Me çantën e bukës në dorë po shkonte në punë, kush është 62-vjeçari që u përplas për vdekje nga i riu në Durrës

198
Sigal

I dërguar me urgjencë në spital, Dalip Gjoka, 62-vjeçari me origjinë nga Dibra dhe prej shumë vitesh banor në Xhafzotaj nuk arriti të mbijetonte.

Babai i 5 fëmijëve ishte me çantën e bukës në dorë dhe po përshkonte rrugën drejt vendit të punës, kur ndodhi përplasja fatale. Fatkeqësisht, ai nuk mundi të mbërrinte kurrë në destinacionin për ku ishte nisur.

21-vjeçari A.L. që drejtonte mjetin “Audi” u shoqërua fillimisht në ambientet e Policisë për veprime të mëtejshme proceduriale, ndërsa disa orë më pas policia njoftoi se e kishte arrestuar në flagrancë.

“Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë e Policisë Durrës, arrestuan në flagrancë shtetasin A. L., 21 vjeç, banues në Xhafzotaj, Durrës, pasi ditën e sotme në Xhafzotaj, ka aksidentuar këmbësorin shtetasin D. Gj., 62 vjeç, i cili si pasojë e plagëve të mara ka ndërruar jetë në spital. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtjeshme”,– njoftoi policia për ngjarjen.