Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar Këshillin e ri Drejtues të RTSH ku sipas Marash Mirashit ky këshill ,i përbërë nga anëtarë me integritet të lartë pritet ti hapë rrugë ndryshimeve pozitive . Mirashi, i cili ka dhënë kontributin e tij për 32 vjet në RTSH, e konsideron këtë hap si fundin e një periudhe kolapsi të shkaktuar nga keqmenaxhimi i mëparshëm.
Ja reagimi i Marash Mirashit:
Miratimi i Këshillit Drejtues të RTSH nga Kuvendi pritet t’i hapë rrugë zhvillimeve pozitive në këtë institucion kaq të dashur, ku prej 32 vjetësh jap kontributin tim. Ky këshill drejtues, me anëtarë me integritet të lartë në fusha të ndryshme të shoqërisë shqiptare, do të shënojë edhe fundin e kolapsit institucional në RTSH, të shkaktuar nga keqmenaxhimi i Alfref Pezës i cili përmes metodave të paligjshme, ku e pakta eshtë shperdorimi i detyrës, e çoi këtë pronë publike që mbahet me lekët e taksapaguesve, në degradim total.
Ky person i veshur me kostum drejtori të përgjithshëm, nisi një gjueti shtrigash, me metoda pothuajse antisemite, përndoqi cilindo gazetar, regjisor, teknik dhe kameraman që e shihte si të aftë dhe pa premisa që ne të ardhmen të mund të bëhej servil. Ai largoi me dhunë psiqike dhe shantazh më shumë se 150 punonjës nga RTSH, një pjesë e të cilëve fituan gjyqin; një pjesë u rikthyen me theqafjen e tij , ndëra një pjesë tjetër po vazhdojnë ende rrugën ligjore.
Ai u soll keq me profesionistët e përkushtuar duke i caktuar në punë jashtë profilit, me shpresë se do të dorëzoheshin, duke u hequr atyre emisionet. Solli në poste drejtuese miqtë e tij, në 99 përqind të rasteve të paafte, si dhe sajoi po për miqtë e tij projekte shumëmilionëshe të cilat nuk i shërbyen publikut dhe nuk zgjuan asnjeherë interesin e audiencës. Ndërkohë që pagat janë ende të pangritura.
Alfred Peza, pavaresisht bëmave, do të mbahet mend gjithsesi për një rekord:
Transmetimin e kronikave të gatshme te kryetarit të bashkisë së Tiranës në RTSH, gjë që nuk kishte ndodhur ndonjëherë më parë.
Zoti e ndihtë Pezën në palavdinë e tij të merituar!
Zoti e ndrittë mendjen e anëtarëve të nderuar të Këshilit Drejtues të RTSH, për të parë qartë e thellë çfarë ka ndodhur me institucionin mediatik që paguhet me kontributet e taksapaguesve!