Çefa i jep dokumentet Komisionit Hetimor: Nisma antikushtetuese

683
Sigal

Nënkryetari i KLD-së, Elvis Çefa i ka vendosur në dispozicion dokumentacionin zyrtar prej  7.017 fletë Komisionit Hetimor të ngritur për shkarkimin e tij dhe të anëtarit tjetër të KLD-së Lulzim Lelçajt.

Dokumentacioni shkresor që i është dërguar Kuvendit përbëhet nga Procesverbalet e mbledhjeve të KLD, Vendimet e KLD-së, Dokumentacionin ndjekur për testimin profesional për në gjykatat administrative, emërimin e drejtorit të shkollës së Magjistraturës, dhe të gjitha dokumentet e tjera të Kërkuara nga Komisioni Hetimor. 

Më 26 shtator, një ditë pas votimit në Kuvend, Komisioni Hetimor i ngritur për shqyrtimin e kërkesës për shkarkimin e dy anëtarëve të KLD-së, Elvis Çefës dhe Lulzim Lelçajt i kanë kërkuar Këshillit të Lartë të Drejtësisë të dërgonte informacionin përkatës që ka të bëjë me mbledhjet, vendimet e KLD që nga periudha që kanë ushtruar detyrën Çefa dhe Lelçaj.
 
Në letrën bashkangjitur me dokumentacionin, Çefa shprehte qëndrimin e tij mbi nismën e Kuvendit për shkarkimin e dy anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Sipas tij, kushtetuta nuk parashikon në asnjë moment ndërprerjen e mandatit të anëtarit të KLD-së përmes proceduarve parlamentare.

Nesër Komisioni Hetimor nën drejtimin e deputetit Armando Subashi, mblidhet sërish për të shqyrtuar kërkesën e 39 deputetëve të Mazhorancës për shkarkimin e dy anëtarëve të KLD-së, Elvis Çefës dhe Lulzim Lelçajt.