Marifetet qeveritare me partneritetet publike – private

306
Sigal

 Gazeta Telegraf/

PPP-të nuk janë më
efiçente, por thjesht krijojnë monopole

Një nga aksiomat
kryesore të ekonomisë thotë se “nuk ka drekë falas” – pra, nuk mund të
përfitosh nga diçka pa paguar gjithashtu një kosto. Megjithatë, Kryeministri
Edi Rama duket i vendosur ta sfidojë këtë aksiomë. Për të disatën herë ai ka
deklaruar mbështetjen e tij jo vetëm për partneritetet publike-private (PPP,
ose njohur shpesh me termin koncesion) ekzistuese, por premtoi se ato do të
vazhdojnë të rriten në numër duke mbuluar gjithnjë e më shumë shërbime,
raporton “Exit.al”. E gjitha kjo ndodh nën premtimin e përsëritur disa herë se
PPP-të nuk janë një barrë për borxhin publik. Ky argument i Kryeministrit Rama
është totalisht i pavërtetë! PPP-të janë plotësisht një barrë mbi pasurinë e
publikut, por thjesht mbështeten në rregulla pak më kreative të kontabilitetit
në mënyrë që të mos shfaqen menjëherë si shpenzimet publike.

tadiumi i ri Kombëtar
dhe koncesionet e shëndetësisë

Le të marrim si
shembull një skemë shumë të dyshimtë PPP-je që po përdoret aktualisht nga
autoritetet publike: ndërtimi i Stadiumit të ri Kombëtar. Megjithëse detajet e
kontratës nuk janë bërë ende publike, Rama ka deklaruar disa herë se duke
lejuar investitorët privatë të ndërtojnë në njërin kënd të stadiumit një kullë
shërbimesh dhe banimi, mbi një tokë publike, do të mbulohen dhe kostot e
ndërtimit të stadiumit. Kësisoj, qeveria nuk do të detyrohet të marrë borxh për
të ndërtuar stadiumin dhe borxhi publik nuk do të rritet. Por duke lejuar
ndërtimin e kësaj kulle nga investitorët privatë, qeveria shmang jo vetëm
shpenzimet aktuale, por edhe të ardhurat në të ardhmen. Pra, çdo lloj aseti apo
pasurie që privatët përfitojnë nga skemat e PPP-ve përfshijnë të ardhura dhe
asete që mund të kishin qenë në pronësi të publikut në një të ardhme të afërt. Atëherë,
pse duhet qeveria të heqë dorë nga këto të ardhura në të ardhmen? Një prej
argumenteve më të përdorur për të justifikuar PPP-të është se qeveria është e
kufizuar për momentin. Pra, qeveria dëshiron të bëjë investime publike të
mëtejshme, por kjo nuk është e mundur për shkak të kostove dhe borxhit publik
të lartë. Sërish, ky argument nuk qëndron. Aktualisht qeveria mund të marrë
borxh me normën më të ulët të interesit historikisht (kjo edhe për shkak se
investitorët privatë janë ende të frikësuar për të investuar)! Nëse ka një
moment të denjë për të investuar në projekte publike fitimprurëse, është
pikërisht ky! Përderisa investitorët privatë janë të gatshëm dhe po përfshihen
në to, projektet duket se janë vërtetë rentabël dhe me të ardhura të sigurta! A
vlen kjo dhe për skema të tjera PPP-je që nuk përfshijnë ndërtimin e aseteve
rentabël në të ardhmen?  Absolutisht që
po, thjesht logjika ndryshon sadopak. Për ta ilustruar këtë, le të marrim si
shembull koncesionin e kontrollit shëndetësor falas të popullsisë për moshën 40
– 65 vjeç, i njohur si check-up, për të cilën Ministria e Shëndetësisë është
kritikuar shpesh. Këto skema përfshijnë shpenzime publike të garantuara në të
ardhmen: qeveria do të paguajë një shumë të caktuar çdo vit (miliona euro) në
mënyrë që kompania private të vazhdojë ta ofrojë shërbimin. Këto pagesa ndaj
privatit janë në fakt shpenzime të garantuara për vitet e ardhshme, por për
shkak se nuk konsumohen menjëherë nuk shfaqen në statistikat e borxhit publik
aktual. Kjo është dhe një ndër pikat që Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) e ka
theksuar shpeshherë, kur është shprehur se qeveria është angazhuar në shpenzime
që do të përbëjnë kërcënim për financat publike në të ardhmen e afërt. Atëherë,
përse duhet të mundohet kaq shumë qeveria për të krijuar këto skema? A nuk do
ishte më transparente që qeveria të ndërmerrte këto investime në mënyrën e
zakonshme, duke marrë borxh e duke krijuar investime publike?