Lotaritë sportive, “kumari” që duhet kaluar në “Veting” si “aktivitet krimi” i disa kontingjenteve të botës së krimit

564
Sigal

Gazeta Telegraf/

Arjan ZADRIMA

 

Nga një raport i SHISH i muajit tetor 2016, me
informacion nga hetimet që ka kryer ky shërbim me infiltrime të agjentëve të
vet brenda biznesit të qendrave të lotarive sportive duke hapur “Bar-Kafe-Loto”
si filiale të këtyre bixhozeve, rezulton se veçanërisht 3 prej këtyre qendrave
të lotarive, janë kthyer në vatra krimi të licencuara si qendra humanitare, si
“OJF” dhe media bastesh sportive, por që realisht kryejnë aktivitet me botën
kriminale të lotarive të vendeve të tjera…

 

Vetëm gjatë vitit 2016, në shkallë vendi janë regjistruar 1315 krime për
shkak të “kumarit”, të njohur me termin e biznesit legal e ilegal si “Lotari
sportive”, me pasojë edhe viktima me vetëvrasje, plagosje, pengmarrje, gjoba
banditësh, lënie peng të pasurive, grabitje, dhunë në familje e divorce. Gjithë
Shqipëria në çdo rrugë, bulevard, lagje, hyrje pallati e shkolle, universiteti,
qendre pune, spitali e fshat është tejmbushur me qendra lotarie sportive, të
prezantuara me lloj-lloj emrash e logosh, poseduesit e disa prej të cilave, për
të maskuar krimin që kryejnë në pastrimin e lekëve dhe mashtrimin e popullatës,
i maskojnë këto lojëra bixhozi nëpër “Bar-Kafe”, jo vetëm duke mos paguar asnjë
qindarkë sigurime shoqërore, tatimore e shëndetësore, por edhe duke maskuar mos
licencimin e aktiviteteve, në tabelat e këtyre “Bar-Kafeve”, duke iu shmangur
taksave, tatimeve e detyrimeve të tjera fiskale. Një raport i SHISH i muajit
tetor 2016 që i është dërguar Presidentit të Republikës, Kryeministrit, Prokurorit
të Përgjithshëm, Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare, Ministrit të
Brendshëm, Ministrit të Financave, Drejtorive të Policive të Qarqeve, Drejtorisë
së Përgjithshme të Tatimeve, Drejtorisë së Lojërave të Fatit dhe 61 bashkive të
vendit, bën me dije se, nga hetimet që ka kryer ky shërbim special edhe me
infiltrime të agjentëve të vet brenda biznesit të qendrave të lotarive sportive
duke hapur “Bar-Kafe-Loto” si filiale të këtyre bixhozeve, rezulton se disa
prej këtyre qendrave të lotarive sportive, janë kthyer në qendra krimi të
palicencuara, ose të licencuara si qendra humanitare, si “OJF” e media bastesh
e sportive, por që realisht kryejnë aktivitet për pastrim parash të pista të
trafiqeve të ndryshme si droga, prostitucioni, tregu i zi i emigracionit,
emigracioni ilegal, transaksionet e parave të qendrave kriminale të lotarive të
vendeve të tjera; si Maqedoni, Greqi, Bullgari, Rumani, Hungari, Çeki, Poloni,
Serbi, Kosovë, Bosnjë, Itali, Rusi, Mali i Zi etj., të cilat janë të skeduara e
nën hetim prej shërbimeve sekrete ndërkombëtare për krime të rënda, që maskohen
pas aktivitetit të lotarive sportive. Gazeta “Telegraf”, disponon të plotë
raportin e SHISH dërguar kryeministrit dhe institucioneve të hetimit e ligj-zbatimit
të anti-krimit ekonomik e financiar. Sipas këtij raporti, në “listën e hetimit”
janë 3 biznese lotarie sportive që ushtrojnë aktivitet në Shqipëri, të cilat
janë në pronësi, në ortakëri e administrim të personave me “skedë të zezë krimi”
edhe jashtë vendit, të cilët posedojnë edhe biznese të tjera, të blera me lekët
e krimit! Ajo që bie në sy në këtë raport sekret është fakti, që këto 3 biznese
lotarie sportive e ushtrojnë aktivitetin e basteve sportive nën maskën e
zbatimit të ligjit mbi lojërat e fatit për qendrat e lotarive sportive, por në
fakt janë kthyer në qendra abuzimi edhe me bastet. për të konfirmuar saktësisht
raportin e SHISH, gazeta “Telegraf” po investigon në terren aktivitetin e këtyre
3 bizneseve, duke zbardhur të plotë edhe “CV” e atyre që i kanë në administrim
ortakëri e administrim ose që për të humbur gjurmët e aktivitetit antiligjor, i
kanë dhënë me qira tek… gjyshet e tyre! Nisur prej këtij raporti special e konkret
të SHISH, shtrohet si emergjencë dhe detyrim shtetëror që, jo vetëm 3 qendrat e
lotarive sportive, më saktë të këtyre qendrave të “kumarit” por gjithë sistemi
i lotarive sportive në Shqipëri, duhet përfshirë në “Veting” si sistem dhe me
aktivitet kriminal, që komandohet prej disa personave kontingjente të botës së
krimit me lidhje edhe jashtë vendit! Në vijim, gazeta “Telegraf” do të publikojë
këtë raport të SHISH.