Lufta për mbrojtjen e Plavës e Gucisë

2773
Gëzim ZILJA

Aferim mori Shqipni
T’bukur nam kam ni për ty
Ke lidh besën për m’u shkri
Mos me lshu Plav’ e Gusi

Gjatë muajit tetor 1879, Mali i Zi, duke parë se shqiptarët ishin të vendosur të mbronin Plavën e Gucinë, filloi përqendrimin e ushtrive në kufi, duke e çuar numrin e ushtarëve në 5.600. “Lidhja” iu përgjigj, duke vënë në gatishmëri luftarake forcat e veta. Sipas vendimit që Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes kishte marrë më 3 tetor 1879, Komisioni Ushtarak dhe Shtabi Ushtarak nën kryesinë e Ali Pashë Gucisë shpalli në Plavë e Guci gjendjen e luftës dhe kërkoi mobilizimin e gjithë krahinave veriore e më gjerë. Kënga na bën me dije: 

Aferim mori Shqipni
T’bukur nam kam ni për ty
Ke lidh besën për me u shkri
Mos me lshu Plav e Guci

Më 13 tetor një gazetë e Livornos, Itali shkruante: “Shqiptarët kanë si parim kryesor ndjenjën e Atdheut… Që të gjithë shqiptarët janë dhe e quajnë veten vëllezër të çdo dogme apo fisi që të jenë. Ata janë xhelozë për kombësinë e tyre dhe nuk duan ta humbasin atë.” Më 1 nëntor 1879, forcat malazeze, duke dashur të tërheqin vëmendjen e Fuqive të Mëdha dhe të matnin pulsin e shqiptarëve kryen dy inkursione: të parin në fshatin Pepaj dhe të dytin në fshatin Arzhanicë. Forcat e Lidhjes ia dolën t’i përzënë malazeztë. Ndërkaq me mijëra vullnetarë të tjerë nga Gjakova, Peja e Dibra u nisën në ndihmë të Plavës e Gucisë. 

Koka ngre e shkreta Shypni
Jan’ dal’ n’Plav edhe n’Guci.

“ Lidhja e Prizrenit” me udhëheqësit e vet kishte organizuar gjithçka për të mos i lëshuar tokat shqiptare. Në krye të vullnetarëve shqiptarë u vendos një nga krerët e lidhjes Ali Pashë Gucia, njeri me autoritet të madh në ato krahina. Në rrethanat e krijuara ai kërkoi ndihmë, duke dërguar lajmëtarët në gjithë Veriun e Shqipërisë:

Ali Pasha i hypi atit
Ngjeshi shpatën prej dukatit
Ngjeshi shpatën e dul në Plav’
Haxhi Zekës i çoi fjalë
Haxhi Zekës fjal’ i ka çue
Sot ni javë kem me liftue
Kem me ardh’, kem me qindrue.

Por kjo luftë këtë radhë do të jetë e veçantë. Edhe kundër krajlit (Malit të Zi) por edhe kundër mbretit, vet sulltanit. 

Krajl e mbretit kem’ me i diftue
Tokn’ e babës s’kem me e lshue.

Në një variant tjetër për organizimin e qëndresës kundër ushtrisë malazeze thuhet: 

Ç’ka ka ba Ali Pash Gusia
Shpejt tri letra po i mbaron
Nji ushtari ia paska dhanë
Nja t’m’ia apësh Shaban Begit
Nja t’m’ia apësh mulla Zek Zyberit
Nja t’m’ia çojsh n’qytet t’Gjakovës
N’gjith xhamijat letrat me i kndue. 

Tashmë lajmi i përhapur mbi rrezikun malazez dhe ushtrinë, kishte marrë dhenë. Nga vargjet e mëposhtme kuptojmë si derdhen shqiptarët drejt Plavës e Gucisë të vendosur, për t’i mbrojtur ato toka deri në vdekje . 

Alla burra t’bajmë gajret 
Tash vjen Peja me ra n’ushtri
Vjen Gjakova me gjith’ Malsi

Madje luftëtarët e ardhur duan të cilësohen edhe mbi ato krahina, që ende nuk kishin nisur luftëtarët e vet për mbrojtjen e Plavës e Gucisë. Rapsodi (duket kjo këngë është bërë bash në kohën kur u mblodhën vullnetarët) nuk “kursen” as Shkodrën e as Podgoricën, që ende nuk kishin nisur vullnetarë :

Mark Milani, Mark Milica,
Nuk jam Shkodra e Podgorica
Nuk jam Shkodra me fistana 
Jam Kosova tan n’tagana 
Dvete Kuçin si ia bana.

