Maskat grabisin dhe keqtrajtojnë fizikisht dy të moshuar në Delvinë

553
Sigal

Fshatrat malore janë të pasigurt, policia në asnjë rast nuk ka bërë të mundur identifikimin e autorëve

Duke u gdhirë mëngjesi i së dielës, në fshatin Velahovë të Komunës së Mesopatamit, rrethi i Delvinës, janë grabitur dhe keqtrajtuar dy të moshuar, çifti Kostandin dhe Vasiliqi Boli, përkatësisht 87 dhe 80 veç. Hajdutët kanë hyrë nëpërmjet një shkalle portative në katin e dytë të banesës së çiftit të të moshuarve Boli. Hyrja është bërë nga dritarja e katit të dytë të dhomës, ku të moshuarit flinin. Ata janë pikasur nga gruaja e moshuar, por hajdutët kanë marrë masat duke i lidhur dhe keqtrajtuar fizikisht. Më pas kanë kryer grabitjen nga kontrolli i banesës dhe kanë kthyer përmbys gjithçka. Janë grabitur orenditë shtëpiake deri edhe dokumentacioni që dispononte çifti i moshuar me karta identiteti dhe pasaporta. Më pas janë larguar në drejtim të paditur, tabela orientuese e grabitësve dhe keqbërësve, por edhe versioni më i saktë justifikues i policisë në raste të tilla. Brenda 10 ditëve, në fshatin Velahovë, është grabitja e dytë që ndodh në banesat e fshatit. Pushteti lokal shprehet se si autor të mundshëm të këtyre grabitjeve mund të jenë personat që vijnë për vjeljen e bimëve të ndryshme medicinale dhe këto fshatra malore janë të pasigurta nga rendi dhe qetësia publike, por policia në asnjë rast nuk ka bërë të mundur identifikimin, apo ndalimin e autorëve. Dy të moshuarit janë në gjendje shoku nga tmerri dhe dhuna e ushtruar ndaj tyre, dhunë dhe veprime që në fshatrat e jugut po shtohen aq sa kemi të bëjmë me një fenomen agresiv ndaj popullsisë së këtyre fshatrave, fenomen që dashur padashur, simulohet edhe nga indiferenca e punonjësve të rendit, karshillëku i të cilëve vë në pikëpyetje banorët dhe ankthi se kush e ka radhën, i shoqëron përditë e përnatë. Përveç Delvinës edhe qyteti bregdetar i Sarandës brenda dy muajsh është kthyer në një qytet problematik. Shpërthime tritoli në godina biznesi, në automjete, vrasje njerëzish, plagosje të rënda, vjedhje banesash e njësive tregtare, dhe….mos zbardhje të autorëve. Terrori i Sarandës, si në asnjë qytet tjetër të Shqipërisë, ka domethënie, por askush nuk e vë dorën në zjarr! Kush e ka radhën?!