Reagon Ministria e Shëndetësisë ndaj deklaratës së PD-së: Check-up falas, janë diagnostikuar 10.000 qytetarë

475
Sigal

MSH: CHECK-UP FALAS, JANË
DIAGNOSTIKUAR RRETH 10,000 QYTETARË



Fill pas reagimit të Partisë Demokratike
me pretendimin se është rritur fasha e grupmoshës për check-up, ka reaguar
Ministria e Shëndetësisë. Sipas MSH-së, ky shërbim ofrohet falas dhe janë
diagnostikuar rreth 10,000 qytetarë. Nga ana tjetër Ministria e Shëndetësisë i
ka cilësuar propaganda deklaratat e PD, kundër pjesëmarrjes në këtë program.


REAGIMI I MSH-SË



Përmes një deklarate për media të
deputetes Albana Vokshi, Partia Demokratike pretendon se përmes një Vendimi të
Këshillit të Ministrave, fasha e grupmoshës që përfiton check-up falas është
rritur nga 40-65 vjeç në 35-70 vjeç. Sipas Partisë Demokratike kjo rritje me
350 mijë qytetarë përkthehet në një pagesë 5 milionë euro më shumë në vit ndaj
kompanisë që ofron këtë shërbim.

Për rritjen e fashës së grupmoshës për check-up falas:

Është mbushur më se një vit e gjysëm që nga koha (Mars
2015) kur filloi zbatimi i shërbimit të kontrollit shëndetësor falas për të
gjithë shtetasit rezidentë në Shqipëri midis moshës 40 dhe 65 vjeç. Gjatë kësaj
periudhe, janë diagnostikuar rreth 10,000 qytetarë që nuk e dinin se vuanin nga
çrregullime apo sëmundje të zemrës, HTA, diabet, apo sëmundje të tjera,
ndërkohë që janë diagnostikuar apo parandaluar edhe rreth 10,000 raste të tjerë
gjendjesh kritike të qytetarëve për të zhvilluar sëmundje të ndryshme
kardiovaskulare, paradiabetike apo diabetike, etj., të cilët janë trajtuar më
tej për sëmundjet e tyre, duke u shpëtuar jetën apo duke parandaluar sëmundje
me rrezikshmëri të lartë.

Por në të njëjtën kohë, janë vënë re edhe disa dukuri të tjera: a) sëmundjet
kronike (dhe kryesisht ato kardiovaskulare) rezultojnë të jenë prezent edhe në
mosha të reja, duke filluar edhe nga ato 40 vjeçare; b) është shtuar numri i
personave në moshën mbi 65 vjeç të cilët kërkojnë shërbimin e urgjencës së
zemrës; c) sëmundjet e veshkave prekin përherë e më tepër një numër më të madh
qytetarësh.

Duke qenë se, falë edhe propagandës kundër pjesëmarrjes në programin e check-up
që ka ndërmarrë opozita, numri i qytetarëve që janë bërë deri më tani pjesë e
skemës së kontrollit falas ka qenë më i vogël se sa kapaciteti prej 475 mijë
diagnostikimesh në vit që garanton financiarisht partneriteti publik privat,
qeveria ka vendosur:

a) të zgjerojë grupmoshën e atyre që përfitojnë nga
check-up falas, nga 40-65 vjeç në 35-70 vjeç;

b) të shtojë dy lloje të reja analizash në paketën e check-up falas për të
parandaluar dhe diagnostikuar në kohë sëmundjet e veshkave.

Në këtë formë i përgjigjemi nevojës për të diagnostikuar problematikat e
sëmundjeve kronike që në moshë të re (pas moshës 35 vjeçare), për të ndihmuar
edhe ata persona që vuajnë nga këto sëmundje edhe pas moshës 65 vjeçare, si edhe
për të trajtuar në kohë dhe në mënyrë më efikase problematikën që lidhet me
veshkat.

Për shkak se pjesëmarrja ka qenë nën 475 mijë diagnostikime në vit, këto masa
të marra nga qeveria nuk do të kenë asnjë lloj impakti ne buxhetin e vendosur
në dispozicion për shërbimin e check-up falas për qytetaret. Do të ketë më
shumë qytetarë, që do të përfitojnë më shumë shërbime duke mos shtuar asnjë
kosto ekstra.