Mesazhi i presidentit Ylli Ndroqi, për Vitin e Ri 2021 : “Jemi më të motivuar se kurrë!”

1126
Sigal

Në prag të festës së ndërrimit të viteve, Presidenti i Yldon Media Group, zoti Ylli Ndroqi, ka përcjellë një mesazh urimi për stafin e Rtv Ora e Ora News dhe mbarë qytetarët shqiptarë, duke i uruar për një vit të mbarë dhe të paqtë.

Mesazhi
Në orët e fundit të një viti të gjatë, të pazakontë, të mbrapshtë, të gjithë i kthehemi shpresës se kapërcimi simbolik nga një 12 mujor në një tjetër do të shënojë edhe fillimin e ringritjes.

I drejtohem me dashuri e mirënjohje familjes sime të madhe Yldon Media Group, që u vu në dispozicion të shqiptarëve nëpërmjet dy kanaleve seriozë e profesionalë të komunikimit RTV Ora e Ora News pa ndërprerje, në mes karantine, alarmi, frike, sulmi e pasigurie për t’i informuar e kthjelluar, ndihmuar e orientuar, në kohët më të vështira për vendin, për vetë median tonë e mbarë njerëzimin.

Duam të besojmë dhe duhet,  sepse sado kërcënuese të ngjajë kjo botë mbledhur grusht prej një armiku të padukshëm, tani është koha më e mirë për të rinisur me ide e prioritete të reja, për të ndërtuar jetën edhe më mirë se para pandemisë, duke dashur e respektuar më shumë veten, tjetrin, jetën.

Ndaj dua të uroj çdo shqiptar, brenda e jashtë kufijve, të njohur e të panjohur, çdo familje që u përball me fatkeqësinë, duke humbur njerëzit e shtrenjtë, të afërm e miq dhe që ende është duke luftuar me kurajo të keqen që na ka zënë, të fitojë sa më shpejt shëndetin e plotë, të gjejë qetësinë, forcën, sigurinë dhe paqen e merituar në një botë më të mirë.

U shpreh ngushëllimet atyre që do të hyjnë në një vit të ri me humbje të pazëvendësueshme. Ju ndjej më shumë se kurrë si vëllai e i afërmi me zemrën plagë, që humbi plot 6 njerëz të shtrenjtë në familje dhe shumë miq e kolegë përgjatë betejës me Covid-19.

Por edhe si çdo shqiptar i lënduar nga shuarja e shumë personaliteteteve të elitës kombëtare, nga radhët e bluzave të bardha, mjekë të shquar, artistë e intelektualë, gazetarë e pronarë mediash që me ikjen e parakohshme tronditën pasurinë shpirtërore, kulturore e shkencore të vendit.

Ne foto: Presidenti i Yldon Media Group, Ylli Ndroqi në zyrën e tij

Në nder të punës, talentit e kontributit të tyre, në respekt të të afërmve që na lanë dhimbjen e pamajisur, të heronjve të vijës së parë që ruajnë jetën tonë na takon të ringrihemi, së bashku, më të fortë se kurrë për të mundur të keqen me durim, solidaritet e respekt për njëri-tjetrin.

Ne jemi më të motivuar se kurrë. Suksesi ynë do të jetë buzëqeshja në fytyrën e fëmijëve, qetësia e të moshuarve, liria e të rinjve për të zgjedhur e provuar veten, llogaridhënia e transparenca e autoriteteve, zbardhja e të vërtetave, demaskimi i mashtrimeve, korrupsionit dhe vjedhjes së pasurisë publike, kontributi për mirëqënien e mirëqeverisjen e shqiptarëve, sidomos në një vit të ngarkuar zgjedhor.

Dhe këtë mision do të vijojmë ta kryejmë edhe me më shumë përkushtim e krenari pasi këtë vit kaluam prova të vështira përballë publikut dhe fituam besimin e tij si përgjatë izolimit të madh prej pandemisë, ashtu edhe gjatë izolimit të vogël prej sulmeve e padrejtësive në gushtin e nxehtë.

Për ne shtatori nisi me dy beteja, në dukje thuajse të pamundura, njëra për shëndetin e tjetra për mbijetesën prej sulmit ndaj fjalës së lirë.

Provat që kaluam nuk dëshmuan dobësinë, por forcën e të vërtetën tonë, armët e vetme të fitores me dinjitet. Dhe ia dolëm, për këtë po shpërblehemi çdo ditë e më shumë nga vëmendja e një audience në rritje. Mediat tona mbeten platforma ku flasin të gjithë…

Ju jam mirënjohës ju si publik, stafit, që punoi orë e pa orë në kushte të jashtëzakonshme dhe i besoi deri në fund një beteje të drejtë. Falënderoj me zemër çdo punonjës të Yldon Media Group, që i rezistoi me kurajo vitit më sfidues profesional, çdo partner e bashkëpunëtor që na besoi e beson,  familjen time për mbështetjen si dhe çdo shqiptar në vend e Diasporë që sot cilëson RTV Ora dhe Ora News si burimin e besuar dhe të pavarur drejt mirinformimit, të vërtetës e argëtimit, me premtimin se do të jemi ngahera në shërbim të interesit publik.

Gëzuar për një rikthim të shpejtë në normalitet, duke ushqyer shpresën, e vetmja më e fortë se frika. Gëzuar për shëndetin tuaj e të të shtrenjtëve! Shërimi vjen kur nuk lejojmë dëmet të na kontrollojnë jetën dhe mrekullitë arrijnë kur besojmë! Gëzuar e ardhtë i bekuar viti 2021 për çdo shqiptar!