Një tjetër ushtar koreanoverior arratiset përmes zonës së çmilitarizuar

493
Një ushtar koreanoverior u arratis me sukses drejt Koresë së Jugut. Ai është ushtari i dytë që kërkon strehim në Jug në një periudhë një mujore. Dy peshkatarë që u pikasën në afërsi të bregut, po kërkojnë gjithashtu azil në Korenë e Jugut.
Zyrtarët e Koresë së Jugut thanë se ushtari përshkoi zonën e çmilitarizuar dhe u shfaq përballë një vendrojeje në orën 8 të mëngjesit, raporton voa.
“Një ushtar koreanoverior kaloi sot në Korenë e Jugut përmes vendrojes kryesore. Ushtarakët tanë e udhëzuan drejt sigurisë ushtarin e arratisur dhe synojmë të hetojmë më tej procesin e arratisjes dhe motivet e saj”, tha zëdhënësi i shtabit të ushtrisë së Koresë së Jugut, Roh Jae-Cheon.
Ministria e Mbrojtjes së Koresë së Jugut tha se nuk pati të shtëna nga ushtarët e Veriut gjatë këtij incidenti.
Megjithatë, gati një muaj më parë, një ushtar koreanoverior u qëllua me armë nga ish-bashkëluftëtarët e tij ndërsa po përpiqej të kalonte me makinë zonën e çmilitarizuar. Ai u dërgua menjëherë në një spital të Koresë së Jugut, ku mendohet se është ende duke u kuruar.
Arratisja e ushtarit më të fundit është e katërta brenda këtij viti.

Autoritetet e Koresë së Jugut njoftuan gjithashtu se policia bregdetare zbuloi dy koreanoveriorë në një varkë të vogël pranë bregdetit, të cilët kërkuan menjëherë azil në Korenë e Jugut. Autoritetet po hetojnë rreth identiteteve të tyre dhe shpjegimeve që paraqitën.
Sigal