Mbi 300 mijë njerëz mbushin rrugët dhe sheshet e Elbasanit

855
Sigal

Dita e Verës, mysafirë, politikanë e ambasadorë

Dita e Verës, dje, zgjoi zhurmshëm Elbasanin, qytetin që ruan me fanatizëm prej shekujsh “pronësinë” e kësaj feste pagane. Aktivitetet kanë nisur qysh në datën 14 Mars, që në orët e para të mëngjesit, ndërsa në rrugët e qytetit numëroheshin mbi 300 mijë qytetarë jo vetëm nga Elbasani dhe rrethinat e tij, por nga i gjithë vendi. Karnavalet e shkollave 9-vjeçare, dhe të mesme, kanë hapur axhendën e veprimtarive artistike e kulturore. Të inkuadruar në kolona rreshtore me pankarta në duar, si: “Ne jemi e ardhmja”, “Stop dhunës”, “Mbani pastër mjedisin” etj., qindra fëmijë kanë qenë pjesë e dekorit të festës tradicionale, me veshjet e tyre, duke hedhur edhe parulla për paqe dhe lumturi. Pasi ka përfunduar parakalimi i nxënësve të shkollave, komuniteti rom dhe Bashkia Elbasan organizuan një koncert për fëmijët në sheshin para kalasë së qytetit. E veçanta e festës së Verës, ishin rrugët e mbushura plot me njerëz, të cilët nuk harruan të shijojnë edhe një nga specialitetet e kësaj dite, “Ballakumen”. Festa e Verës kishte mysafir dje në Elbasan edhe kreun e PD Lulëzim Basha, dhe ambasadorë të huaj. Zoti Basha ka uruar gjithë qytetarët e Elbasanit dhe Shqipërisë, duke u shprehur: “Kjo ditë sjelltë më shumë gëzim dhe hare, brenda një kohe shumë të shkurtër kjo festë është pasuar me gëzime të tjera, siç janë rruga e re Tiranë-Elbasan, e shumë gëzime të tjera për shqiptarët, Dita e Verës festohet edhe në Tiranë, por rrënjët kjo traditë e bukur i ka në Elbasan”. Rreth orës 12.40, në Elbasan ka mbërritur për të bërë urimin edhe Kryeministri Rama, i cili ka deklaruar nga panairi i Ditës së Verës se, “ky vit është vit i mbarë, do të sjellë begati për shqiptarët dhe gëzime të tjera, po ashtu ne jemi të vendosur të përkrahim dhe mbështesim sipërmarrjen private, vendi ka nisur rrugën e zhvillimit”. Dita e Verës, që nënkupton në fakt ardhjen e pranverores, ka data të ndryshme në zona të ndryshme të vendit. Ndërsa 14 marsi është festuar historikisht në Elbasan, ndaj ky qytet vazhdon ta ruajë edhe sot të fortë traditën, natyrisht gërshetuar me elementë të rinj, që ende s’kanë një emër, por janë aktivitete festive masive. Festa vazhdoi me xhiro në bulevardin kryesor “Qemal Stafa”, ku më të rinjtë iu bashkuan grupit të karnavaleve nga shkollat e qytetit. Biznesi kishte ngrehur tenda, ku shërbente produkte të ndryshme, dhe ku natyrisht nuk mungonin ballokumet. Në Elbasan, këtë vit, veç të ardhurve nga qytetet e tjera te Shqipërisë, kishte edhe qindra qytetarë të Kosovës dhe Maqedonisë. Në orët e para të mëngjesit qytetarë të Elbasanit, por edhe të rinj të ardhur nga rrethet kanë dalë në rrugët kryesore të qytetit për të shijuar muzikën, numrat e cirkut, koreografitë pse jo dhe ballokumet e Ditës së Verës. Një atmosferë me të vërtetë festive 14 marsi, pasi kjo festën  tashmë është kthyer në traditë. Mijëra vetë bashkë me familjet e tyre, kanë udhëtuar drejt Elbasanit, aty ku ka origjinën “Dita e Verës” dhe ku ballokumet kanë tjetër shije. Të pyetur nga “Telegraf” qytetarët thonë se “kjo është një ditë e bukur për shëtitje dhe mundësi e mirë për të kënaqur të vegjlit që ndjekin minikoncertet që po zhvillohen nëpër rrugët kryesore të Elbasanit”. E gjitha është organizuar nga Bashkia e Elbasanit. Kështu në orën 10.00 në sheshin para Sahatit tek Rrapi Bezistanit, ka nisur koncerti i ansamblit “Isuf Myzyri” me këngë e valle, po kështu pranë këtij sheshi gjenden akrobatët dhe klounët e cirkut që po japin shfaqje për fëmijët. Ndërsa në bulevard shëtit banda e qytetit. Në çdo cep të bulevardit ishin formuar kënde ku tregtohen gatime tradicionale. Nuk mungojnë as animatorët, xhaxhi piktori, panairi i librave, etj.. Këtë vit kremtimet në qytetin e Elbasanit, zgjatën tre ditë, 12, 13, dhe 14 mars. Këtë vit protagoniste ishte Bashkia Elbasan me një gamë aktivitetesh, në 13 mars, që simbolizon edhe nisjen e përgatitjeve dhe mbrëmjen e Ditës së Verës, festa nisi me aktivitetet duke lidhur poetët me natyrën. Rreth orës 10:00 në Lulishten e Poetëve, në qendër të qytetit, ata mbollën një pemë simbolike. Më pas aktivitete u zhvendosen në ambientet e teatrit “Skampa”, ku disa poetë prezantuan librat e tyre. Këtë vit, ndryshe nga vitet e tjera, panairi u çel në orën 11:00, një ditë para Ditës së Verës. Çelja e Panairit, ku marrin pjesë dhjetëra firma, do të vazhdohej nga një paradë poetike dhe më pas ndarja e çmimeve për poetët. Në mbrëmjen e datës 13 Mars, rreth orës 20:00 filloi koncerti në sheshin qendror të qytetit me pjesëmarrjen e Ansamblit “Isuf Myzyri”, një grup folklorik grek që ka qenë i ftuar në Festivalin e Këngës Popullore qytetare. Në mesnatë Bashkia vazhdoi ritualin e fishekzjarrëve. Si çdo vit, Dita e Verës u shoqërua me krosin e nxënësve të shkollave nëntëvjeçare në shëtitoren kryesore të qytetit. Ndërkohë, me rastin e kësaj feste, kreu i Bashkisë uroi gjithë qytetarët elbasanas, dhe miqtë e të ftuarit që po e kalonin Ditën e Verës në Elbasan. Këto aktivitete u ndoqën nga shumë të tjera të ansambleve folklorike në zonat ku ishin vendosur qytetarë në ritin e përvitshëm të piknikut, si në Parkun Rinia  në Krastë, Byshek etj..