Me shpejtësi 169 km/h, policia u heq patentën 8 shoferëve (Video)

322
Sigal

Policia rrugore ka vijuar aksionin me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore. Bëhet me dije se aksioni i policisë u shtri gjatë natës në aksin e Saukut, ku janë ndëshkuar 8 drejtues mjetesh. Mes të tjerash, policia i bën thirrje drejtuesve të mjeteve që të tregojnë kujdes.

Njoftimi i policisë

Monitorim i pandërprerë me radar e patrullime nga shërbimet e Policisë Rrugore me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore
Vijon të ndodhë në aksin rrugor Sauk-Teg, aks me risk për ngjarje rrugore

Edhe pse rruga monitorohet me radar  e patrullime të shpeshta të Policisë, përsëri në këtë segment ka drejtues mjetesh që abuzojnë me shpejtësinë.
Vetëm gjatë orëve të mbrëmjes e deri në orën 00.30 të mëngjesit të sotëm, në këtë segment rrugor janë evidentuar dhe ndëshkuar me tërheqje të Lejes së Drejtimit, 8 drejtues mjetesh të cilët brenda 10 ditëve do të paraqiten në OASH, pasi drejtonin mjetet me shpejtësi që varionte nga 154 km/h deri në 169 km/h.

Shpejtësi kjo kur rruga ishte me lagështirë dhe fluksi i lëvizjes ishte akoma i lartë, duke rritur rrezikun për përfshirje në aksident rrugor.

Drejtues mjetesh: Shijoni fundjavën por mos fluturoni të arrini aksidentin apo të dorëzoni patentën. Qëllimi i Policisë Rrugore nuk është as gjoba, as heqja e patentës, është vetëm dhe vetëm siguria e jetës në rrugë, rritja e parametrave të sigurisë së jetës në rrugë.

Respektoni rregullat e qarkullimit rrugor që destinacioni juaj të jetë i sigurt dhe ju të shkoni bashkë me patentën tek familja, ajo ka nevojë për ju.