Pas propozimit të Ministrit të Brendshëm për rritjen e
masave të sigurisë së pikave të karburantit, që parashikon ndër të tjera
vendosjen e pompave automatike dhe heqjen e shërbimit cash, kanë reaguar
operatorët e tregut. Të kontaktuar nga Monitor ata pohojnë se vendimi është i
pazbatueshëm për shumë arsye.
-Së pari, periudha 6 mujore është
shumë e vogël, sepse duhen porositur pajisjet që të paktën duhen përshtatur që
të funksionojnë nga euro apo dollarë në lekë.
-Së dyti, për një pikë karburanti,
investimi minimal i kërkuar është rreth 35-40 mijë euro, që për rreth 1200 pika
karburanti përkthehet në kosto shtesë prej rreth 45 milionë euro, që pa asnjë
dyshim do të transferohej direkt në çmimin final që paguan konsumatori (Edhe
sot nga çmimi prej rreth 165 lekë, rreth 105 lekë, apo rreth 65% janë taksa).
-Së treti, nëse ky investim do të
bëhej, ai do të linte automatikisht pa punë mijëra punonjës. Sot në një pikë
karburanti punojnë mesatarisht 5 persona (pikat e vogla kanë të paktën tre, nga
një për turn dhe të mëdhatë arrijnë deri në 10). Mesatarisht ky investim do
nxirrte pa punë rreth 5-6 mijë punonjës.
-Së katërti, edhe në vendet e
zhvilluara nuk funksionojnë tërësisht pikat e shitjes automatike dhe ka të
paktën një pikë shitje me pompe manuale. Tjetër problem është dhe fakti që
përdorimi i kartave të kreditit në Shqipëri është i ulët dhe sërish blerjet në
pikat automatike do ishin kryesisht me cash, duke u bërë objekt i grabitjes në
momentin që do futen paratë në automat.
-Se pesti, operatorët e tregut
pohojnë se vjedhjet në pikat e karburantit nuk janë aq shqetësuese, sa të
justifikojnë një investim të tillë. Shuma maksimale e parave të vjedhura ka
arritur deri në 200 mijë lekë, ndërsa mesatarisht janë vjedhur 20 apo 30 mijë
lekë, aq sa mund t’i merren dhe një personi në rrugë, apo në një dyqan të
vogël.
Por dy elementët më të rëndësishëm
që ata veçojnë janë e para që kostot shtesë do transferoheshin në çmimin e
naftës si dhe pushimin nga puna të mijëra punonjësve që shërbejnë sot në
tregtimin me pakicë të karburanteve.
Propozimi i Tahirit
Pak ditë më parë, ministri i
brendshëm Saimir Tahiri u ka dërguar një shkresë drejtuesve të pikave të
tregtimit me pakicë të karburanteve në vend, ku u propozon të heqin shërbimin
me para cash dhe të vendosin automatët elektronik, duke shkuar kështu drejt vetëshërbimit.
Gjatë një takimi me përfaqësues të
këtij sektori gjatë ditës së sotme, Tahiri ka shpjeguar arsyet e kësaj kërkese.
“Unë ju jam adresuar me një letër
që synoj bashkëbisedimin paraprak mbi të cilin duhet të shohim mënyrën sesi të
marrim masa që këta faktorë nxitës ti bëjmë zero, që të ekiminojmë vjedhjen dhe
grabitjen e karburanteve në të gjithë Shqipërinë:
E para dhe më e domosdoshmja është
eliminimi i parave cash gjatë natës në të gjitha pikat e karburanteve në
Shqipëri dhe kjo të bëhet duke përdorur teknologjinë dhe duke përdorur
mundësinë që paratë mos i mbajë në xhep operatori shitës i karburantit, por të
paktën gjatë natës të jenë pjesë komunikimit që ka qytetari, konsumatori me një
automat elektronik që garanton siguri maksimale.
E dyta masë e domosdoshme është
sistemi i kamerave. Thuajse të gjithë pa përjashtim sot keni bërë investimet
tuaja personale për të pasur një sistem kamerash për të pasur në çdo pikë
karburanti. këtë e keni bërë si pasojë e vetëdijes tuaj se duhet ky investim për
të qenë më të siguritë. Thuajse të gjithë e keni bërë këtë mbi bazën e
njohurive personale apo profesionale pa një konsultim me policinë, sepse kjo
çështje nuk ka qenë as në vëmendjen e policisë më parë”, tha ministri i
Brendshëm. /Monitor