Trysnia kundër forcave shqiptare tashmë të gatshme për luftë sa vjen e rritet. Mali i Zi ka me vete jo vetëm forcën ushtarake por edhe shtatë krajlitë e vetë Sulltanin. Kur lajmi për kërcënimet e Malit të Zi shkon te Ali Pashë Gucia ai qesh (kesh) dhe përgjigjet: 

Ali pasha t’madhe keshi
Sa ta kam Shipnin’ me veti
S’ka ç’ka më ban krajli, as mbreti
Sa ta kam kët’ grusht Shipni
Hap sefer (luftë) me shtatë krajli.

Në muajin dhjetor forcat malazeze ishin rreshtuar në vijën Murinë, Pepaj, Arzhanicë e Velikë, kurse forcat shqiptare gjatë vijës Guci, Kolenivicë, Martinaj, Plavë e Nokshiq. Midis forcave malazeze dhe shqiptare në sektorin verilindor kalonte lumi Lim, vetëm me një urë druri. Të dy ushtritë ishin gati për luftë. Qeveria turke në këto rrethana u detyrua të dërgojë në Shqipëri Ahmet Muhtar Pashën, për të dorëzuar Plavën e Gucinë. Madje ai i propozoi një sërë favoresh popullsisë nëse ajo do të emigronte. Por përgjigja vjen kategorike pa lënë shteg tjetër veç luftës: 

Ç’ka ka ba Sulltan Hamidi
Çoi e thirri Ahmet Myftar Pashën
Njizetmij’ ushtarë me i marr’
N’Prizren sa shpejt a dalë.
N’guj ish çue Hamz’ aga i Batushës:
…Lut fat’ se jam qillue n’Plavë
Se shumë ma zi se Maxharit ta kish’ ba
Me tok teme mreti ç’ka ka?
Tokën teme knjazit nuk ia lshoj. 

Duke parë vendosmërinë e shqiptarëve dhe kujtuar fatin e Abdulla Pashë Drenit e Memet Pashë Maxharit , Muhtar Pasha u tërhoq pa e mbushur misionin e tij. Më tej do të vinte përpjekja e pashmangshme midis ushtrisë malazeze dhe forcave shqiptare. Më 4 dhjetor pjesa më e madhe e ushtrisë malazeze prej 4.000 ushtarësh nën komandën e Mark Milanit, të bindur në fitore ndërmori një sulm në Nokshiq, në drejtim të Plavës dhe të Gucisë. Shtabi ushtarak i përbërë nga Ali Pashë Gucia, (kryetar) Jakup Ferri, Sulejman Vokshi, Ali Ibra, Haxhi Zeka, Kadri Bajri (Bajraktari i Rugovës) Mal Dula, (Bajraktar i Bytyçit) Filip Çeka, Jusuf Sokoli e të tjerë u përgjigj, duke hedhur në sulm rreth 2.000 vullnetarë. Luftëtarët u përleshën aq keq me njeri-tjetrin sa të dyja palët lanë mënjanë hutat dhe nxorën jataganët, duke u përleshur trup me trup. Mark Milani kishte deklaruar se me trupat, që kishte me vete do t’ia dilte të mposhtte shqiptarët madje sillën do ta hante në xhami, drekën në Plavë, e darkën në Guci. 

Mark Milani i Malit t’Zi
Po i lyp sillën n’xhami
Drekën n’Plavë, darkën n’Guci

Por si u zhvilluan ngjarjet dhe si do të shohim më poshtë, ai do të gabohej rëndë. Tashmë luftëtarët shqiptarë nën udhëheqjen e drejtuesve të “Lidhjes” ishin gati:

Mos u ngut he cernagore
n’Berzhevic të baj llogore
.. Mark Milani e Mark Milica
Jam Gjakova plot me plisa.

Forcat vullnetare të “Lidhjes” ndalën sulmin e ushtrisë malazeze dhe i shkaktuan në Nokshiq, një disfatë të madhe, duke i detyruar forcat e Mark Milanit të tërhiqeshin sërish brenda kufijve të Malit të Zi. Flitet për rreth 600 të vrarë nga të dy palët, ku një pjesë e ushtarëve malazezë u mbytën në lumin Lim, gjatë tërheqjes. 

