Mbledhja e KLD-së, “rrëzohen” propozimet e ministrit Nasip Naço

503
Sigal

Ka nisur në drejtimin e Presidentit të Republikës, Bujar Nishani mbledhja e Këshillit të Lartë të Drejtësisë ku është prezent edhe ministri i Drejtësisë, Nasip Naço. Siç ishte paralajmëruar në njoftimin e djeshëm të KLD në rendin e ditës së mbledhjes nuk janë shtuar asnjë nga 3 kërkesat e Naços. Bëhet fjalë për procedimin disiplinor për inspektorin e KLD, Arjan Qafa, i cili akuzohet për deklarime të rreme për të ardhurat e bashkëshortes 70 mijë euro nga puna part time si shitëse në butik dhe mësuese në Balldre-Lezhë për vitet 2004-2008. Si dhe 8 mijë euro dhuratë. Apo për zgjedhjen e kreut të gjykatës së Durrësit dhe emërimin e ish kryetares së Gjykatës Shpresa Beccaj si gjyqtare në Tiranë. Në rendin e ditës të miratuar nga KLD janë zgjedhjet për kryetar të gjykatave të shkallës së parë në Lushnje, Fier, Korçë e Tropojë. Si dhe për emërimin për 1 vend vakant në Gjykatën e Faktit të Krimeve të Rënda dhe 2 vëndeve vakant në Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda. Me këto ndryshime në apelin e krimeve të rënda zihet edhe vendi i ish Kryeprokurores Ina Rama, ku sipas ligjit ajo mund të kthehet në detyrën që ka patur.