruptiv), gjë për të cilën “Telegraf” i ka kërkuar zyrtarisht drejtorit të AKU, informacion lidhur me arsimin e punonjësve dhe drejtuesve të sektorëve të institucionit, ku ai është emëruar me “përzgjedhje” prej partisë çame!

 

MERITA HOXHA,

Tiranë