Baret e restorantet do mbyllen në 20:00, përfaqësuesi i shoqatës: Jemi në kushtet e mbijetesës

204
Sigal

Përfaqësues i shoqatës së bareve dhe restoranteve, Endri Jahaj, ishte ditën e sotme i ftuar në emisionin “Shqipëria Live” për të folur rreth vendimeve të fundit në lidhje me masat e reja për parandalimin e Covid-19.

“Ndalimi i aktiviteteve të bareve, restoranteve, klubeve, nga ora 20:00 e mbrëmjes – 06:00 të mëngjesit (me përjashtim të shërbimit delivery), duke filluar nga dita e enjte, datë 11 Shkurt – 25 Shkurt”, është një nga vendimet e marra ditën e sotme.

Lidhur me këtë, Endri u shpreh se ishte lajm që e prisnin, pasi kishte që dje që qarkullonte si lajm.

“Do ishte surprizë nëse do të kishte një vendim tjetër. Ne nuk presim ndonjë gjë të madhe se nuk kemi pritur. Edhe kur u rihapëm nga pandemia, biznesi nuk u ndihmua në asnjë sekondë.  Ishin të gjithë në mëshirë të fatit, kishin për të paguar qiranë, për të paguar punonjësit. Nuk kemi patur ndonjëherë ndihmë. Nëse jemi ne ato që përhapim virusin, të na mbyllin dy javë, të na kompensojnë me pagesat dhe të shohin a ulen apo rriten rastet e reja”, tha ai.

Përfaqësues i shoqatës së bareve dhe restoranteve shtoi se për momentin nuk do të ketë shkurtime në punë, pasi është i caktuar afati i këtyre masave.