Spitali Amerikan/ Dr. Ornela Marko: 6 këshilla për një Halloween të sigurt, pa alergji

1146
Sigal

6 këshilla për një Halloween të
sigurt, pa alergji

 

Festa e Halloween prej vitesh
festohet edhe në Shqipëri. Banketet me ushqime dhe ëmbëlsira;make up-i i
përdorur apo dhe veshjet me personazhet e preferuara, jo pak herë lenë shkas për
shqetësime si alergji ushqimore apo komplikacione të tjera tek të rriturit dhe
sidomos tek fëmijët.

Dr. Ornela Marko                                                                              

Alergologe dhe Imunologe klinike                                                                                  

Spitali Amerikan 2

 

Këtu do të gjeni disa këshilla që mund
të qetësojnë sadopak shqetësimin e prindërve dhe ndihmojnë fëmijët me alergji
ushqimore ose azma që të shijojnë festën.

Në vitet e fundit, edhe në vendin tonë,
nata e Halloween po bëhet “traditë”. Por për fëmijët me azem apo alergji të
ndryshme, si dhe për prindërit e tyre, mund të jetë vërtet “e frikshme”, nëse
nuk merren masa apo nëse nuk ndiqen këshillat e alergologut.

Është e rëndësishme që prindërit dhe
fëmijët, gjatë përgatitjeve për aktivitetin, të kenë parasysh disa këshilla të
vlefshme. Kjo bën të mundur që fëmijët të shijojnë ditën dhe të mos u shfaqet
as kriza azmatike dhe as një reaksion alergjik i mundshëm.

Për të ndihmuar prindërit po ju japim
disa këshilla, që për disa mund të jetë thjesht një rikujtim:

·        
Maskat mund të jenë të frikshme. Për
fëmijët me azma përpiquni të gjeni një kostum që nuk kërkon maskë. Nëse fëmija
insiston që kostumi të ketë një të tillë, atëherë ajo të mos jetë e ngushtë, të
mos jetë e puthitur mirë pas fytyrës dhe të mos jetë pengesë për frymëmarrjen.

·        
“Tualeti” (makeup-i) i përdorur për Halloween
mund të shkaktojë reaksione alergjike. Prandaj përdorni vetëm produkte të cilësisë
së mirë, hipoalergjike, por çfarë është dhe më e rëndësishme provojeni më parë
produktin në një sipërfaqe të vogël të lëkurës për të parë nëse ekziston mundësia
e një reaksioni alergjik.

·        
Eleminoni vizitat e fëmijëve në
fqinjët apo të afërmit, të pashoqëruara nga ju prindër, por zgjidhni aktivitete
të tjera, më pak të rrezikshme si lojra të ndryshme, filma apo të organizoni festa
me ëmbëlsira dhe pije të sigurta.

·        
Jini të përgatitur për situatë
urgjencë. Mos harroni të keni gjithmonë më vete Epipenin dhe numrin e urgjencës.
Fëmijët me azma duhet të marrin terapinë e përditshme dhe të kenë gjithmonë me
vete Ventolinen.

·        
Kontrolloni ëmbëlsirat. Përpara se fëmijët
të konsumojnë ato që iu kanë dhënë për festë, prindërit duhet të hedhin çdo
produkt të paetiketuar apo të pasigurt. Tregojuni fëmijëve me alergji se cilat
janë gjërat që ata mund të hanë dhe cilat jo. Prindërit mund të çojnë
paraprakisht nëpër fqinjët apo të afërmit produkte të sigurta për fëmijët e
tyre.

·        
Mos u jepni fëmijëve ushqime për
dhurata. Për të qenë më të sigurt dhe për të rritur përkujdesjen ndaj fëmijëve
alergjike, mbase është mirë që në derën kryesore të shtëpisë të vendosni një
kungull të pikturuar ku të tregoni që produktet ushqimore nuk janë pjesë e
dhuratave tuaja për festën.