Merr flakë trageti me 478 vetë I drejtohet brigjeve shqiptare

571
Sigal

KORFUZ – Një traget italian me 478 persona në bord i nisur nga Igumenica për në Ankona të Italisë, u përfshi nga flakët si pasojë e një incidenti në garazhin e anijes, rreth orës 04:30, për shkaqe ende të papërcaktuara. Në operacionin e shpëtimit janë përfshirë autoritetet italiane, shqiptare e greke, dhe deri më tani është mundësuar evakuimi i 170 personave.

422 prej tyre janë pasagjerë, mes tyre gra e fëmijë dhe 56 anëtarë të ekuipazhit, ndërsa trageti mbante edhe 222 automjete. Pas mëse 6 orësh operacion, flakët janë shuar, por kushtet atmosferike e bëjnë mjaft të vështirë operacionin e shpëtimit ku këtë të dielë deti karakterizohet nga dallgë të mëdha dhe erëra të forta.

Operacioni i shpetimit i veshtire, pasagjeret u ngjiten ne pjeset e siperme te anijes
Incidenti u raportua nga një telefonatë në A1 REPORT e më tej nga mediat greke dhe ato italiane. “Norman Atlantic” mori flakë rreth 12 milje nga Vlora. Flakët u përhapën në katet e poshtme të tij, ndërsa anijet e shpëtimit e kanë të vështirë operacionin, pasi pasagjerët janë ngjitur në pjesët e sipërme të anijes për t’i shpëtuar flakëve. Vështirësi krijuan edhe erërat e forta dhe flakët e mëdha të zjarrit.

Kapiteni: Trageti do të vijë drejt Shqipërisë
Kapiteni i anijes ka mundur të vihet në kontakt me Kapitenerinë e Portit ndërsa flakët ende nuk ishin shuar.”Trageti është në flakë të pakontrollueshme, ndërsa trageti do të shkojë drejt Shqipërisë”, tha kapiteni.

Deshmia e pasagjerit: “Kepucet na digjeshin nga i nxehti”. Disa persona u hodhen ne det 
“Këpucët filluan të na shkriheshin nga i nxehti ndërsa ishim në zonën e pritjes”, kështu rrëfen për televizonin grek Mega, një nga pasagjerët e “Norman Atlantic”.

Ekuipazhi i anijes pas dhënies së alarmit filloi procedurat e evakuimit, ndërsa disa nga pasagjerët janë hedhur në det nga frika.

Në operacionin e shpëtimit, 7 anije, helikopterë e avionë
Në ndihmë të pasagjerëve mbërriti anija e parë italiane “Sprint” që bëri evakuimin e parë të 30 pasagjerëve, e më tej u përfshinë 7 anije të tjera, një prej të cilave shqiptare. Sakaq, 3 helikopterë shpëtimi të ushtrisë greke u ngritën në fluturim, por edhe një avion “C-130” për mbështetje kërkim-shpëtimi u dërgua në vendngjarje.

Në operacionin e shpëtimit, edhe anija shqiptare “Butrinti”
Ministria jonë e Mbrojtjes është përfshirë në këtë operacion shpëtimi, përmes anijes “Butrinti”, për të mundësuar evakuimin e pasagjerëve nga trageti “Normal Atlantic”. Sakaq, shefi i Shtabit të Përgjithshëm grek ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura, Jeronim Bazo. 

Kodheli në komunikim të vazhdueshëm me homologen italiane
Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli është vënë në komunikim të vazhdueshëm me homologen e saj italiane, Pinnoti për situatën dhe ndjekjen e operacionit të evakuimit.

Ministri grek i Marines: Ky, operacioni me i veshtire qe kemi bere ndonjehere
Ministri grek i Marinës, Miltiadis Varvitsiotis tha se ky është operacion i vështirë për shkak të erës së fortë deri në 55 milje (88 kilometra) për orë, ndërsa zjarri e bën operacioni ekremisht të komplikuar.

“Ne jemi duke bërë gjithçka mundemi për të shpëtuar pjesëtarët e bordit, dhe asnjë nuk do të mbetet pa u ndihmuar në këtë situatë të vështirë. Është një nga operacionet e shpëtimit më të komplikuar që kemi bërë ndonjëherë”, u shpreh për gazetarët ministri Varvitsiotis.

Ministri grek i Mbrojtjes: Jemi ne gadishmeri maksimale
Pas njoftimit ministri i Mbrojtjes së Greqisë, Nikos Dendias kontaktoi me kryeministrin Samaras duke dërguar helikopterë nga Athina për shpëtimin e pasagjerëve që ndodhen në anije. “Ajo që mund të bëjmë është që të evakuojmë pasagjerët individualisht nga ajri, pasi situata është shumë e vështirë  si pasojë e motit të keq. Unë kam besim dhe shpresoj që gjithçka do të shkojë mirë dhe nuk do të ketë të lënduar, pasi në bashkëpunim me palën italiane jemi në gatishmëri maksimale” shprehet Nikos Dendias.

Pasagjeret: Nuk ka aspak koordinim
Sipas medieve greke, pasagjerët fajësojnë mungesën e koordinimit gjatë evakuimit duke e cilësuar shumë të dobët. “Ata po përpiqen të ulin disa varka shpëtimi, por jo të gjithë pasagjerët mund të hipin mbi to. Nuk ka aspak koordinim”, tha një prej të rrezikuarve.

“Është errësirë, ndërsa fundi i tragetit është përfshirë nga flakët. Ne jemi në pjesën e përparme, pamë një varkë që po afrohet… hapëm disa kuti të ndihmës së shpejtë dhe morëm disa jelekë shpëtimi, po përpiqemi të shpëtojmë veten”, janë disa nga komentet e raportuara në lidhje të drejtpërdrejtë me televizionet greke.