Mbushen spitalet/ Situata në Tiranë alarmante, regjistron gjysmën e numrit të viktimave dhe infeksioneve

217
Sigal

Në Tiranë duket se situata po del jashtë kontrollit, pasi numri total i rasteve aktive të COVID ka shkuar në 18363.

Situata paraqitet serioze edhe në Fier, ku janë 2689 raste pozitive, ndërsa edhe Durrësi, Shkodra dhe Vlora kanë mbi 1500 raste aktive.

Por të ndalemi në kryeqytet. Në total sot u regjistruan 1130 raste të reja me COVID, ku gjysma, 535 të tilla ishin vetëm në Tiranë. Numër i lartë infeksionesh sot u regjistrua edhe në Elbasan, Kurbin dhe Vlorë.

Edhe përsa i përket numrit të vdekjeve, Tirana mban vendin e parë, pasi 6 nga 13 viktimat ishin nga kryeqyteti.

Si paraqitet situata në spitale?

Numri i shtrimeve në spitale vazhdon të njohë rritje, ku sipas të dhënave të raportuara nga autoritetet vetëm në 20 ditët e fundit janë rritur me 48%.

Aktualisht në 4 spitalet COVID, po trajtohen 431 pacientë, 25 në terapi intensive nga të cilët 12 pacientë janë të intubuar.

Në një situatë të tillë, ku është artikuluar edhe mundësia e mbylljes më herët në mbrëmje, kërkohet një angazhim më serioz nga qytetarët dhe autoritetet, për të shmangur ndonjë skenar fatal.