Lufta kundër korrupsionit/ “80 lekësha” për 80 punëtorë, qeveria miraton strukturën e “sinjalizuesve”

284

Çdo institucion
publik me më shumë se 80 punonjës do të ketë një strukturë të posaçme për të
mbledhur dhe shqyrtuar informacionet për korrupsion.

Qeveria ka miratuar një vendim, i cili përcakton se kjo njësi
do të ketë të paktën 2 persona, njëri prej të cilëve është drejtuesi i
Departamentit të Auditimit të Brendshëm.
 

Sipas vendimit, ngritja e njësive të sinjalizuesve në
institucionet publike do të vëzhgohet nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit
dhe Kontrollit të Pasurive.
 

Qeveria do të detyrojë drejtuesit e çdo institucioni publik
që menjëherë pas hyrjes në fuqi të vendimit të emërojnë dy punonjësit përkatës
të njësisë së sinjalizimit.
 

Pas emërimit ata duhet të njoftojnë me shkrim inspektorin e
përgjithshëm të Deklarimit të Pasurive për krijimin e njësinë përgjegjëse, së
bashku me kontaktet e saj.
 

Njësia përgjegjëse e sinjalizimit do të ketë pavarësi të
plotë për të shqyrtuar çdo informacion për korrupsion apo abuzim që vjen nga
sinjalizuesit. Këta të fundit mund të jenë punonjës të institucionit,
ish-punonjës apo persona të jashtëm.
 

Qeveria synon që përmes kësaj mase të forcojë luftën kundër
korrupsionit në sektorin publik dhe të minimizojë abuzimet e fondeve publike./
Top Channel