Maksim Rushi: Borova martire me 107 viktimat e masakrës naziste

67
Sigal

 

(Me rastin e 80-Vjetorit)                                                         6 KORRIK 1943-6 KORRIK 2023

 Afro 7 kilometra pasi lë qytetin e Ersekës, në rrugën nacionale Ersekë-Leskovik, gjendet fshati i Borovës, një fshat me vlera historike dhe turistike. Borova, është e përfshirë në projektin e ‘100 Fshatrave’, dhe kjo për arsye të vlerave që mbart dhe që përbëjnë interes për t’u njohur nga të gjithë. Ngjarja, e cila e bëri të hynte në histori shenjohet 80 vjet më parë, në 6 korrik 1943, që u kthye në ditë zie dhe mënxyre. Ishte 6 korriku i vitit 43’, dita kur ndodhi “Masakra e Borovës”. Masakra e Borovës, u krye nga dora e pamëshirshme e nazistëve gjermanë, të cilët në vetëm disa minuta shkatërruan, dogjën, gjymtuan, vranë të moshuar, burra, e madje edhe gra e fëmijë nga mosha 4 deri në 84 vjeç.

Ashtu si çdo vit, edhe në këtë 80-vjetor nuk ka munguar ceremonia e përkujtimit të kësaj date. Prezent ka qënë prefekti i qarkut Korçë, z.Nertil Jole.

Në këtë takim nuk mungoi as ambasadori gjerman në Shqipëri, z.Peter Zingraf, i cili ka kërkuar ndjesë mbi atë çka ka ndodhur e nuk ka mohuar lumturinë që sot, këto viktima përkujtohen nga gjermanë dhe shqiptarë, pasi 107 jetët e pafajshme kanë të drejtën e kujtesës dhe të nderimit.

Kryetari i bashkisë Kolonjë Z.Erion Isai ndër të tjera theksoi: “ Këshilli bashkiak do të kalojë vendimin për t’i kthyer këto varreza në varreza dëshmorësh e se me mbështetjen edhe të Ministrisë së Mbrojtjes do të ketë një rikualifikim të vendit dhe një muze të plotë, për të treguar konkretisht atë çka ka ndodhur në 6 Korrik të vitit 1943.

Pjesëmarrës në përkujtimore kanë qenë dhe familjarë e pasardhës të viktimave, duke i nderuar këta të fundit.

 

Ku qëndron rëndësia e njohjes dhe përkujtimit të “Masakrës së Borovës”?

Së pari, kjo ngjarje përbën një nga masakrat më të rënda përgjatë Luftës së Dytë Botërore. Historia e shekullit XX njeh vetëm disa masakra të këtyre përmasave, dhe si e tillë duhet të përçohet ndër breza e vërteta dhe të mbahet gjallë memoria kolektive jo si dëshirë për të ndërshkuar, por si mesazh për këdo se Liria është paguar shtrenjtë, me gjak dhe si e tillë duhet të mbrohet në përjetësi. Përkujtimi i masakrës së Borovës dhe nderimi për ata që u vranë e masakruan, por edhe për familjet e tyre, nuk është e as mund të jetë njē gjest kortezie protokollare. Nuk është e as mund të jetë një ritual i zakonshëm homazhi, qoftë edhe si homazh shtetëror. Eshtë një shenjë dhimbjeje e nderimi njerëzor e një kombi të tërë për një sakrificë sublime, për sakrificën që ata borovarë të pafajshēm që jetonin në tokën e tyre të babës e të nënës nuk e zgjodhën, por ua imponuan dhunshëm të urdhëruarit e makinës kriminale naziste. Borova është amanet i gjakut në themelet e lirisë shqiptare, është amanet kombëtar për shqiptarët e të gjithë botës!

Si rrodhën ngjarjet e 6 Korrikut?

