Mërzitet në paraburgim, i vendos zjarrin dhomës

547
Sigal

Flakët kanë vënë në rrezik jetën e të burgosurve. Alarmohet policia e Beratit, dyshohej për tentativë arratisje

Një zjarr i vënë qëllimisht në orën 10:00, në një nga dhomat e paraburgimit ka alarmuar forcat e policisë së burgut dhe ato të rendit në qytetin e Beratit. Burime nga burgu, bëjnë të ditur se një i arrestuar, i ka vënë zjarrin krevatit me gjithë dyshekun prej sfungjeri dhe batanijet që mbulohej. Nga flakët janë djegur edhe orenditë e tjera që ndodheshin në dhomë. Zjarri është vënë re nga policët e shërbimit vetëm kur ka filluar të dilte tymi në korridoret e paraburgimit. Menjëherë policët e shërbimit kanë dhënë alarmin dhe janë drejtuar nga dhoma, prej nga vinte tymi. Policët e shërbimit të përforcuar dhe nga polica e gatshme kanë marrë masa të shpejta për të parandaluar përhapjen e zjarrit, si dhe kanë siguruar jetën e të burgosurve që ndodheshin në dhomën, ku kishte rënë zjarri. Pas konstatimit të zjarrit, është njoftuar nga ana e Drejtorisë së Burgut edhe zjarrëfiksja, e cila ka shkuar në vendngjarje për të shmangur përhapjen e flakëve si dhe fikjen e zjarrit ekzistues. Polica e burgut në këto momente ka marrë masa në mënyrë që të mos përhapej panik në burg, por, gjithashtu, ka marrë masa edhe për të parandaluar ndonjë tentativë arratisje që mund të kryhej në momentet që policia ka qenë në lëvizje për të fikur zjarrin, sepse dyshimet e para u hodhën pikërisht për këtë gjë. Pas normalizimit të gjendjes në burg, policia ka marrë në pyetje të burgosurin, që i kishte vënë zjarrin dhomës. Ky i arrestuar, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur nga uniformat blu, priste të dilte në gjyq për të marrë dënimin, sipas veprës penale që ai kishte kryer. Mësohet se personi që ndodhet në paraburgim është shprehur se i është mërzitur jeta në dhomat e paraburgimit dhe në shenjë hakmarrje i ka vënë zjarrin dhomës, sepse sipas deklaratës së tij, ai para arrestimit ishte mësuar me një jetë aktive, të mbushur me aktivitete nga më të ndryshmet dhe mbylla e tij në dhomën e paraburgimit i ka shkaktuar atij stres dhe depresion dhe mënyra më e mirë për të shfryer zemërimin sipas tij, ishte vënia e zjarrit. Pas normalizimit të situatës drejtuesit e burgut, kanë marrë masa për ajrosjen e godinës, e cila ishte mbushur me tym pasi dihet se dysheku sfungjer, ka erë të rëndë.