Sali BOLLATI/ Deri kur do presin çamët?!

299

Më 27 Qershor mbushen 70 vjet që nga fillimi i masakrave dhe vrasjeve terroriste të mbi 5000 njerëzve, kryesisht pleq e fëmijë të pafajshëm. dhe dëbimit të mese 30.000 shqiptarëve të Çamërisë nga trojet tona etnike, me të vetmin “faj” se kishim lindur Shqiptarë?! (Në ato kohë vazhdonte ende Lufta e II-të Botërore). Por sot, ndërsa jemi duke pritur t‘i bashkëngjitemi Bashkimit Europian, ne, të përjetuarit e pakët të atij gjenocidi të tmerrshëm, për “fajin tonë” se jemi Shqiptarë të lindur në Çamërinë Shqiptare, nuk na lejohet hyrja atje?! Ishim fëmijë, tani jemi pleq, nuk kemi pasur mundësi të bënim, dhe as që e mendojmë të kryejmë sot, ndonjë akt terrorizmi, i kujtojmë me lot në sy e me dhimbje të madhe në zemër ato kohëra shumë të llahtarshme, me brengë e mall për prindërit shumë të dashur që u masakruan dhe mbeten pa varrosur. Dhe sot, ende gjallë, na ndalohet nga “shteti demokratik grek” t’u afrohemi atyre pragjeve të shtëpive të rrënuar ku kemi lindur dhe me një tufë me lule të përulemi mbi ato vende ku na janë vrarë prindërit e pa varrosur, por të paharruar. Duke lexuar librin e historianit të nderuar z. Beqir Meta “Tensioni Greko-Shqiptar“, njihesh (se në vitin 1972, Ambasadori i Shqipërisë në Athinë, shkon e kuvendon Shqip me kryetarin e Bashkisë së Gumenicës, dhe ky i fundit i tregon se në mbi 40 fshatra të Çamërisë flitet vetëm shqip, bile shumë njerëz të moshuar nuk dinë asnjë fjalë greqisht. Dhe jo për çudi, sot, kur kemi edhe Konsullatë në Janinë, asnjëherë, nuk kam lexuar se dikush nga ajo konsullatë “shqiptare” ka vajtur për të takuar vëllezërit tanë, shqiptarët çamë të krishterë që vazhdojnë të jetojnë ( pa të drejta njerëzore), në trojet shqiptare çame. Çudia vazhdon e pashpjegueshme. Si paska qenë e mundshme që në ato kohëra, si në Greqi ashtu edhe në Shqipëri, sundonin diktaturat, njëra fashiste dhe tjetra komuniste, dhe nuk pengohej as gjuha, e a që më pak vizitat në trojet shqiptare të Çamërisë??! Ndërsa sot, paskemi nënshkruar një pakt miqësie, jemi anëtarë të NATO-s, krenohemi se jemi miq strategjikë (megjithëse ligjërisht jemi në gjendje lufte) dhe qytetarëve Shqiptarë ju ndalohet hyrja në Greqi??! Dhe “arsyeja” sepse kanë lindur në Çamëri. Pra u vramë dhe u dëbuam me dhunë se ishim shqiptarë të lindur atje, me shtetësi greke dhe sot nuk lejohemi të hyjmë atje ku kemi lindur se jemi shtetas shqiptar! A ka absurditet më të madh se ky??! T’i thërrasim “miq strategjikë” dhe të mos na lejojnë të hyjmë atje ku kemi lindur?! Po mirë se grekët njihen historikisht si të pabesë, po neve me qeveri demokratike, me zakonin e “Besës” që krenohemi se i kemi ndihmuar hebrenjtë gjatë luftës, dhe mirë kemi bërë, si nuk tregohemi tamam shqiptarë të besës dhe krenarë për t’i treguar grekut se ku e ke vendin e merituar? Greku, në kundërshtim me mbrojtjen Shqiptare, ia dorëzoi gjermanit çifutët për t’i shfarosur; por para dy vjetësh u njohu atyre shtetësinë greke (edhe pse nuk ishin etnikë atje); Dje në Korçën atdhetare të Petro N.Luarasit, e të Mihal Gramenos, konsulli grek deklaron: “Korça është Greqi”; Sot në Këlcyrën shqiptare, ministri grek Avramopulos deklaron se, varrezat për nder të ushtarëve grekë të rënë në luftë janë “prioriteti ynë më i lartë”?! Dhe flasin botërisht se ata jo vetëm luftuan kundër fashistëve Italianë, por “çliruan” edhe ata argatë grekë të punësuar në tokat e Shqiptarëve. E për të vazhduar edhe më tutje të ashtuquajturën “Megalide”-ekspansionin grek mbi pjesën tjetër të Shqipërisë Jugore, krahas varrezave, kishave dhe shkollave, si edhe me deklaratat e rreme të eurodeputetëve grekë në Parlamentin Europian për “shkeljen e të drejtave të minoritetit etnik grek”; atyre duhet t’u njihet e drejta për “autonomi” sepse “jetojnë në tokat e tyre”, të dhuruara me ligjin e famshëm Nr.7501, ligj për të cilin kohët e fundit Berisha për ironi, jo për atdhetarizëm, pranoi se e kishte miratuar gabim. Kështu plani strategjik, që prej 23 vjetësh i hartuar nga Micotaqi dhe zbatuar prej Janullatosit për greqëzimin e Shqipërisë, bëhet realitet. Ore, politikanë e qeveritarë të Tiranës edhe sa duhet të presim për të njohur dhe gëzuar të drejtat tona të firmosura si nga qeveria Shqiptare dhe ajo greke? Po ju deputetë të PDIU, si pranoni të gënjeheni me të ashtuquajtura rezoluta të (mos)pranuara??! Ne Çamët nuk kemi kërkuar ndryshim kufijsh, por kërkojmë:

1. Njohjen e dënimin, nga qeveria greke, të gjenocidit të viteve 1944-‘45.

2. Kthimin dhe gëzimin e të drejtave ligjore të pronave tona shekullore.

3. Rinjohjen e Minoritetit Shqiptar atje, me të gjitha të drejtat arsimore në gjuhen Shqipe, pjesëmarrje ligjore në administratën publike. Vetëm kështu do bëhemi ura miqësie e bashkëpunimi midis dy shteteve. Duke vënë në jetë amanetin e të ndjerit Fadil Zeqirit: “Pa lirinë çame, s’ka qetësi Ballkani!!