Veprimi barbar që kryen nazistët gjermanë më 6 korrik 1943, në fshatin Borovë të Kolonjës, ishte hakmarrje për pritën që organizuan në Barmash ato ditë forcat partizane kundër divizionit gjerman, që hyri në tokën shqiptare nga Greqia. Është masakra më e madhe që kryen gjermanët në Shqipëri në vitet e Luftës së Dytë Botërore. Ata rrafshuan dhe dogjën fshatin Borovë dhe vranë 107 veta, gra, fëmijë, pleq dhe njerëz të tjerë të pafajshëm dhe të pambrojtur. Masakra e Borovës ngjalli një urrejtje të madhe në mbarë popullin shqiptar ndaj pushtuesve gjermanë dhe bashkëpunëtorëve vendas. Dhimbja u kthye në forcë, bijtë dhe bijat e Borovës dhe mbarë populli ynë u hodhën më me vendosmëri në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Një detaj interesant nga përkujtimi i Masakrës së Borovës ..

70 vjet më vonë, në vitin 2013, Markus Burger, djali i ushtarit gjerman Anton Burger, një nga autorët e masakrës, vjen në përkujtimin e ngjarjes në Shqipëri dhe iu kërkon falje banorëve të Borovës për krimet monstruoze të të atit “Babai im nuk më tregoi kurrë për Borovën. Tani që zbulova aktet çnjerëzore, figura e tij më është kthyer përmbys”,- u shpreh Markus Burger para pasardhësve të viktimave. Burger kishte ardhur me qëllimin e të bërit homazhe me rastin e 70-vjetorit të të rënëve në këtë fshat, dhe pasi ka takuar të mbijetuarit dhe të afërmit e viktimave, u ka kërkuar atyre falje publike. Kjo kërkesë faljeje nga ana e tij shpreh qartë se gjermanët e sotëm, europianët e sotëm distancohen nga ngjarje të tilla të rënda dhe kërkojnë prosperitetin dhe progresin vetëm nëpërmjet paqes si rruga e vetme drejt qetësimit të plagëve të së kaluarës dhe ecjes përpara drejt zhvillimit.

Dëshmitë e të mbijetuarve:

Është e dhimbshme të dëgjosh prej dëshmive të të mbijetuarve për këtë masakër, të cilëve u ka lënë shumë dhimbje, drama, pasoja emocionale e kujtime që nuk mund të shlyhen nga kujtesa. Ajo që i përbashkon dëshmitë e tyre që në atë vit ishin fëmijë të vegjël është fakti se fshati u mbulua nga ulërimat, britmat e tmerrit që përjetuan 107 viktimat e kësaj masakre. Shumë prej ngjarjeve I kanë parë me sytë e tyre për të cilat do të donin të ishin një ëndërr e keqe, por rezultuan si makthi që do t’i përndiqte në ditët dhe netët e jetëve të tyre.

Borova martire nëpër vargjet dhe këngët e vajit …

Për Borovën janë shkruar vargje dhe thurrur këngë, nëpërmjet të cilave shprehet dhimbja, dëshpërimi, trishtimi i asaj dite të errët që nuk harrohet kurrë! I mbijetuari, poeti, arsimtari, përkthyesi Sotir Caci, që humbi dy prindërit në këtë masakër, babanë Anastas Simeonin dhe nënën Marije Llambro, në vitin 1945 do ta përcillte përmes vargjesh çka ai dhimbshëm kujton, ndërmjet të cilave:

U ndez tym e flakë

Borova e shkretë

dhe zjarr prej skëterre

U ngjit gjer në retë…

U mbush plot me kuje

e vaje përzjerë,

e gjithë atmosfera

barut binte erë…

Ca digjeshin brënda,

ca vdisnin nga plagët,

të mbytur në gjakra,

zhuritur nga flakët!…

 

Thanas Marko, një tjetër pasardhës i Borovës, i ka kushtuar një këngë vaji Borovës Martire, ku me zërin prekës dhe tekstin emocionues shprehet kështu:

 

U nxi toka, u nxi qielli,

iu morr fryma edhe diellit!

Ç’të kanë bërë njerëzit e shkretë?

Ç’të kanë bërë foshnjat në djep?

 

Por edhe pse kanë kaluar 80 vjet nga kjo ngjarje, banorët e këtij fshati ditën të ringriheshin nga hiri i vet, si “Sfinksa” të kohës moderne, duke mos u përulur, nënështruar, dorëzuar të kaluarës, padrejtësive dhe tragjedisë, që mbolli pellgje gjaku e shkatërrim. Borova sot jeton, është gjallë, kujton dhe nderon me përulësi gjakun e tyre!