Mark Milani duel n’Previ
Po e kqyr Limin me dyrbi
Mir’ po e she’ Limi a nxi
Kah po i myten asqert’ e ti.
I vuni para e shkreta Shypni…
Lum’ asqer , asqer të ngratë
Po i ço’ Limi n’Vishegrad 

Ashtu si parashikonte Thimi Mitko në “Marsejezën” e vet, që e krijoi enkas si kushtrim për “Lidhjen e Prizrenit”, shqiptarët tashmë të bashkuar i janë përgjigjur thirrjes :
Ndë armë shqiptarë
Hyni nëpër tabor’
Ecni, ecni që asnjë armik
Mos shkeli në sinor…
….Mos dëgjoni hoxh’ e prift’
Se zoti është për të gjithë njeri
Ata duan me na shti fitë
E me na prishur vllazënin…
Dallojnë në këto luftime vullnetarët e Rugovës me komandantin e tyre Sali Jahën. Vargje të shumta japin heroizmin e këtij trimi dhe vullnetarëve që e shoqëronin:

Zo’ ko ka Rugova t’parë
Sali Jahën komandar
Hajdar Feka djal dai
Njaj bajrakut mi paska pri. Dhe më tej:
Bini shok bani gajret
Na ka ardh’ dita me dek’
Mos me e lshu vatan’ e vet’
Fort nimon Rugova e shkret’
Po i nimojn Rugova e Peja
Na u ka rras shkau te dera

Mali i Zi me ushtrinë e tij nuk e pushtoi dot Plavën e Gucinë dhe u detyrua të tërhiqej i shpartalluar. Madje fitimtarët tashmë shprehen: 

A t’kam than’ or Mark budalla
Nuk jam Spiza me Tivarë
Sod je nesh m’asqer shqyptarë
Ky mal fort u la me gjak
Zo’a i ka qit Lymi trupat larg?
N’Bjelluf e Vishegrad.
Në përfundim të kësaj disfate Mark Milani është i detyruar të pohoj fjalët e mëposhtëme:
Mark Milani po ban be
Me ksi trimash kurrë s’jam pre.

Sulmi i parë i ushtrisë malazeze për të marrë Plavën dhe Gucinë dështoi me turp. Shqiptarët të bashkuar si rrallë herë u ngritën kundër Vendimit të Kongresit të Berlinit (shtatë rigatave) dhe mbrojtën trojet e tyre. Fitorja e shqiptarëve pati jehonë në Evropë dhe vetë Portën e Lartë. Knjaz Nikolla pas dështimit të sulmit të parë vendosi të ndërmerrte kundër forcave të “Lidhjes” një mësymje të përgjithshme në fillim të janarit 1880, ku merrnin pjesë 25 batalione me rreth 9.000 ushtarë. Ushtria e “Lidhjes” e udhëhequr nga Ali Pashë Gucia, kishte gjithsej 4.000 luftëtarë dhe 3.000 vullnetarë, gjithsej 7.000 veta. Sulmin e nisën luftëtarët e Nokshiqit të komanduara nga Kurt Asllani dhe Nure Kurti. Ushtritë shqiptare hyn në tokën malazeze, duke shtirë në dorë Arzhanicën, Velën e Pepajn. Dhe ja si zhvillohet lufta:

Vall’ ko kan’ n’llogor të parë
Jakup Ferrin e Çel Shabanë
Nure Kurtin e Kurt Asllanë
Zenel Demn’ e bajraktarë 
Mejdan Markut i kan’ dalë.

Në betejën e Nokshiqit u vranë ose u plagosën 3000 malazezë e 2.000 shqiptarë. Në betejë u plagos dhe Mic Sokoli, njeri nga delegatët në mbledhjen e themelimit të Lidhjes Shqiptare më 1878:

Mic Sokoli po i shtrëngon krahët
Bimni rruba t’i lidh varrët
T’i lidh varrët të shtrëngoj shtatin
Mos t’ma shohi asnjeri gjakin

Po aty mbetën të vrarë Jakup Ferri, Muzhi Syla, Sadik Hamza, Çel Shabani, Dem Isufi, Rexh Avdija dhe komandantët Nuro Kurti e Kurt Asllani: Ja si na vijnë vargjet: 

Një qind vetë sot na kanë mbetë (janë vrarë)
Tre me emna po ua kallxoj
Nja ma i pari Sadik Hamza
E i dyti Çel Shabani
Haj medet për Jakup Ferrin… 
Jakup Feri zok sokolit
met shehit n’ ball’ llogorit …
…Dem Isufi trim si fjera
Ra n’Nokshiq i preu tri krena
Rexh Avdija zogu i atit
Fyt për fyt me djelmt e Markit.

Më 9 janar 1880 forcat shqiptare u tërhoqën në kufirin e vjetër. Duke parë që pushtimi me armë ishte i pamundur knjaz Nikolla, nuk i vazhdoi sulmet për pushtimin e Plavës e Gucisë, por kërkoi nga Fuqitë e Mëdha të zbatoheshin vendimet e Kongresit të Berlinit. 
Sigal